UNIVERSITETI I PRIZRENIT DHE UNIVERSITETI I BALIKESERIT NËNSHKRUAJNË MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI
Universiteti Prizrenit dhe Universiteti i Balikesirit nga Turqia, kanë arritur marrëveshje për bashkëpunim akademik. Marrëveshja përkatëse është nënshkruar të premten në ambientet e Universitetit të Prizrenit nga rektorët e të dy universiteteve.
Rektori i UPZ-së, Prof. Dr. Mazllum Baraliu e ka vlerësuar shumë të rëndësishme arritjen e kësaj marrëveshje që do të rezulton me bashkëpunim substancial dhe avancimin e marrëdhënieve mes dy universiteteve. Ai ka theksuar se kjo marrëveshje e shton numrin e universiteteve, me të cilat do të ketë bashkëpunim në të ardhmen Universiteti i Prizrenit.
Rektori i Universitetit të Balikesirit, Prof. Dr. Mahir Alkan ka falënderuar Rektorin e UPZ-së, për mikpritjen, duke shprehur kënaqësinë e tij se ndodhet në Prizren dhe në këtë universitet.
Ai ka theksuar se Universiteti i Prizrenit do t’i ketë dyert e hapura për të bashkëpunuar edhe në të ardhmen, duke rikujtuar se kontaktet kanë ekzistuar edhe në të kaluarën pasi që ka pasur profesorë nga Universiteti i Balikesirit, që kanë dhënë mësim këtu, dhe se studentë nga Prizreni që studiojnë në universitetin e tyre në shkallën e magjistraturës dhe doktoraturës.
Në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të universiteteve , do të bëhet shkëmbimi i studentëve, stafit akademik dhe atij administrativ. Do të organizohen aktivitete të përbashkëta në domenin e kërkimeve, shkëmbim të materialit akademik, përvojave dhe të arriturave të tjera shkencore të të dy universiteteve.
Prizren, 23.03.2012 REKTORATI I UNIVERSITETIT