|
| Naim Frashëri | |
| | |
Autori | Mesazh |
---|
Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Naim Frashëri 28th September 2011, 15:56 | |
| Naim Frashëri Naim Frashëri lindi më 25 maj 1846 në Frashër të Përmetit; vdiq më 20 tetor 1900 në lagjen Erenqoj të Stambollit, ku edhe u varros. Rridhte nga një nga dinastitë që dalin nga Dera e madhe Frashëri, ajo e Dakollarëve ose e Dulellarëve. Eshtrat e tij janë sjellë në Shqipëri. Ishte poeti më i madh i rilindjes kombëtare shqiptare, atdhetar, mendimtar dhe veprimtar i shquar i arsimit e i kulturës shqiptare. Në vendlindje bëri mësimet fillore dhe nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku bashkë me vëllanë më të vogël Samiun, mbaroi gjimnazin grek "Zosimea" (1869). Me vonë punoi pak muaj në Stamboll, si nëpunës i vogël në zyrën e shtypit (1870), po iu shfaq tuberkulozi dhe u kthye në vendlindje për klimë të mirë. Në fillim ishte nëpunës të dhjetash në Berat e më pas i doganës në Sarandë (1872-1877). Në këtë periudhë Naim Frashëri bëri prova të vjershërimit shqip, nën ndikimin e bejtexhinjve e u dha pas vjershërimit persisht, me sukses, duke botuar më vonë edhe një përmbledhje lirikash Tejhyjylat (Ëndërrimet, 1885). Nën ndikimin e ngjarjeve historike, sidomos të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, njëri nga udhëheqësit e së cilës ishte Abdyli, vëllai i tij më i madh, dhe të veprimtarisë kulturore patriotike të Shoqërisë së Stambollit, në krye të së cilës ishte Samiu, Naim Frashëri braktisi vjershërimin persisht dhe iu kushtua letërsisë shqiptare. Poema e tij e parë e re ishte Shqipëria (1880, botuar më 1897), që entuziazmoi patriotët shqiptarë. Në Stamboll Naim Frashëri ka qenë ndër botuesit kryesorë të revistës "Drita", më pas "Dituria" (1884-1885), ku u botuan shumë vjersha të tij, proza e vargje për shkollat e para shqipe që do të hapeshin, disa shqipërime të shkrimtarit. Ai shërbente si anëtar i Komisionit të Botimeve pranë Ministrisë së Arsimit, më pas si kryetar. Krijimtaria Më 1886 Naim Frashëri botoi poemën e tij të famshme Bagëti e Bujqësi, atë greqisht Dëshira e vërtetë e shqiptarëve (O alithis pothos ton Alvanon) dhe katër libra për shkollat: "Vjersha për mësonjtoret e para", "E këndimit të çunavet këndonjëtoreja", (në dy vëllime, me poezi, lexime të ndryshme, njohuri të para shkencore humanitare), si dhe një "Histori të përgjithshme". Më 1888 vijoi me "Dituritë" (ribotuar më 1895 me titullin "Gjithësia", - shkenca të natyrës). Më 1890 doli përmbledhja e lirikave Lulet e verës, pastaj "Mësimet" (proza patriotike dhe të moralit) dhe Fjala flutarake (vjersha) më 1894, së fundi më 1898 poema e madhe epike Historia e Skënderbeut dhe poema fetare Qerbelaja etj. Naim Frashëri u shqua për lirikën e tij patriotike me temë aktuale (vjershat "Gjuha shqipe", "Korçës" 1887, etj.), u këndoi me pasion të rrallë mallit dhe bukurive të atdheut ("Bagëti e bujqësia") dhe bëri thirrje të fuqishme për çlirimin e tij (krijime të ndryshme, "Dëshira e vërtetë e shqiptarëve"), si dhe për begatimin e vendit dhe një të ardhme demokratike të tij. Ai i këndoi natyrës, dashurisë (poema "Bukuria", një ndër kryesoret e tij, 1890), miqësisë, jetës intime (me brengën për të afërmit që bori). Poema "Historia e Skënderbeut"qe një kurorëzim i veprës së tij, "testamenti i tij politik e poetik", me grishje të hapëta për çlirim nga Turqia është shkruar sipas traditës së madhe barletiane. Në poemat epike ai u ndikua nga historitë e vjershëruara të Lindjes dhe nga bejtexhinjtë frashëriotë, po duke iu kundërvënë këtyre me shqipen e kulluar apo me shkarkirnin e dogmës fetare (në "Qerbelaja" dhe në veprat e tjera, që i hartoi për afrimin e elementit besimtar në lëvizjen kombëtare). Naim Frashëri u shqua edhe për poezinë meditative, nisi në shqipet poezinë filozofike (vjersha "Perëndia" 1890). Shkroi dhe proza për të vegjlit dhe bëri disa përshtatje mjeshtërore fabulash të La Fontenit. Botëkuptimi i Naimit ishte në thelb panteist e idealist. Me admirimin e madh që kishte për racionalizimin e Dekartit dhe si pasues i shquar i iluministëve francezë Volter, Ruso, etj., me besimin e plotë në shkencat dhe në rolin e tyre revolucionar në shoqëri (pranimi i teorisë Kant-Laplas dhe i darvinizmit, që i propagandoi me guxim të madh për kohën), me demokratizimin e tij dhe antimonarkizmin, besimin në aftësitë e pashtershme të popullit të vet për të qëndruar, për t'u çliruar, për të vajtur përpara me hov, Naim Frashëri u bë një veprimtar revolucionar në tërë fushat, si shkrimtar, njeri i mendimit, njeri politik. E gjithë veprimtaria e tij letrare dhe kulturore ishte e lidhur ngushtë me çlirimin dhe përparimin e vendit, me çlirimin shpirtëror dhe ndriçimin e masave të popullit. Ai kishte besim të plotë në aftësinë e mendjes për të njohur realitetin e për të vënë në shërbim të njeriut njohjen e ligjeve të botës. Kërkonte arsimim për të gjithë, emancipimin e gruas, qeverisjen demokratike, të vendit (një "demokraci prej pleqet", pra të një ngjyre shqiptare), ngrinte lart vetitë e karakterit të shqiptarëve (besën, trimërinë, bujarinë), traditat kombëtare që nga lashtësia pelazgjike. Bënte thirrje për miqësi me fqinjtë në kushtet e respektit reciprok, shpallte dashurinë në gjithë popujt e racat, ngrihej me forcë kundër Megali Idesë e pansllavizmit, duke admiruar vetitë dhe kulturën e popujve të tjerë (poezinë përparimtare lindore, atë greke, latine, rilindjen evropiane, romantizmin evropian, prej të cilave dhe u ndikua). Naim Frashëri luajti, përkrah Samiut e pas Kristoforidhit, një rol themelor për shqipen e re letrare, të cilën e shkroi me një pasuri të veçantë fjalori e sidomos frazeologjike, duke u mbështetur kryesisht në gjuhën e popullit, e shkroi të pastër dhe bëri një punë të dukshme për pasurimin e saj, duke e ngritur atë në lartësinë e një gjuhe arti të zhvilluar dhe kulture. Ndikimi i Naim Frashëri, me gjallje të shkrimtarit dhe pas vdekjes, jo vetëm te shkrimtarët shqiptarë të kohës, por edhe të periudhës së mëvonshme, ishte i madh. Pas Çlirimit u vunë në pah dhe u çmuan gjerësisht meritat dhe vlerat e punës dhe të krijimtarisë së tij, përmes studimesh të ndryshme. Ribotimet e veprave të tij janë të shumta; përveç tyre janë bërë edhe disa botime kritike shkencore të veprave të Naimit. Emrin e Naim Frashërit e mbajnë shkolla dhe institucione të ndryshme. Për merita kulturore në Shqipërinë jepet urdhri që mban emrin e poetit kombëtar. Tituj të veprave
Tejhyjylat (Ëndërrimet, 1885) Shqipëria (1880, botuar më 1897) Bagëti e Bujqësi [1], 1886 Dëshira e vërtetë e shqiptarëve (O alithis pothos ton Alvanon) Vjersha për mësonjtoret e para E këndimit të çunavet këndonjëtoreja, (në dy vëllime, me poezi, lexime të ndryshme, njohuri të para shkencore humanitare) Histori të përgjithshme Lulet e verës, 1890 Mësimet, (proza patriotike dhe të moralit) Fjala flutarake, (vjersha) 1894 Historia e Skënderbeut, (poemë epike) 1898 Qerbelaja (poemë fetare) Perëndia, 1890 Fjalët e Qiririt (publikuar për herë të parë në numrin e parë të rrevistë "Drita")
Mirënjohje
Një numër i madh shkollash të niveleve të ndryshme në territoret shqiptare e mbajnë emrin "Naim Frashëri". buste e monumente tjera të figurës së "Naim Frashërit". libra mbi dhe për krijimtarinë e Naim Frashërit. Me mijëra fëmijë janë pagëzuar me emrin "Naim" në shenjë të shprehjes së adhurimit të prindërve të tyre. Emrin përkëdhelës i përdorur nga populli dhe intelektualët : Naimi.
Ndërkombëtare Busti i Naim Frashërit në Bukuresht
Edituar për herë të fundit nga Gashi në 6th October 2011, 13:02, edituar 1 herë gjithsej | |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Naim Frashëri 3rd October 2011, 17:51 | |
| Fjalët e Qiririt
Në mes tuaj kam qëndruar E jam duke përvëluar, Që t'u ap pakëzë dritë, Natënë t'ua bënj ditë. Do të tretem, të kullohem, Të digjem, të përvëlohem, Që t'u ndrinj mir' e të shihni, Njëri-tjatërin të njihni. Për ju do të rri të tretem, Asnjë çikë të mos mbetem, Të digjem e të qanj me lot, Se dëshirën s'e duronj dot. Unë zjarrit nuk i druhem Dhe kurrë s'dua të shuhem, Po të digjem me dëshirë, Sa të munt t'u ndrinj më mirë. Kur më shihni se jam tretur, Mos pandehni se kam vdekur; jam i gjall' e jam ndë jetë jam në dritët të vërtetë, Unë jam në shpirtit tuaj, Mos më kini për të huaj, M'është falurë durimi, Andaj po digjem si trimi, Se ma k'ënda t'u bënj mirë, Të mos mbeti n'errësirë. Jakëni rreth meje rrini, Flisni, qeshni, hani, pini, Në shpirt kam dashurinë, Pa digjem për njerëzinë, Lemëni të përvëlohem, nukë dua më të ftohem, Dua ta djek trupn' e shkretë Për atë zotn' e vërtetë. Me zjarr ta djek mushkërinë E të tretem për njerinë, Bashkë me gëzimt të tija të vete te perëndia. Unë dua njerëzinë, Mirësin' e urtësinë, Në bëhi shokë me mua, Në më doni si u dua, Njëri-tjetërin në doni, Të paudhë mos punoni. O zëmëra fluturake, Qasju pakë kësaj flake! Mase krahët t'i përvëlon, Po dhe shpirtin ta shënjtëron. Unë duke përvëluar, Njerëzit i kam ndrituar. Kam qënë mik me njerinë, Andaj i di e më dinë. Gjithë tuajt' i kam parë, Mëm' e at' e fis e farë, Si tani gjithë i kam ndër mënt, Që rrininë më këtë vënt. Edhe sot nër ju ata shoh, Se shpirtin e tyre ua njoh, Dhe unë si ju jam ndruar E jam përzjer' e ndryshuar, Pa jam bërë shumë herë Zjar e uj' e balt' e erë. Jam një shkëndijë pej qielli dhe një drudhëzë pej dielli. Edhe ndër qiej fluturonj, Edhe brënda në det qëndronj, Shumë herë fle në baltë, Diku ndodhem dhe në mjaltë Bënem qëngj e kec i pirë, Lul' e bar e gjeth i mbirë. Dua shumë fjalë t'u them, Po trëmbem mos i bënj ujem. E ku shkruhenë në kartë Fjalët' e gjuhësë zjarrtë? | |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Naim Frashëri 3rd October 2011, 17:51 | |
| Në Dashtë Zoti
Nastradini ish qetuar Dhe po rrij duke mejtuar; Po përnjëherë u zgjua, Së shoqes i tha: "O grua, Nesërë jam për në veshtë, Se s'kam vatur këtë vjeshtë, Sindëkur vinja qëmoti." Plaka tha : "Në dashtë zoti." Nastradini i tha : "Unë S'e këllas zotnë në punë, E shoh vetë punën time, E nuk e vë nër mundime, Që të doj' a të mos dojë, Se nukë më flet me gojë." Kështu the, o jetëgjatë! Papo u ngrite me natë, More shportat e gomarë, Po s'të vate udha mbarë! Për rrush del njeriu i mjerë E sjell shkarpa shumë herë. Gjithë bota po punonin E udhëtë po ndrejtonin. Nastradinë kur e panë, E zun' e më nuk e lanë: Gjithë ditën gur' i gjori Mbajti edhe pagë s'mori. I këputur, i drobitur, I lodhur, i kahënitur, Natën në t'errët u kthye, Me pluhurë mbi qyrdye! Erth më der' e trokëlliti, E shoqja nga shkalla zbriti, Tha : "Kush ësht' aty më derë?" Pa tha Nastradin' i mjerë: "Në dashtë zoti, jam unë, Që vajç' e s'bëra dot punë!" Pa më nesëret një fqinjë, Q'ish i varfër e pa linjë, Erth e i kërkoi gomarrë, Duke thënë ca më parë: "Jemi pa buk' e pa ngrënë, Në mulli drithë kam shpënë, Gjer më tani është bluar, Po s'kam kafsh', o i uruar." Nastradini, pa mejtuar, Tha : "Për dru e kam dërguar, Ka vaturë që me natë, I varfëri veshgjatë." Ajy tha "e kam dërguar", Gomari palli në quar! Fqinja tha : "Pse më gënjeni, Të drejtënë s'ma rrëfeni? Ja se ku pëllet gomari, Qysh e ka marë druvari!" Nastradini tha : "S'kam parë Kshu, të besojnë gomarë! Me fjalën time s'je nginjur, Që jam sot plak e i thinjur, Po dëgjon gomarrë ç'thotë, Q'është pa mënt e flet kotë. Njeriu që dëgjon gomarrë, S'e ka punën mbroth e mbarë." Kështu tha, po të vërtetën E thosh gomari, të shkretën. | |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Naim Frashëri 3rd October 2011, 17:51 | |
| Falja
Zot i math e i vërtetë Që kreve ç'shohëm në jetë, Edhe të tjerë që janë Pa funt pa krye pa anë, Edhe kudo je ti vetë, Syri yn tekdo shikon, Që nga lint e gjer tek perëndon, Më çdo vënt të sheh fuqinë, Urtësin' e madhërinë, Falna gjithë mirësitë, Epna dituri e dritë, Tregona udhën' e mirë, Mos na lerë n'errësirë, Dhurona gjithë të mirat, Mërgona nga të pështirat.
Zot! falna vëllazërinë, Dashurin' e miqësinë, Epna dëshirë të msojmë, E të mirat të punojmë, Bëna të but' e të qetë, E të urt' e të vërtetë, Jetënë ta trashëgojmë. | |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Naim Frashëri 3rd October 2011, 17:52 | |
| Emri i Zotit
Zot i vërtetë, Bota e tërë Gjithë ç'ke bërë E ç'ka në jetë Të gjitha ç'janë Yje dhe diej, E dhé e qiej, Një gjuhë kanë, Që thotë emrin tënt! Ngado që shikonj, Atë emër dëgjonj. E shoh më ç'do vënt. Dheu, që rrimë ne, Duke mbleruar, E kam dëgjuar, Që thotë se ç'je. Yjtë me dritë, Duke kërcyer, E duke kthyer, Nat' edhe ditë, Re me gjëmim Zoqtë me fjalë, Deti me valë, Lumi me rrëmbim Lulja me erë, Dhe me bukuri, E me mituri, Kur çel në verë, Emrin tënt thonë, Ty të tregojnë E të lëvdojnë, Ty gjithë monë! Po njeriu, o Zot! S'ta di emrin tënt, Se s'gjendet me mënt. Ah! S'e thotë dot; Njeriu nukë munt, Se gjuhë s'i dhe Që të thotë ç'je, O fuqi pa funt! Dielli kur del, A tek perëndon, Zogu kur këndon, E gjethi tek çel, Bukur tregojnë, Emrin që ke, Rrëfejnë ç'gjë je, Dhe më gëzojnë. Në gjithë botë Vetëm njeriu s'di Rri si çilimi E s'mundet ta thotë! Me zë të zjartë, Donja të flisnja, Edhe t'i grisnja, Retë si kartë, Si vetëtima; Apo si lumi, Që s'e zë gjumi, Me oshëtima! Falmë nga togu Q'është e ç'shohëm Nga gjithë ç'njohëm, Zën' e një zogu, Të rri më një vënt, Edhe më lerë, Të them një herë, Një herë emrin tënt. | |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Naim Frashëri 3rd October 2011, 17:52 | |
| Ujku dhe Qengji
Ujku pa fe Erth në kope Dhe, si s'pa qën, U fut nër dhën, Një qënq zuri Zëmërguri. Qëngji i tha: "Ore vëlla? E po përse? As më rrëfe Se ç'faj të kam? I vogël jam." Ujku i tha: "Do të të ha! A e mba mënt Më këtë vënt Kur më shave? Më the xhave!" Qëngj' i thotë: "E ke kotë, Unë sivjet Jam përmbi dhet." "Mase, i tha, Qe yt vëlla." "Vëlla, tha, s'kam, I vetëm jam." "Fort mir', i tha, S'paske vëlla, Po jot ëmë Ç'pati prëmë Që më qërtoi E më kallëzoi? Do më zinin, Të më vrinin!" Qëngji i tha: "Dy muaj ka Që s'më rron më, Ah, ah, im më!" Dhe s'duroi dot, Po qau me lot. "E yt atë, Një brigjatë, Më pat vrarë Mon' e parë," Tha makuti, Shpirtladuti, Dhe më s'mënoi; Më s'e mundoi, Po posht' e vu Edhe e zu Nga lëfyti Edh' e mbyti, Se të ligut, Zëmërshtrigut, Nuk i vjen keq Për një që heq. | |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Naim Frashëri 3rd October 2011, 17:52 | |
| Korça
O vëllezër shqipëtarë, Gëzohi që erth kjo ditë Kaq' e mir'e kaq'e mbarë, Që sjell gjithë mirësitë!
Kjo është një dit'e rezë, Që bie vëllazërinë E dëbon jetën e zezë Dhe ndarjen e marrëzinë.
Ta lusimë këtë ditë, Q'e bekoi zot'i vërtetë Dh'e dërgoi me shumë dritë, T'i mbes'emëri përjetë.
Sot e vumë gurr'e parë, Sa'ësht'e bekuar kjo ditë! Zot'i math e pruftë mbarë E na dhëntë urtësinë!
Hapu, hapu, errësirë! Pa jakë tëhu, o dritë! Se arriti koh'e mirë, U gdhi nata, u bë ditë.
Sot niset një tjatrë jetë, Të rremenë posht'e shtije, Mbretëron fjal'e vërtetë, Dhe të mirat gjith'i bije.
Zot'i math qoft'i lëvduar, Q'e nxjer në shesht të vërtetën, Se ajo si ka buruar, Pa e ndritur jetën.
Lumja ti, moj korç'o lule, Q'i le pas shoqet' e tua! Si trimi në ball'u sule, Ta paçim përjetë hua!
Kushdo që është sot burrë Dhe shqipëtar i vërtetë, Emëri s'i shuhet kurrë Dhe nderi i rron përjetë.
Gjuha jonë sa e mirë! Sa e ëmblë, sa e gjerë! Sa e lehtë, sa e lirë! Sa e bukur, sa e vlerë!
Kjo ë'shtë mëm' e mirësisë, Që bije qytetërinë, Gazthin e vëllazërisë, Njerëzin' e miqësinë.
S'jemi grekër as bullgarë, Asgjë tjetër nukë jemi, Jemi vetëm shqipëtarë, Ne kët'emër nder'e kemi.
Ky emr' është shum' i mirë, Se më s'jemi të gënjyer, Nukë jemi n'errësirë, E njohëmë gjën' e vjyer.
Perëndia na e lëntë Përjetë ta trashëgojmë, Edhe kurrë mos e dhëntë Ta humbim e ta harrojmë!
Të lemë mëmënë tënë E të marimë një shtrigë! Zoti mos e pastë thënë! Pun'e keq'e shum'e ligë.
O, sa qenë të gënjyer Ata që vuan për botë! Turp të math kanë rrëfyer, Punuanë fare kotë.
Pa mejtoni, o të gjorë, Efialtin, Pafsaninë, Që u bënë trathëtorë Dh'e gjenë me perëndinë.
Nga gjithë ç'kemi kënduar Për të njohur vetëhenë, Kaqë gjë kemi mësuar, Të nderojmë mëmëdhenë.
Se njerëstë gjithë vdesin, Po jeta s'mbetet e shkretë, Gjuha, mëmëdheu mbesin Të patundurë përjetë.
Me zëmërë të gëzuar Dhe me gjithë shpirt uroni! Zotërinjt' e zotëruar, Gjithë përnjëherë thoni:
Rroft' e qoftë Shqipëria Dhe kombi e gjuha jonë! Lulëzoftë dituria, Edhe ndihmës paçim zonë. | |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Naim Frashëri 3rd October 2011, 17:53 | |
| Gjuha Jonë
Vëllezër shqipëtarë! Të prekim urtësinë, Të zëm' udhën e mbarë, Të ngjallim Shqipërinë.
Shqipëria ka qënë Edhe po do të jetë, Po sot në ditët tënë Të metë të mos ketë.
E ka nderuar zoti Gjithënjë Shqipërinë, Ish fort mirë qëmoti, Do bëhet dhe taninë.
Sa ishte trimëria N'atë kohë të vjetrë, Kish emrë Shqipëria, Sa s'kish nonjë vënt tjetrë.
Sa burra kordhëtarë Ka nxjerrë Shqipëria Më pastaj e më parë, Q'i shkruan istoria!
Ajo ish koh' e zjarrtë Dhe kish mundime tepër, Po sot pëndë dhe kartë Na duhet, nukë tjetër.
O burra, shqipëtarë, Të marrim dituritë, Se s'është koh'e parë, Tani lipsetë dritë.
Të shkruajm' gjuhën tënë, Kombinë ta ndritojmë, Gjithë ç'është e ç'ka qënë Ngadalëzë ta msojmë.
pa shihni ç'gjuh' e mirë! Sa shije ka e hije, ç'e bukur'edh'e lirë, Si gjuhë perëndie.
Shum'e bardhë kjo ditë Për gjithë shqipëtarët, Do na sjellë një dritë, Që s'e kishin të parët.
Kjo dritë do na bjerë Të gjitha mirësitë Dhe gjithë do t'i ngrerë Dëmet e marrëzitë.
Si lum kush zë të mbjellë, Lum kush vë këtë pemë! Se kjo ka për të pjellë, S'mbulohetë me remë. | |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Naim Frashëri 3rd October 2011, 17:53 | |
| Tradhëtorëtë
Shokë, kemi në mest tënë Shum' armik' e trathëtorë! Popo! mos u qoftë thënë! Veç që s'kanë gjë në dorë.
Harruanë mëmëdhenë Dh' e lanë kombinë tënë E një tjatërë na gjenë! Popo! mos u qoftë thënë!
Lanë zonjën e lëvduar E zunë një kurvë shtrigë, Të ndyr' e të mallëkuar, Të fëlliqur e të ligë.
Lanë mëmën të xhveshur Dhe mundohenë për botë, Pa dhe bota duke qeshur U thotë: mundohi kotë!
Qysh u bënë Efialtë E nuk e njohin të mirën, Uthullën pandehin mjaltë Edhe dritë errësirën!
Buk' e mëmëdheut zëntë Tradhëtorët e pabesë! Dhe Zoti dërrmën u dhëntë, Kurrë mos paçinë pjesë!
Miqt' armiq i kanë bërë, Armikëtë miq i zunë, Qysh janë fyell të tërë! Ç'është kjo e madhe punë!
Fajn' e math kur do ta njohin Njerëzit e mallëkuar? Dritënë pse nuk e shohin, Apo janë të verbuar?
Janë së gjithash të marrë Dhe të liq me të vërtetë, Mëmëdheut bëjnë varrë, Po do të bienë vetë,
Se mbretëron e vërteta, S'del kurrë gënjeshtr' e shkretë T'ish ashtu, qe prishur jeta, S'kish mbetur gjë e vërtetë.
Ata turpinë fitojnë, Nder' e tyre posht' e hedhin Dhe armikëtë gëzojnë E në errësirët bredhin.
Nuk është kurrë haruar Dh'e mira dh'e lig' e shkretë, Të gjitha janë paguar, S'ka mbeturë gjë në jetë.
Lerini, pa do ta gjejnë, Të vërtetën do ta njohin, Se tani s'e dinë ç'bëjnë, Janë të verbër e s'shohin.
O, popo ç'turp kanë marrë! Janë bërë tradhëtorë Dhe s'janë më shqipëtarë, Se nga kombi hoqnë dorë.
Me të huajnë u bënë, Me armikn' e Shqipërisë, S'duanë gjuhënë tënë Armikët' e Perëndisë!
Ndjej, o Zot, se nukë dinë Se ç'bëjnë, janë mahnitur, Rrahin të prishin shtëpinë Pun' e lig' edh' e mërzitur.
Të gjorët janë në gjumë, Të vërtetënë s'e dinë, Do të mundohenë shumë, Pasdaj mënttë do t'u vinë.
Vëllazërin' e harrojnë Dhe kombin e mëmëdhenë, Dhe armikëtë dëgjojnë Edhe s'dinë se ku venë.
Hiqni dorë, hiqni dorë! Mblithni mëntt' e tupërohi, Mos u bëni trathëtorë, Se pasdaj do të pendohi. | |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Naim Frashëri 3rd October 2011, 17:53 | |
| Mejtimi
Rri mejtohem shumë herë Tek perëndon yll'i zjarrtë, Edhe hapetë një derë, Soje rrjeth një drit' e artë. Retë, nga pak' e nga pakë, Marrën një tjatër fytyrë, Bënenë të kuqe flakë, E deti ndrin si pasqyrë. Oh! sa të bukura janë Fushatë që gjelbërojnë, Qiejtë që s'kanë anë, Luletë që lulëzojnë, Zoqthitë që flasin belbër E fluturojnë ndë erë, Pyll'i veshur më të gjelbër, Deti i qet' e i gjerë, Lumi që nxjerr oshëtimë, Që bubullin nëpër male Dhe ikën me fishëllimë Nëpër fusha me ngadale, Brigjet' e veshurë me bar, Me lule, me gjeth, me fletë, Rrahurë n'ergjënt edhe n'ar, Ahu me krye përpjetë! Më çdo kënt edhe më çdo vis E më çdo çuk' e çdo brinjë Shoh një plep, një vith a lis, Një qarr, një bush, një dëllinjë. Hap sytë dhe përqark shikonj Fushë, limë, brigje, male, Edhe të shkuarat kujtonj Një nga një, dalengadale. Për ata që janë ndarë Prej nesh, që rrinim gjithë tok Edhe më s'i kemi parë, Që i patmë shpirt edhe shok, Zëmëra më përvëlohet Edhe them vallë ç'u bënë, Kur shoh që koha po ndrrohet Dhe të mugëtit ka rënë, Po rrjeth nëpër hapësirë Edhe sa vete po shtohet, Lint nata me errësirë, Dheu e qielli ndryshohet. Kështu rrotullohet moti, Yjt' e hëna sytë hapin Dhe pas nomit q'u vu Zoti S'rrinë, po gjithënjë çapin. Lumi me një psherëtimë Ikën edhe vete në det, Dëgjohet një bubullimë, Që përhapetë përmbi dhet. Duke shkuar dit' e net, E duke ndërruarë moti, Vemi si lumi në det, Nga Zoti, prapë te Zoti.
| |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Naim Frashëri 3rd October 2011, 17:54 | |
| Zonj' e Fatit
O moj plaka lozonjare, Që ndjek fatn' e njerëzisë Dhe mas' e peshë s'ke fare, Po me shkop të marrëzisë.
Moj po me ç'sy e me ç'faqe Më qasesh prap' e më çfaqe?
Të shoh që vjen posi hije Ngadalë si qën i qetë Edhe hi syvet më shtije, T'u thaft' ajo dor' e shkretë!
Ata sy të zgurdulluar T'i shoh, o e mallëkuar!
S'je e verbërë, si thonë, Që s'sheh, s'di se ç'bën në jetë, S'je e shurdhër, pasha Zonë! Dëgjon posi djalli vetë.
Po je e keqe dhe shtrigë, E pabes' e zëmërligë.
Ti fjalëtë i ke kthyer, Prandaj na ke përvëluar, A, popo, ç'na ke gënjyer! Njeri s'të ka trashëguar.
Dhe kur ndrin, ndrin si lugati, Prandaj s'të ka qëndrim fati.
Jakë, se jam dëshëruar E më s'e duronj dot vrerë, Qesh, mos rri e zëmëruar, Makar për një copë herë.
Qesh një herë, o leshrakrënde, Me të qarë nuk u dënde? | |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Naim Frashëri 6th October 2011, 12:52 | |
| Perëndija
Rri mejtohem shumë herë Tek perëndon yll'i zjarrtë, Edhe hapetë një derë, Soje rrjeth një drit' e artë. Retë, nga pak' e nga pakë, Marrën një tjatër fytyrë, Bënenë të kuqe flakë, E deti ndrin si pasqyrë. Oh! sa të bukura janë Fushatë që gjelbërojnë, Qiejtë që s'kanë anë, Luletë që lulëzojnë, Zoqthitë që flasin belbër E fluturojnë ndë erë, Pyll'i veshur më të gjelbër, Deti i qet' e i gjerë, Lumi që nxjerr oshëtimë, Që bubullin nëpër male Dhe ikën me fishëllimë Nëpër fusha me ngadale, Brigjet' e veshurë me bar, Me lule, me gjeth, me fletë, Rrahurë n'ergjënt edhe n'ar, Ahu me krye përpjetë! Më çdo kënt edhe më çdo vis E më çdo çuk' e çdo brinjë Shoh një plep, një vith a lis, Një qarr, një bush, një dëllinjë. Hap sytë dhe përqark shikonj Fushë, limë, brigje, male, Edhe të shkuarat kujtonj Një nga një, dalëngadalë. Për ata që janë ndarë Prej nesh, që rrinim gjithë tok Edhe më s'i kemi parë, Që i patmë shpirt edhe shok, Zëmëra më përvëlohet Edhe them vallë ç'u bënë, Kur shoh që koha po ndrrohet Dhe të mugëtit ka rënë, Po rrjeth nëpër hapësirë Edhe sa vete po shtohet, Lint nata me errësirë, Dheu e qielli ndryshohet. Kështu rrotullohet moti, Yjt' e hëna sytë hapin Dhe pas nomit q'u vu Zoti S'rrinë, po gjithënjë çapin. Lumi me një psherëtimë Ikën edhe vete në det, Dëgjohet një bubullimë, Që përhapetë përmbi dhet. Duke shkuar dit' e net, E duke ndërruarë moti, Vemi si lumi në det, Nga Zoti, prapë te Zoti. | |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Naim Frashëri 6th October 2011, 12:52 | |
| Dëshira
Zot! Sot Jam, Kam, Shoh, Njoh, Rronj, Shkonj; Kam gas Dhe flas E them Të kem Ditë, Dritë, Jetë, Vetë, Ah, dua, Që thua, Të mos vdes, Po të mbes Përjetë Të ketë Shpirti im Pa mundim Shëndenë Të jenë Me mua Sa dua. Sonte jam gjall', E jam mirë, Po kam dhe mall E dëshirë, Zot i vërtetë I gjithësisë! Të rronj përjetë Ndaj njerëzisë! Ti ke në dorë, Çdo gjë që të duash; Nukë je i gjorë, Arrin që të thuash; Pa bëhenë gjithë ç'dua, Po të më dëgjosh mua, Le të bëhetë thua, Dhe gjithë janë bërë! Atë që thua ti vetë, Zot i math e i vërtetë! Ajo bënetë në jetë, Edhe mbaronet' e tërë! Ti epi jetë njerëzisë, Shto e beko dhe bagëtinë, Se ti je Zot' i gjithësisë, Në dorëz' e ke mirësinë Njerëzis' epi jetë të gjatë, Mundimet fare nga jeta ngreji, Djepinë shkret' e lugënë thatë Mos e shih kurrë, po mbushur leri. Fal Dhe ep Gjithë ç'ke Nga të mirat, E të pështirat Hidhi tutje, A vari më ndonjë grep, A mbuloji më ndonjë mal, E lërë vetëm mirësitë, Fal edhe dritë e jet' e ditë Le të prehet gjithë njerëzija E të mos ketë kurrë të këqija; Ligësitë, djallëzitë e marrëzitë Le të mos rrojnë paskëtaj edhe një ditë Veç mirësija në këtë jetë të mbretëronjë, Urdhëri yt, puna jote, Zotth' i math e i vërtetë, E vërteta le të rronjë, gënjeshtra le të pushonjë Bëj si të duash, ç'të them unë Zot i vërtetë? Ti e di vetë!
| |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Naim Frashëri 6th October 2011, 12:52 | |
| Zogu dhe Djali
Një zok të bukur zuri një djalë, Ay po dridhej dh'e i thosh ca fjalë: "Nukë të vjen keq që jam i mitur, Si ti i vogël e s'jam dhe rritur? Jam bir i vetëm e mëma më pret, E kam lënë keq brenda në folet. Dheu me dëborë qjith' u mbulua, Më s'ka mbetur dhe gjëkunt pothua! Vuanj i gjori dit' edhe natë E s'gjenj dot asnjë druthë të thatë! E sheh sa u prish fort i shkreti mot, Urie vdiqmë, më s'durojmë dot, Zemërsë sime i lidhe gur, Po mëm' e zezë q'ësht' e sëmurë? Kërkonj e kërkonj, e kam që dije Që s'munt të gjenj dot gjëzë t'i shpije. Ah! kjo e keqe këtu më pruri, E gracka jote ra e më zuri!
Më pret im mëzë, si ty jot ëmë. Të mos t'i vete, ç'bënetë prëmë? Të zesthitë na, përse na ngini? Në punët tënë përse s'na lini? Kam dhe unë shpirt dhe dua të rronj, Të lëçinj, të breth, të los, të këndonj, Unë, që s'kam ment, {si thotë njeriu), Kujt i bëra keq? Ç'bëra un' i ziu? Le, mos më mundo, se Zoti të sheh, Të mirën' edhe të ligën' e njeh, E s'do të ligën, po do të mirën, Do butësinë, nuk' egërsirën, Të drejtënë do dhe urtësinë, S'do faqezinë e babëzinë, Mua të lirë më bëri Zoti përse me bën rob? Nga un, Ç'do ti?,.,. Fjalët' e zogut djali i dëgjoi, Qau edh' e puthi, pastaj e lëshoi. | |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Naim Frashëri 6th October 2011, 12:53 | |
| Te vegjelit
Lerini te gjithe te vijne Te vegjelit prane meje Ah, mos i beni te qajne Kurre te mos mallengjehen Syte ulur te mos mbajne Dhe te meken e te ndehen Por te qeshin, te nxitojne Te bredhin e te gezojne Te prehen e te kendojne E kurre te mos mendohen. Me vjen keq t'u mardhe dora e faqja bukuroshe Kur bie e shkreta debore Dhe kembeza vogeloshe Me k'ënda t'u mbaj ne duar....
N'ate sy kurre mos shtjere Lotin e hidhur e te shkrete Dhe mos e lere te bjere Po falu ne buzet, gaz Dhe ne sythit bukurine E rriti caze nga caze Duke u dhene urtesine. Epu jetezen e gjate Edhe mos i lere kurre Pa memeze e pa ate Dhe ne brenge e te semure s'mund t'i shohe te mallengjyer a te varfer a te mjere! Dhe te grisur e te shqyer kurre, kurre mos i lere! Falu gjithe miresite Te rrojen me nder ne jete te mesojne diturite Te behen te vertete Te nderojne memedhene Vlerat t'ja lartesojen Mbi gjithe boten ta ngrene Si lule ta zbukurojne!! | |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Naim Frashëri 6th October 2011, 12:53 | |
| Historia e Skenderbeut I
Këndo, ëngjëll, urtësinë Edhe gjithë mirësitë, Skënderben' e trimërinë, Q'i dha Shqipërisë dritë. Të lumtë goja, këndona, Me gjuhë t'ëmblë si mjaltë, Skënderben' e madh tregona, Trimnë burrë, Zotn' e naltë. Punëtë që ka punuar Kordhëtari i vërtetë, Kombinë duke nderuar Dhe Shqipërinë përjetë. Nga gjiri i Perëndisë Pa m'i sill nër mënd të mija, T'i ap dritë Shqipërisë Nga shpirt'i ndritshëm i tija. Ëngjëll i bukur, pa zbritmë, Dhe me dritët të uruar Shko përpara mej'e ndritmë, Të shoh gjithë ç'kanë shkuar. Që kur ngrehu gjithësinë Zot'i madh e i vërtetë, Ka bërë dhe Shqipërinë E shqipëtarët në jetë. Shqipëria kurdoherë Ka qënë shum' e lëvduar, Ka pasur burra të ndjerë, Trima t'urt' e të dëgjuar. Pati mbretër' e të parë Fort të mëntshim e të mirë, Burra, trima, shqipëtarë, Që kan' emrë të pavdirë. Ishte vënt' i Perëndisë Që së pari Shqipëria, Mëmëdheth'i urtësisë, Që del soje mirësija. Aleksandr'i Math e burrë, I cili s'pat shok në jetë, Nukë ka pasurë kurrë Dhe kurrë do të mos ketë Piro trimi e të tjerë Burra shumë të lëvduar, Që kanë qënë një herë, Edhe sot s'janë harruar, Qenë gjithë shqipëtarë, Ishin djemt' e Shipërisë, Nuk' ishin greq e bullgarë, Po nga vënd'i Perëndisë. Pirroja mundi romanët Armikët' e njerëzisë, Aleksandr'i Math persanët, Egërsirat e Azisë. Kë të zësh ngoje më parë Nga burratë e vërtetë, Q'ishin gjithë shqipëtarë, E s'u erdhi shok në jetë! Gjithë botën' e pushtuan, Afrik', Europ', Azi zunë, Lëftuan e mbretëruan, Nën' urdhërë gjith' i vunë. Edhe kur erdhë romanët, S'u shkel fare Shqipërija, As nga shqeht' e venetianët, S'e zu kurrë dobëtija. Shqipëtari në kurt s'hyri, S'e shpërnderoj Shqipërinë, Kurrë nukë ju tremb syri E nuk' e humbi fuqinë. Rrinte me kordhë në dorë, Shkrefëtinte si dragua Nëpër male me dëborë, E kurrë s'u qetësua. Armikët u dobëtuan, Shqipërija ngriti krye, Errësirat u mërguan, Drit' e Zotit u rrëfye. Nga të gjitha mbretëritë, Së Krujësë i dha Zoti Më shumë fuqi e dritë, Q'ishte mbret Gjon Kastrioti. Mbretëronte urtësija, Paqja, kamja, nderi, shpresa, Drejtësi e dashurija, Miqësija, besa-besa. Tek po gjëndej Shqipërija Në këto të mira kaqe, Që mbretëron mirësija Dhe ish në prehj'e në paqe, Kur nj' e madhe egërsirë, Duke dalë prej Asije, U përhap si errësirë, Dh'e mbuloi botën si hije. Ish një komb i mallëkuar, Në gjuhët kish dhelpërinë, Syn' e kish të egërsuar, Në zemërt kish djallëzinë Ngado vij e kudo shkonte, Zin' e gjëmënë po shpinte, Vriste, priste, varfëronte, Atje ku shkelte bar s'mbinte; Më nj'anë kishte fuqinë, Gënjeshtrënë m'anët tjetrë, Për të mbytur njerëzinë, Bënej her'ujk, herë dhelprë Përse s'dolli trimërija T'i prit gjurmën' egërsirës, Po vate mbroth ligësija, I zu udhënë së mirës. Ra më dett qytetërija, U ngrit si re errësira, U përhap mi dhet padija, Gjaku, vdekja, shkretëtira! Pa një zgjedh' e keqe shumë Gjithë kombet i mundojti, I la për djall e për lumë, Njerëzia mendje lojti.
Ish ver' e po qeshte moti, Lulet kishin lulëzuar, E mbreti Gjon Kastrioti Në fron rrij duke menduar. Pyjet ishin gjelbëruar, E bilbilëtë këndonin, Dhe bota gjith' e gëzuar, Djemt' e vashatë po lonin. Gjithë gjethet ishin celur, Faq' e dheut ish xbukuruar, Dhe qiell i përkëdhelur Ish si ergjënd i kulluar. Shqipëtarët të gëzuar E të gjithë burra, trima Edhe të lar' e të ndruar, Me armë si vetëtima. Vashatë bërë si pylli Nëpër sheshe po kërcenin, Sicila ndritte si ylli, E hënës i shëmbëllenin. Kur tfaqen njerës të huaj, Dalën në shesht disa vetë, Gjithë të hipur në kuaj, Po ngjiteshinë përpjetë. Të ndryshmë së gjithash ishin, Shtat, zakon, robë, fytyrë, Sjellj'e gjuhë tjatrë kishin, Qenë t'egrë si mynxyrë! Ne der' e pëlasës xbrinë, Shqipëtarë në shkallë Me miqësi shum' i prinë Dhe brënda në dhom' i kallë. Parësi e mbretërisë Me një nder të math i priti, Pas udhës së miqësisë Me fjalë t'ëmbël i gostiti. Të huajtë si u çlodhë Dhe djers e pluhurë fshinë, Dhe mëndjen më vënt e mblodhë, Se udha e loth njerinë, Dy më të parët, që qenë, Përnjëherë nxuar zënë, Thanë: "Duam pakë mbrenë, Diç i kemi për të thënë". Në dhomët të parësisë Hynë dhe mi from të lartë Panë mbretn' e Shqipërisë, Në dorë i dhanë një kartë. Këta ishinë në fjalë, Dita shkonte, nata vinte, T'errëtit' e mbuloi malë, Hëna dolli dhe po ndrinte. Prunë buk' e gjell e venë, Dhe ndenjnë në mësallë Të gjithë sa njerës qenë, Dhe vetë mbreti në ballë Hangërë ngadal' e pinë Dhe ndenjnë një copë herë, Më pastaj të gjith' u ngrinë, Gjithëkush vate të flerë. Nata dhe s'e kishte ngritur Atë pëlhurën e zezë, Hëna me sy të venitur Po perëndonte si rezë Yll'i mëngjezit po ndrinte, Dhe bilbilëtë këndonin, Vesa gjithënje po binte, E luletë lulëzonin. Mbreti u ngrit i helmuar Edhe e dërgoi njerinë, Shërbëtor e papërtuar, Mblodhi gjithë parësinë. Të mëdhenj edhe të parë Edhe gjithë pleqësia, Ç'qenë çel' e luftëtarë, E shumë nga vegjëlia, Në mbledhë të gjithë rrodhë Pas mënyrës së lirisë, Bashkë me mbrenë u mblodhë Si t'afërt' e të shtëpisë Gjithë burra të vërtetë Edhe nd'ar e n'ergjënt veshur, Shpirtmir' e trima të qetë, T'urt' e me buzë të qeshur. Në mest u ngrit Kastrioti, Tha: "Vëllezrë shqipëtarë! Një brengë na pruri moti, Pa do menduar më parë: Si mundimë të shpëtojmë Nga kjo brengë Shqipërinë, Duhetë të kuvëndojmë, Ndaj u kërkova taninë. Tyrqit duallë ng'Asia Edhe në Evropë erdhë Rrëmet, posi mizëria, E shumë gjakëra derdhë Nga Andrinopoja hynë, Muarrë dhe Grekërinë, Tani ndër ne kanë synë, Të na hedhin në greminë! Sa mbretrë të Shqipërisë, Si dhe të tjerët i mundi! Ra rrebesh i Perëndisë, Gjë të gjallë s'la gjëkundi! Ushtarëtë lëftuan, Për mëmëdhethin u vranë, Veç nja dy mbretrë shpëtuan, Në Romë ne Papa vanë. Murati, që s'na peshonte, Nga ne kërkon miqësinë, S'di ç'dhelpëri mejton sonte, Se po e njohëm Tyrqinë Më ngjan se po bën gatinë, Qytetn' e math rreh të marrë, { Kostandinopojën } E pas ati djajt' e dinë Kujt do t'i sulet më parë. Pas Romës' së re ka tjetrë Qëllim zënë që taninë, T'i derdhet Romës' së vjetrë, Të marrë dhe Italinë Dhe Lindjen dhe Perëndimnë Kërkon tejpërtej t'i zërë, Gjith' atje e ka qëllimnë, Botën' në dorë ta vërë. Sot për sot na ka nevojë, Andaj kërkon miqësinë, Pa ndryshe s'na flit me gojë, Gjithë bot'atë e dinë. Qëllimet i psheh Murati, Rreh e pandeh të gënjenjë, Ësht' i pshehtë si lugati, Po koha do ta rrëfenjë. Thotë q'është mik përjetë, Më s'do gjë nga Shqipëria, Po veç një penk do të ketë, T'i vendoset miqësia; Dhe për penk s'kërkon gjë tjatrë, Nukë sheh tjatrë nevojë, Po do djemt' e mi të katrë, Të rrinë n'Andrinopojë Pakë koh' atje të rrinë Me ata që t'i dërgojmë, Dhe të venë e të vinë, Sa herë që t'i kërkojmë Se froni pa zot në mbettë, Se po erthm' e do të vemi, Një e tillë në na gjettë, Vdekjen në dorë s'e kemi, Thotë se do t'i dërgonjë Më të madhë Shqipërisë, Pas meje të mbretëronjë Ndë udhët të miqësisë. Këto fjal' e thashetheme T'i thosh tjatrë, i besonja, Mbret i ndershëm s'flet të rreme, Fjalës së tij s'i dyshmonja. Me gjithë këto them unë Të bëhetë miqësia, Eshtë m'e mirë kjo punë Se të prishet Shqipëria, Them ta bëjmë miqësinë, Sulltanë kshu ta pushojmë, Pastaj të zemë gatinë, Luftënë ta prëmëtojmë, Se puna u kupëtua, Edhe fjala ësht' e bëre, Evropa tani u xgjua, Janë lidhurë të tërë. Përnjëherë mbretëritë Tyrqitë do t'i lëftojnë, U afëru'ajo ditë T'u bijem e t'i dëbojmë. Janë të fort e të shumë, Dhe fati u vete mirë, Vinë rrëmet posi lumë, Bijenë si egërsirë! Të bëhemi një me fqinjë Dhe me t'gjithë mbretëritë, E pastaj le të na vijnë, Si të mbarojmë gatitë, Pa djemtë neve i gjejmë, Le të rrinë të mësojnë, Kur të duam i rrëmbejmë, Gjësendi nukë pësojnë. Djemtë si shpirtin i dua, Po më shumë Shqipërinë Mos thoni q'u frikësua, Prandaj zuri miqësinë. Si vëllezërë tani thoni, Faqeza e si të lirë Atë që të kupëtoni Për të nderçim e të mirë." Mbreti fjalën' e mbarojti, Pastaj vuri re të parët, Një nga një gjith' i shikojti, Ata po i mir të qarët. Mbreti plak u hoq mënjanë, Pa u ngrit një trim më këmbë, Shikoi një her' anembanë, Hekurin' e haj me dhëmbë! Ish Kamani, q'ishte burrë, Më trim nga gjithë të parët, Nuk' i trëmbej syri kurrë, Pa e donin shqipëtarët; I holl' isht'e pak' i gjatë, Nukë kish shumë mustaqe, Vij si i zeshkët e i thatë E s'kish fare mish mi faqe; Kishte gjithë urtësinë, Me një zë të ëmblë fliste, Fjal' e tij e bint njerinë, Dhe gjuha hekur i priste. Mori kordhënë ndër duar E qëndroi në mest si burrë, Me fytyrë t'ashpëruar, Ngriti gishtin dhe tha: "Kurrë! Kurrë s'trëmbet Shqipëria, Nukë vdiq, po ësht' e gjallë, Tjatrë përgjegje Tyrqia Nukë do përveç me pallë! Shqipëtari, trim i vlerë, Kurrë nuk' u frikësua, E të trëmbet këtë herë! Mbret! o zotthi im, ç'më thua? Apo s'e dimë Tyrqinë, Nuk' e kemi dhe mësuar E s'ja njohëm djallëzinë, Gjer më sot që ka punuar? Na bën si miq këtë herë, Se ka të tjerë qëllime, Mos pandehni të na lerë Pa të këqij hidhërime. Mjerë! mjer' ajy i gjorë, Që i sjell besë në fjalë, Bije në lak e në dorë Edhe çpejt po s'mund të dalë. Mbret i ndershim dhe ju shokë, Mos haroni trimërinë, Mblithni mëndjenë në kokë, Ngrihi të zëmë kufinë. Trimëria, trimëria! Mban lirin' e mëmëdhenë, Unë shpreh te perëndia T'i hedhimë përtej denë. Qysh të zëmë miqësinë Me atë që na bën varrë? Turku vëndet, gjith' e dinë, Me ç'djallëzi i ka marrë Gjithënjë kështu punojnë, Kombet me lajka i ndajnë, Pa miqësin' e harrojnë, Dhe një nga një i përlajnë Kur ka armikë të tjerë, Të bën mik sa t'i volitnjë, A mbaroi ata njëherë? Prite, vjen të të goditnjë. Miqësirra të vërteta S'ka njeriu i pabesë, Përveç shpata dhe shigjeta, Ato janë për ne shpresë. Tjatrë gjah kërkon të zërë, Andaj rreh të na gënjenjë, Më atë krah të na vërë, Gjersa kohën të na gjenjë. Dhe s'ia dini dhelpëritë? Ka dy faqezë mësalla, Kshu rreh të fitonjë ditë me të këtilla përralla. S'e dini ç'kanë punuar Gjithë mbretrët' e Tyrqisë? Sa frone kanë rrëzuar Me lajkat të dhelpërisë? Ata djemthitë, që thoni, Janë shpres' e Shqipërisë, Me ç'sy e faqe kërkoni T'ia dërgoni penk Tyrqisë? Si të msojnë ligësitë E të mirat t'i harrojnë, Të çpikinë djallëzitë, Pastaj të na mbretërojnë? Do të marrënë zakonet E këqija të Azisë, Pa njeriu si të mësonet, Më s'i ndahet djallëzisë. Si të rriten nënë xgjedhë, Nukë bënenë të lirë, Pastaj s'e hodhëm dot ledhë, Po mejtohi që sot mirë. Ata duhet të mësojnë, Të bëhenë të vërtetë, Të lëftojn' e të gjykojnë Pas nevojës që të jetë. Unë gjall e me të gjallë S'munt të bënem aq' i gjorë, A e shihni këtë pallë? Do të vdes me të në dorë! Se turpin e Shqipërisë S'e shoh dot me sy në jetë, Dhe miqësin' e Tyrqisë kurrë s'e zë të vërtetë Trimëri në mos na mbeti, E më s'jemi shqipëtarë, Të shuhet gjithë rremeti, Se kjo 'shtë pun' e pangjarë! Një komp më mirë të vdesë E kshu të mos dobësohet, Gur mbi gur le të mos mbesë Dhe mëmëdheu të shkretohet! A gjall e me nder të rrojmë, Apo në luftë të vdesim, A mëmëdhenë shpëtojmë, A mbi të më të mos mbesim! Ç'kuvëndoni? Pa mejtohi! T'i bënemi rop Tyrqisë? S'kini turp të turpërohi! Shtijem nder' e Shqipërisë! Pa ta bëjmë besa-besë E të mblidhet Shqipëria, Ahere le të na presë, Ta shihni ç'është Tyrqia. Të vdesëm a të shpëtojmë, Se kurti ësht' i keq shumë, Në xgjedhë s'mundim të rrojmë E në robëri për lumë! U përpoqnë prindit tanë, E ruajtnë mëmëdhenë Edhe neve na e lanë, Ashtu sindëkur e gjenë. Kush merr atë turp taninë Që të humbasë përjetë? Pastaj ata që të vinë Ta gjejnë, qoftë lark, shkretë! Tani, burra shqipëtarë, Pa kujtoni trimërinë, Sicili armët të marrë, E ta shohëmë Tyrqinë Delni, të dalëm të tërë, T'i përgjigjemi Tyrqisë, Pa e shihni si ta zërë Udhën' e mezit t' Asisë Dhe pastaj të mos kuxojnë Për këtej denë të hidhen, Po, edhe kur ta kujtojnë, Laqet' e gjunjët t'u dridhen. Sot duhetë trimëria, Nukë duhet më mentimi, Lark Shqipërisë Tyrqia, Pa tani duketë trimi! Sot neve në dor' e kemi T'i dëbojmë nga kufia, Pastaj kushedi si jemi, Mos të zëntë robëria! Kush ka shpirt prej shqipëtari, Si të parëtë që qenë, I bënet zëmra si zjarri, S'e do gjalljen e vet'henë. Këtë fjalë duke thënë, Erth' e mbyti mallëngjimi, Dhe më nuk e nxori zënë, Po u egërsua trimi. Fjalën përnjëher' e preu, E lottë çurkë iu derdhë, Të gjithë i mallëngjeu, Të tërëve lott' u erdhë. U hoq edhe ndënj mënjanë, I vrënjtur, i zëmëruar, Më nukë dëgjoj se ç'thanë, Po vuri kokën nër duar. Kshu the, o trim i vërtetë! Q'e donje fort Shqipërinë, Të ndrittë shpirti përjetë Qofsh bashkë me perëndinë. Gjithë çel' e parësia Që u gjentnë, me lot qanë, Mëndjen' e fjalët e tija Të pëlqyera i panë.
| |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Naim Frashëri 6th October 2011, 12:54 | |
| Historia e Skenderbeut II
Në mest t'ati mallëngjimi, Që vij posi vetëtima, Po dëgjonej si gjëmimi Zëri i burravet trima: "Luftë, luftë me Turqinë," Thirrë gjithë menjëherë, "Nuk e duam miqësinë, Atë dëshirë ta ngrerë." Ata kuajt e harbuar Kur ngridhen' e hingëllijnë Dhe me sy të egërsuar Qysh vështrojn' e shkrefëtijnë, Ashtu shqipëtarët trima, Njëri-tjatrinë shikonin Me vështrim si vetëtima, Edhe vdekjenë kërkonin. Kur u ngrit një plak i vjetrë, Që kish par' e kish dëgjuar Dhe ishte me rradhë tjetrë Nga vërsa q'e kish të shkuar, Leshbardh' ish e mëndjegjerë Edhe shumë gjith' e donin, Të tërë i bënin nderë E fjalënë ja dëgjonin. Ish Pepë Tushan'i ndjerë Që çdo punë e mbaronte, Ishte plak mi pleqt' e tjerë, Ajy gjyqet' i shikonte. Tha: "Zotërinj, më dëgjoni? T'u them dhe unë dy fjalë, Pastaj bëjmë si të doni, Po mos e merrni me valë. Shumë herë trimërija Sjell shpëtim, ësht' e pëlqyer, Po herë dhe urtësija Është m'e mir' e m'e vyer; Gjithë bota mir' e dinë Shqipëtarë q'është burrë, E ka pasur trimërinë Edhe nuk' e harron kurrë Mos pandehni q'unë dua Për shqipëtarë të thonë: "Këtë her' u frikësua, E s'lëftoj si pat zakonë!" Po turqitë sonte janë Të shumë si mizërija, Fuqi të pasosur kanë, I përmbystë Perëndija! Them që djemtë t'i dërgojmë Dhe të zëmë miqësinë, M'anët tjatrë të qëndrojmë Të bëjmë gjithë gatinë. Njerës të mënçim të çojmë T'i bindimë mbretëritë, Pa shere të lëftojmë, Si të bashkojmë fuqitë Neve sot për sot Turqinë Duhet ta vëmë në gjumë, Sa të bëjmë shoqërinë, Si trimi me shokë shumë, Ahere pra trimërija Ka kohënë të tregohet Edhe shpreh te Perëndija, Shqipërija të nderohet, Djemtë tanë le të venë, Gjersa të bëjmë gatinë, Zoti t'u apë shëndenë, Pa prapë këtu na vinë." Kështu tha me mendim plaku Që ishte shumë i vuar, I ishte ftohurë gjaku, Ditë të shuma kish shkuar. Manushi fjalën ja preu, Tha: "Tani le të mbarojmë", Pa i tha dhe mbretit: "Ngrehu, Nesër prapë kuvendojmë." Neve fjalët po i themi E punën të bër' e zëmë, Po në dorë nuk' e kemi, Mbretëresha q'është mëmë, Ajo munt në këtë punë Të apë bashkë me mbrenë Një funt të mirë, them unë, A të ven' a të mos venë. Jakëni tani të vemi Të huajtë t'i nderojmë, Me ta ca fjalë të themi E pakë kohë të shkojmë Njeriu në vënt të huaj Shpirtin' e ka të brengosur, I duketë dita muaj, E pandeh që s'ka të sosur." Kështu tha plaku Manushi, Se pleqtë kshu e mentonin Po të rinjt' ishin si prushi, Këto fjalë s'i dëgjonin. Mbreti u ngrit menjëherë, Tha: "Nesër mblidhemi prapë, Mentohemi gjat' e gjerë, Gjithëkush shortënë t'apë." Pa duallë të menduar, Gas në zëmrë nukë kishin, Ishin si të zëmëruar, Sikur s'qen' ata që ishin. Nata me rrobet të zezë Po tfaqej në hapësirë, Dritat' e qiellit u ndezë, Dukeshin si ar i grirë. Zogjthitë zunë foletë, Vetëm bilbili këndonte, Nata me t'errët e qetë Mal'e fusha po mbulonte. Mbrenë gjumi nuk' e zuri, Po rrij në roba i xgjuar, Mentohej e psherëtinte Me zëmrë të përvëluar. Nga të vij i shkreti gjumë, Që mentimetë i shkonin Nëpër mënt të ti si lumë Edhe nga syt' i mburonin. Kur yll' i ditësë dolli, T'errëtit humbi si vesë, Dritën në vënt të ti solli, Nukë duroi më në shtresë. Mbreti me një rënkim ngrihet, Pa zë e lan sy e duar Dhe vishet' e përsëritet, Pa vete duke shpejtuar. Mbretëresha ishte ngritur Dhe ish veshur e ish ngjeshur, Posi nuse përsëritur, Punonte llërëpërveshur. Ishte shumë punëtore Edh'e urt' e e xgjuar, Për çdo pun' i vinte dore, Ish' e mir' edh'e lëvduar. Pesë vasha bukuroshe Edhe shërbëtore tetë, T'i shihnje, janë yj, thoshe, Edhe ajo hëna vetë. Vashatë si pëllumbesha Rrotull' e kishin rrethuar, Edhe në mest mbretëresha Rrij si lul'e lulëzuar; Me duar si pej ergjëndi Po punonin e mësonin, S'hiqeshin nga avlëmëndi E si thëllëza shikonin. Mbretëresha edhe vetë Kishte zënë e punonte, Pun' e saj ish pa të metë, Nga të tjeratë ndërronte. Ishin ëngjëj ato vasha, Kishin leshëra të arta, S'ishin si lisi të trasha, Faqet i kishin të zjarta. Mbreti gjëkundi kur vinte, Mbretëresha mbretëronte, Po edhe aty kur rrinte, E pyette dh'e dëgjonte. Gjoni nër gra posa hyri I ngrehurë posi gjeli, Të gjitha me radh' i qyri Dhe vashat i përkëdheli; Mbretëreshën' e zu pej dore Dhe i tha: "Të dua pakë", Dorën, q'e kish pej dëbore, I zuri dhe i tha: "Jakë". Ajo me re e shikojti Dhe, sado q'e pa të qeshur, Hidhërimn' e kupëtojti Dhe u ngrit llërëpërveshur. Me të hyrë në të ndarët, Dorë pej dore u zunë, Duke thënë me të parët Mbreti të shkretënë punë Mbretëreshës liksht i erdhi, Kur e dëgjoi atë fjalë, E trëmbi shumë dh'e verdhi, Lott' i vanë si valë, Si dellëndyshet kur venë Me vrap t'arrijnë më parë, Po gjejnë prishur folenë Dhe zoqt' e tyre të vrarë! Asht'u mahnit mbretëresha, "Djemtë, tha do të dërgohen! Unë jetënë ç'e desha! Popo! të më largësohen! Qysh të duronj un' e zeza E të rronj pa ta në jetë? Kjo brengë pse ra si reza, Zot'i math e i vërtete?" Më pastaj të shoqt i thotë Me helm edh'e zëmëruar: "Është turp në gjithë botë, Kjo 'shtë pun' e shëmëtuar. Foshnjatë ne të dërgojmë Në një vënt fare të huaj E neve të dëshërojmë! Këtë fjalë mos e thuaj! Cila mëm' e cili atë Djemtë penk i ka dërguar? Punë fort shum' e mëkatë, Kurrëkush s'e ka punuar! Shpirtin' e ap, djemtë s'venë, Pa ta s'bën dot asnjë ditë, Dhe ata neve s'na lenë, S'bënenë kshu miqësitë! Djemtë q'i kam gjithënj' afrë, T'i dërgonj lark nga shtëpia, Të rin atje si të vafrë, Mos e dhëntë perëndia! Murati, mbret' i Tyrqisë, S'e di ç'është bir e bijë, S'ka pjesën' e njerëzisë, Dashuri s'ka në fëmijë Ajy do të mbretëronjë, Që të bënjë ligësitë, Të vrasë e të shkretonjë, Të derthnjë gjak nat' e ditë! Ah! moj Shqipëriz' e mjerë! Më të mbajtë perëndia, Mos të shtëntë ndonjëherë Zoti ndër duart të tija. Është prishës e shkretonjës, Është kafsh' e egërsirë, Është vrasës e mundonjës, Shpirterrët' e zëmrëkllirë." Kështu tha e zëmëruar Dhe mbrenë në syt e shihte, Dhe zëmër' e përvëluar Me fort e me vrap i rrihte, Kur ëngjëll' i urtësisë Në shpirtit të saj xbriti, Erth nga an' e Perëndisë Dhe zëmrënë ia trënditi. Mëndjen' e ktheu menjëherë Dhe tha: "Bëni si të doni, Ju mendohi gjat' e gjerë, Mua s'duhet të më thoni. Për shpëtimt të Shqipërisë E kam gas e nder në jetë, Ap fjalë ndaj perëndisë, S'pendohem dhe të mbes shkretë." Mori fjalënë dhe vate Mbreti, e më s'ndenj gjëkundi, Sindëkur u tha ndajnate, Fjalës' i doj dhënë fundi. Në mest shumë fjalë thanë Parësija që u mblodhë, Për paqë nevojë panë, Papo miqësinë zgjodhë, Të rinjtë shum' u përpoqnë, Se punën nuk' e pëlqyen, Më pastaj mënjan' u hoqnë Po mëndjenë nuk' e kthyen! Pleqësija dhanë shortë Të bëhetë miqësija, Po të zihet me të fortë M'anët tjatërë gatija, Gjithë kombetë të mblidhen Një ligë në mest të vënë, Me besa-besë të lidhen E turqitë t'i përzënë. Pastaj të gjithë u ngrinë E në të huajtë vanë Edhe bënë miqësinë Pas mënyrësë që thanë. Mbreti tha: "Tani ju shkoni, Pa djemtë ne i dërgojmë, Edhe sulltanit i thoni Që fjalënë s'e harrojmë." Të huajtë gjithë u ngrinë Si u bënë këto fjalë, Nga qyteti duke dalë. Ditët ishin duke shkuar, Vininë me vrap si lumi, I trumbull a i kulluar, Q'ikën e nuk e zë gjumi. Dit' e zezë afërohej Që të ndaheshin fëmija, Zëmëra po u helmohej Dhe shtëpin' e mbuloi zia. Mbreti një plak të besuar Dhe një plakë q'i kish rritur E i kish pritur ndër duar Dhe ish e mir' edh' e ditur, U nisi, dhe disa vetë, Mësimdhënas e të tjerë, Shërbëtorë shtat' a tetë, Të matur edhe të vlerë, Djemtë ishin të gëzuar Që të hipinë në kuaj, Si të mëdhenj e të çquar Të venë në vënt të huaj. Mbretëresha po mentohej E ndë mëntt gjë tjatrë s'vinte, Helmi i saj po i shtohej, Të tërë natënë s'flinte. Koh' e ndarjes u afrua, U mbaruanë gatitë, Edhe dita u shënua, Opopo! e zeza ditë! Mëma dhe motratë qanin Edhe djemt' i përqafonin, Gjithënjë pranë i mbanin, I puthnin e i pushtonin. Mbretëresha u helmua, Tha: "Ç'bëra e zeza unë! M'u shkurtoftë jeta mua! Qysh e bëra këtë punë! Si mi mori mënt e mija Zot' i math e i vërtetë, Të ndahem ngaha fëmija, Të mbes kërcure dh'e shkretë! E pata shkruar në ballë Këtë të shkretë mynxyrë, Të ndahem që më të gjallë Me të këtillë mënyrë! Vall' a do të mi dërgonjë Kurdoherë që të dua, A fjalën do ta harronjë, Të më digjet zëmra mua! Ah! kam frikë pej mynxyre! Mos nuk' i shoh më në jetë, E të vdes nga mall'i tyre, Ta lë dhe shtëpinë shkretë." Këto thosh dhe me lot qante, Mallëngjimi nuk e linte, Ngashërimënë s'e mbante, Dhe mëndj' e saj rreth i vinte. Ditënë që do të shkonin, Mbreti u ngrit që me natë, Gjithë bota lot lëshonin Edhe i varfëri atë Pastaj djemtë pran' i mori, I puthi e i qafojti, Psherëtiti fort i gjori, Lottë çurkë i lëshojti. U thotë: "Të silli mirë, Të bëhi njerës në jetë, Të mos mbetni n'errësirë, Po të jini të vërtetë, Nat' e ditë të këndoni, Çdo q'u duhetë ta dini, Gjithë gjuhët t'i mësoni, Po shqipenë mos e lini; Mirësit' e Shqipërisë I mbani, mos i harroni, Nga vetijat' e Asisë Ndruhi, mos i afëroni; Mëmëdhen' e kombin tuaj, Shtëpinë e njerëzinë Dhe atje në vënt të huaj T'i doni, dhe miqësinë Shqipëtar' e Shqipërinë Kurrë të mos i harroni, Kini dritë urtësinë, Çdo gjë me mënt ta gjykoni; Të bëhi trima të urtë, Të zottë të mbretëroni, Jo të marr' e mëndjeshkurtë, Ndaj duhetë të mësoni; Të bëhi shumë të ditur, Fjalëbukur' e të çquar, Shpirtdashur e mëndjendritur, Të mir' e të kupëtuar. Zoti e nderoj njerinë, I dha mënt që të gjykonjë, Të punonjë mirësinë, Të ligatë t'i mërgonjë Ruani nder' e shëndenë, Burrërin' e trimërinë, Kombin' edhe mëmëdhenë, Njerëzin' e mirësinë. Shqipëria jush ka shpresë, Edhe pret shumë të mira, Po të mbani juve besë, Nuk' e ha dot egërsira, Mësimet do t'u mësojnë Ato punëra q'u duhen Atyre që mbretërojnë E mbretrë të mirë quhen; U duhetë njerëzija, Zotërija e të tjera, Mirësija, trimërija, Gjithë vetijat' e vlera; Kombinë shumë ta doni, E si fëmijë ta kini, Me të drejtë të gjykoni E çdo punëzë ta dini; Dhe në brengë të mësohi, Dhe shpirtinë ta mundoni E kurrë të mos rëndohi Në doni të mbretëroni; Kini njohë të qëruar, Dhe ndjenja të larta shumë, Zëmër edhe shpirt të çquar, Mëndje pa lodhj'e pa gjumë." Kështu u tha i ziu atë, U fali udhën' e mbarë, I puthi, u dha uratë, Edhe u hoq duke qarë. Gratë gjithë psherëtinin, I luteshin Perëndisë, Prapë shëndoshë të vinin Prensërit' e Shqipërisë. Mbretëresha gjer në shkallë Dolli me zëmrë të thyer, I puthi djemtë në ballë Dhe u nda e mallëngjyer. Dhe ata djemthit' e mitur, Kur e panë që u ndanë, Mbenë posi të mahnitur Dhe me lot të hidhur qanë Për herë të par' e panë Sa dhemb njeriu e shtëpija, Mëmëdheu e gjithë ç'janë, Dhe shokët' e njerëzija. Hipnë në kuajt e shkuan Si zogu kur lë folenë, Njerëzin' e përvëluan, Shkretuanë mëmëdhenë. Kapëtuan më tjatr'anë, Nga mali kokënë kthyen, Krujën e bukur s'e panë, Më tepër u mallëngjyen; U dukej sikur kish shkuar Një kohë fort shum' e gjatë, Që ishin ndar' e mërguar Nga motr' e nga mëm' e atë Gjithënjë Krujën mendonin, Dhe nga malli psherëtinin, Mëmëdhenë s'e harronin, Të gjitha nër mënt' u vinin. Ng' ajy mall' i shum' u mpinë, Sa të katrë u sëmurë, Jo vetëm për njerëzinë, Po dhe për gur' e për drurë. Zëmëratë u rënkonin Se s'i linte dashurija, Mërgimnë nuk' e duronin, S'ndaheshin nga njerëzija. Njeriu kudo të rronjë, Nuk e harron mëmëdhenë, Zogu le të fluturonjë, Po nër mënt e ka folenë. Uji sado që të ngrihet, E të hapetë ndë erë, Të mblidhetë e të shtrihet, Prapë mbi dhet do të bjerë Ngado të vej' e të bredhë, Të ndryshohet' e të ndrrohet, Prapë mbi dhet do të rrjedhë, Veç atje mund të qetohet. Mbretëreshës' ajo ditë Ju duk fort e shëmëtuar, Zëmrën e kishte të mpitë, Të djegur, të përvëluar. Për djemthit fort keq i vinte, Edhe qant'e s'përdëllehej, Gjithënjë po psherëtinte, Me fjalë nukë gënjehej. I thoshinë të mos qanjë, Djemt' aqë lark nukë vanë, Dhe zi për ta të mos mbanjë: "Rrofshin, desh Zoti, gjall' janë, Kurdo t'i duash, të vinë, Dhe kartë do të dërgojnë, As shtëpin' as njerëzinë, As mëmëdhen' e harrojnë." Po atë s'e lij rënkimi, Dhe fjalëtë s'i dëgjonte, Mallëngjimnë hidhërimi Edhe lottë po ja shtonte. U ngrys e shkoj dhe ca natë, Mbretëresha nukë flinte, Vashat' u mblodh' edhe gratë E vunë në shtrat të flinte; Po s'e linte mallëngjimi, Pa rrinte në shtresë zgjuar, Zëmrën' e saj hidhërimi Ia kishte fare helmuar; Nukë flij e zeza mëmë, Syt' e zes me lot ju mbushnë, Edhe gjithë atë mbrëmë Në zëmrët të saj kish prushnë Mendja në djemthit' i vinte, Derdhte lot shum' e rënkonte. Perëndija e dëgjojti, Të vëllan' e vdekjes thirri, Me të matht të saj e çojti E i vate ndaj të gdhiri. Gjum'i qet' u afërua, Edhe i qëndroj mbi krye, Mbretëresha u qetua, Kur n'ëndrrë ju rrëfye Një rrip' e një shkretëtirë, Dhe pas një shpelle qëndruar Një kuçedrë, nj'egërsirë Me ca sy të sgurdulluar! Në mest të gjakut po rrinte. Rreth e rrotullë vështronte, Shumë frynt'e shkrefëtinte, Dhe tym e flakë lëshonte! Tre nga djemt' e saj kish zënë E si ujku po i çante, Si shqerra posht' i kish vënë Edhe mushkërit u hante! M'i vogëlëthi po vinte Si ëngjëll pshjellë me dritë, Si lëmsh' i diellit ndrinte, Nat' e errët' u bë ditë. Kuçedrësë ju lëshua, I ra me kordhët dh'e vrau! Mbretëresha shpejt u zgjua, "Un' e zeza" tha dhe qau! U ngrit, u vesh duke qarë, Ndenj si e varfrë në vatrë, Me fytyrëzë të vrarë, Që s'e kishte herë tjatrë. Ra zija, mbuloj shtëpinë, E u hap dalëngadalë, Zuri gjithë Shqipërinë, Errësoj fusha e male! Mbretëresha më s'kuxonte Të hyj në dhomët të tyre, Se djemt' e gjora kujtonte, S'ja dil dot asaj mynxyre; Posi nje fatzi i mjerë, Që kthehet zëmërëdjegur, Vjen më shtëpi, hyn më derë, Po gjen t'ëmënë të vdekur, I qaset, po s'kuxon kurrë T'i ngrerë cipën' e shkretë, Ndonëse 'shtë trim e burrë, S'e sheh dot shuar përjetë.
| |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Naim Frashëri 6th October 2011, 12:55 | |
| Historia e Skenderbeut III
E zeza Adrinopojë! Q'u bëre burim i zisë, Vure botën në nevojë, Në helmit të ligësisë! Djemthitë ndaj teje erdhë, O qytet i mallëkuar! Sa lot të varfërit derdhë Me zëmrë të dëshëruar! Ishte mbushurë qyteti Me njerëzit të Azisë, Ardhurë gjithë rrëmeti, Posi tuf' e bagëtisë, Zëmrëtrumbull e shpirterrët, Të egër' e të tmerruar, Të gjithë për në skëterrët, Të tresh' e të shëmëtuar; { të trash' } Të tër' ishin kokëpshjellë, S'kishinë gjë të pëlqyer, S'dijnë të korr' e të mbjellë, Po të marr' e të rrëmbyer; Ishinë të sgurdulluar, Të veshurë ndër lëvere, Turi-e buzëlëshuar, E ndë të rreme përherë Me tumane gjithë veshur, Dhe me hekura ngarkuar, Të vrenjtur' e të paqeshur, Të keq e të zëmëruar. M'i madh'i tyre, Murati, S'kish ndër mënt kurrë të mirë, Posi e gjet nga i ati, Më të ligat kish dëshirë Në jetë njeri s'peshonte, Dhen' e zij gjithë të tinë, Kostandinopojën donte Dhe Romën' e Italinë Doj të hynj në gjith' Evropë, E gjithë kombet që qenë Rrih t'i bënte mijë copë Ta shkretonte gjithë dhenë. Urdhër i tij': "Vraje! Vare!" Këto dy fjalë dij mbreti, Hell edhe grep e lavare Ishte mbushurë qyteti! Prensërit' e Shqipërisë Rrininë të papërzjerë, Nukë dilnin pej shtëpisë, S'trazoheshin me të tjerë. Ajy m'i vogël'i tyre, Që vij nga gjithë m'i çquar, Pej fytyr' e pej mënyre, Zoti e kish lartësuar, Të mirat gjith' i kish dhënë, Të ligat ja kish mërguar, Gjë të metë s'i kish lënë, Së gjithash e kish mbaruar. Kish shpirt e zëmër' e ndjenjë, Edhe mënt e njoh' e hije, Shtat edhe sjell' e rrëfenjë, Dhe fuqi pej Perëndije. Në krah të djathtë, kur lindi, Kishte një shenjë si shpatë, Gjithë botënë e bindi, Edhe miq e mëm' e atë, Që do të bëhëj trim burrë, Mëmëdhenë ta nderonte, Nukë do të mundej kurrë Sa të ish e sa të rronte; Ëndërr' e ëma kish parë, Sikur polli një dragua, Kur ishte më të me barrë, Pa andaj shum' u gëzua. Mësoj gjithë dituritë, U bë njeri i mësuar; Shpirtit i dha dhe më dritë, Ndritoj zëmrën' e qëruar; Kishte gjithë urtësitë, Ish mëndje me shumë dritë, Kish me vet'he Perëndinë. Kordhën' aqë mir' e msojti, Sa kushdo q'e shih, çuditej, Njeri t'i dilte s'kuxojti, Se e dij që do të shtritej; Aqë keq shtij me shigjetë, E me ushtë kur shënonte, Trimi burr' e i vërtetë Kurrë dëm nukë qëllonte. Kohën' e shkoj duke msuar, Mbushi vjet tetëmbëdhjetë, Ishte ëngjëll i uruar, Pa u bë, si deshi vetë Aqë shum' i shëndosh' ishte Sa njëqint burra ta zinin, Ajy brengë nukë kishte Se poshtë dot nuk' e vinin. Një ditë që kishte dalë Me të tijtë, të dëfrente Jashtë, hipurë në kalë, Dhe posi hëna çkëlqente, Dukej q'ishte bir pej mbreti, Gjithë duallë dh'e shihnin; U çudit gjithë qyteti, Që s'e dinin' e s'e njihnin; Sa qe i vogël' e djalë, Rrij brënda, msont'e s'delte, Herë tjatërë s'kish dalë, Jashtë derës nukë shkelte. Dielli që del nga qarku Mos pandeh q'e pjellën retë, Edhe ky s'lindi nga barku, E dërgoj Zot'i vërtetë. Sulltani e pa tek vinte, Edhe tha: "Ç'ësht' ajy burrë?", Se gjer ahere s'e dinte, Nuk' e kishte parë kurrë. "Pa e ktheni e ma bini, Tha, se qenka trim' i mirë, Cili vall' ësht', a e dini? Ndrin si ylli më të ngdhirë." Mbreti ish me parësinë, Prensi zbriti edhe hyri, Të gjithë kryetë ngrinë, Shumë ua zuri syri; Pastaj si e kupëtuan, Gjithë më këmbë ju ngrinë, Me fjalë shum' e lëvduan, E me nder të math e prinë, Gjith' ishinë kokëpshjellë, Dhe fytyrëshëmëtuar, Kok' e tyre ish si shpellë, Rrininë buzëlëshuar. Të gjithë shum' e pëlqenin Të parët' e mbretërisë, Një emrë donin t'i gjenin, Pas mënyrës' së Turqisë, Nj'ëngjëll nga qiell'i lartë Perëndija me vrap nxori, Zbriti me një re të zjarrtë, Fytyrë dervishi mori; Dervishi i lar', i ndrruar, U dha si dritë më derë, Sa ishinë rrotull shtruar, Gjith' u ngrinë menjëherë, "O i mirë!" i tha mbreti, "Nga na vjen e nga të kemi? S'më ngjan të jesh nga qyteti, Se s'të njeh ndonjë nga ç'jemi." "Jo, tha, unë jam i huaj, Që rendin me udhëtarë, S'rri as me jav' as me muaj, Po sa munt ikënj më parë." Mbreti i tha: "Ti i mirë, Që shënditke gjithëmonë, E shum' ujëra ke pirë, E di këtë trim ç'e thonë?" Dervishi fjalën ja preu; Tha: "Un' atë sot s'e pashë, Ky zot është Skënderbeu; Me t'an' aty lasht' u ndashë. Ja pruri ëngjëlli vetë, Këtë emër' edhe nderë, Q'e kish pasurë në jetë Aleksandr'i math njëherë! { Skënder = Aleksandër } Se dhe shpirt'ish i atija, { Skënder bej = zoti Aleksandër } Në mëmëdhet të tij prapë Dërguar nga Perëndija, Frik' armikëvet t'u apë, Si dhe një herë qëmoti, Q'ishte trim, burr' i vërtetë U tregua aq' i zoti Sa la emërë përjetë." Po turqitë nuk' e dinin Shqipëtar' e math të shkuar, Pa at' emërë s'ja vinin, Q'e kishte për të nderuar. Në shumë të madhe punë E qeshi mëndja sulltanë, E gjeti si firaunë, { firaunë = faraonin } Që rrit' më shtëpi Mosanë! { Mosa = Moisi } Pas ca kohë Skënderbeu Njeri i math u tregua, Trimërinë e rrëfeu, Nga gjithë burrat' u çqua. E lartësoj trimërija, Trimn' e vërtetë me pallë, Aqë sa e vu Turqija Në shumë të lartë shkallë. Fat'i bardh' i mirësisë Në mijëra ushtëtarë Zgjodhi trimn' e Shqipërisë, E vu mbi gjithë të parë. Skënderbeu kudo lëftonte, Njeri përpara s'i rrinte, Burrë s'u gjent t'i qëndronte, Po i muntte ngado vinte. Na erdhi n'Adrinopojë Një tatar i math ng'Asija, Që nuk i flitej me gojë, I rëndë nga trimërija; Ishte i math sa dy buaj, I egër e i tmerruar, Kish fuqi sa katrë kuaj, Ish si lum' i trumbulluar. Tatari një trim kërkonte, Me sqimë të madhe delte, Po njeri nukë kuxonte Në gjurmët e tij të shkelte; Po mburrohej me një fjalë Dhe i trëmbte gjithë ç'qenë: "Kush ësht' i zoti të dalë, Thosh, të njohë vetëhenë!" Një njeriu, që tek shkelte, Tronditej i tërë dheu, Kush mundte tjatrë t'i delte, Veç trim'i math Skënderbeu? Duallë të dy kaluar, Në hekur të rëndë veshur, Mburojat marrë nër duar E kordhat' e prehta ngjeshur; Mënjan' ish fytyrëqari, Që si nat' e zezë nxinte, M'anët tjatrë shqipëtari Si dielli vetëtinte. Bota që e panë djalë Prensinë, kundrejt tatarit, Hipur si ëngjëll më kalë, Gjithë ja dhanë të qarit; Me shumë re po shikonin, { me shumë re = me shumë vëmëndje } Luteshin për Skënderbenë, Se si perëndin' e donin, Gjithë njerëzit që qenë, E dinin q'ish trim tatari, S'pandehninë që të mundej, Ish i math si qipi bari, { qipi = mullar } Pa nga vëndi nukë tundej. Skënderbe, o jetëgjatë! I tha: "Ti mik, mase thua Me mburrje shum' e lëvdatë, "Nukë ma del njeri mua"; Edhe me shpresë gënjehesh, Në mëmëdhet tënt të thuash, Nonjëherë kur të kthehesh, "Unë kurrë s'u rrëzuash!" Po shpesit q'i është shkruar, Të mos shohë më folenë, Futetë si i verbuar, E heth në rrezik vet'henë." Këto tha dhe ju lëshua, Prens' i bukurë si ylli, U derth posi një dragua Që po suletë nga pylli. Të dy kordhëtë i hoqnë, Njëri-tjatërin të priste, Me fuqi shum' u përpoqnë, Shoku-shoknë s'munt ta vriste, Se ishin veshur në hekur, Dhe dininë të lëftonin, Ishin fort mirë të pjekur, Pa vet'henë e mburronin; Po trimi, q'i lij pas shokët, Hoqi fort mirë një shpatë, Tatarit i ra në kokët, Ra i ziu si lopatë. Gjithë ç'qen' atj'edh'e panë, Thirr' e thanë shumë fjalë, Pastaj i erdh' atje pranë Skënderbegut e ju falë Pleqt' u çudinë nga fati Dhe i dhanë shum' urata, Me dorët të tij Murati I fali disa dhurata. Pas këtij shumë të tjerë, Që kuxuan' e lëftuan, U ndenë mbi dhet të mjerë, Nga vdekja nuk' u mërguan. Dy persë trima të msuar Këtë punë e dëgjojnë, Edhe duke ashpëruar Erdhë në Brus' e kërkojnë Nga mbret'i gjithë Turqisë Një burrë që të lëftojnë, E në mest të njerëzisë Trimërinë ta tregojnë: "Zgjith në gjithë ushtëtarë E nga gjithë që ke pranë, Të dëgjuar' e të parë, Një trim të lëftojm", i thanë. Murati trimat i psholli, Që kish në mest t'ushtërisë, Po asnjë nga gjithë s'dolli Drejt trimavet të Persisë. Skënderbe'u ashpërua, U ngrit e hekurat veshi, Pastaj dolli si dragua, U vërsul posi rrebeshi. Persëtë vëllezër' ishin, Dhe m'i madhi Jahja thuhej, Trimëri te madhe kishin, M'i vogli Mustafa quhej. Jahjaj së pari qëllojti, Po shigjeta prap' u kthye, Mburronjënë nuk' e shpojti, Maj' e hekurtë ju thye; Pastaj Skënderbeu qëllojti E me rrëmbim shumë shturi, Shigjeta mi kok' i shkojti Persit, e në shtat s'e zuri; Ahere posi petriti Mi Jahjanë u lëshua, Dhe shpatën' e lar' e qiti, Pers'i varfër' u tmerrua. Ndihmë s'gjeti veç me vrapi, Se e pa që s'mundej kurrë, Mori dhenë posi capi, Nukë qëndroj dot si burrë. Mustafaj q'ishte mënjanë, Dhe luftën' e tyr'e shihte, E pa q'u munt të vëllanë, U derth fshehtazi t'i ndihte. Trimi shpejt e kupëtojti, Që po vinte me të qetë, Me bisht të syrit shikojti, Hoqi me vrap një shigjetë, Gjithë fuqinë e mblodhi, Dhe Mustafan' e shënojti, Si rrufe me vrap e hodhi, Tejpërtej të zin' e shpojti; I çpoj hekur e mburrojë, Edhe shtatn' e tij shigjeta, U këput, pa, si sgërbonjë, Vdekja e mbuloj e shkreta; Jahjaj mori shumë frikë Dhe s'e priti Skënderbejnë. Skënderbeu tha: "Mos ikë, Se trimat shpinë s'rrëfejnë." U derth me kordhë në dorë, Si dragoj i ashpëruar, E kohë persit të gjorë Nuk' i la për të mërguar. Me shumë tmerr e pa shpresë, Skënderbeut ju këthye, Hoqi kordhënë ta presë, Jahja trimi u gënjye! Posi dragonjtë u zunë, Me kordhatë të këqija, Njëri më tjatërin shtunë, Po s'i vrau Perëndija! Luanin shpatat e prehta, Ndrininë e vetëtinin Nd'erë si pëndë të lehta, Njëra-tjatrënë godinin, Pa kur e panë Jahjanë Gjithë bota, q'ishin mbledhur, Të shtriturë posi kanë, Mbyturë në gjak e verdhur, Kokën' e trupin' i kish çarë Me një shpatë q'i kish hequr, Dhe më dy e kishte ndarë, E pa ndjerë kishte vdekur! I kish rën' e shkreta shpatë, Përnjëherë si rrufeja, Ja bëri ditënë natë, Gjaku i vij si rrëkeja; I venitur' ishte nderë, Ishte pa frym' e i qetë, Me të vdekurit përzjerë Ish i mjeri n'atë jetë. Gjithë bota u çudinë Me fuqit të Skënderbeut; S'ja kish njeri trimërinë, S'kish shok mbi faqet të dheut; Nderi edhe dashurija Nga gjithë bota i shtohej, Papo gjithë njerëzia Për atë trim përgjërohej; Dhe vetë sulltan Murati E donte keq Skëndrbenë, Më shumë dhe nga i ati E më teprë se Mehmenë Skënder' e math prap' e ngjalli Zot'i math e i vërtetë, Muratnë shpresa e talli Pandaj e lartësoj vetë Ngaha vënt' i Perëndisë Skënder' i math prapë dolli E i dha nder Shqipërisë, Se ajo sërish e polli. Skënderbe'u bë i parë Mi ushtërit të Turqisë, Mi mijëra ushtëtarë Kryeprens' i Shqipërisë. U hoth të parënë herë Nd'Azi ng'Adrinopoja, Se ishte vend i përzjerë, Pa atje e doj nevoja; Si u hodhë përtej denë, Skënderbegu me të dalë, Mbloth ushtëtarët, që qenë Rreth, e u tha këto fjalë: "O vëllezrë ushtëtarë, Q'u nistë bashkë me mua, Unë punë të pambarë, E të papëlqyer s'dua! Duhet të jini të mirë E të kini trimërinë, Të mos bëhi egërsirë, Po të mbani njerëzinë Jo të merrni, të rrëmbeni, Të shani e të godini, Të rripni e të gënjeni, Po faqebardhë të jini; Grat' e foshnjat t'i mburroni, Dhe pleqet t'u bëni nderë, Të falurit t'i lëshoni, Mos i përdorni si berrë Trimi e çëmon njerinë, E sheh si vet'hen' e tija, S'do të likn' e ligësinë. Punënë mir' e mejtoni, E ndonjë të mos gënjehet, Se pastaj më turpëroni, Po kush do, që sot të kthehet; Njeri s'duhetë të qahet Nga shokët e mij ndë jetë Dhe asnjë mënt të mos mbahet Për të keq e për të metë Dua të kini dëshirë Për të drejt' e të vërtetë, Për të mbar' e për të mirë, Gjithënjë në këtë jetë Luftëtarët t'i lëftoni, Në luftë do t'i godini, Po pastaj mirë vështroni, Njerës të urtë të jini; Unë dua trimërinë, Dhe i falem burrërisë, Po dua dhe njerëzinë, Që ësht' udh' e Perëndisë U kam vëllezër' e shokë E miq me gjithë dëshirë, Edhe mbi sy e mbi kokë, Kur t'u shoh n'udhët të mirë N'u pafsha në prapësirët, Në dëm e në të këqija, Në të lig' e të pështirët, S'shpëtoni duarvet t'mija." Unjnë kokën' ushtëtarët E Skënderbegut ju falë, Vegjëlija dhe të parët I dhanë besë dhe fjalë E shtroi kaq mirë Azinë, Sa gjësendi s'pëpërinte, Ngriti dëmn' e kusërinë, Qëngji me ujkunë flinte; U bë mbret'i gjith' Azisë, Çdo pun' e vuri ndë udhë, Doj udhën' e Perëndisë Njeri s'mir asnjë kërpudhë, S'bëri një gjë të përhirë, Një punë të papëlqyer, Botën' e linte të lirë, Kurrë zëmrë s'kishte thyer; Kish udhën' e njerëzisë, Pa njerëzit gjith' e donin, E tërë bot' e Azisë Atë me gisht e tregonin. Mënt shum' e urtësi kishte Dhe të çquara vetija, Ëngjëll' i qiellit ishte Dërguar nga Perëndija; Në zëmrë kish mirësitë E ndë mëndje diturinë, Në shpirt kish të madhe dritë, Kish të bën' me Perëndinë Ishte së gjithash i zoti, Si shqipëtarët' e parë, Si Pirroja q'ish qëmoti E të tjerë kordhëtarë Dinte mirë të lëftonte, Edhe kishte fuqi shumë, Dhe zëmëra i punonte, Trimërija s'i kish gjumë. Kur mirrte kordhën në dorë, Edhe delte të lëftonte, Ish si dashi me kurorë, Njeri kundrejt s'i qëndronte. Kishte në mënt urtësinë, Që çdo pun' e çquan mirë, Mirësin' e ligësinë S'i përzjen t'i bënjë kllirë, Ish burr' i gjall' e i gjatë, E në shpatullat i gjerë, S'ish i ligur' e i thatë, Po ish si lulja në verë. Ish i bardh' e faqezjarrtë, S'kish gjësendi të pështirë, Ish i florinjt' e i artë, Edhe i leht' e shtatmirë. Ishte mbret i bukurisë, Si dielli epte dritë, Kish hijen' e Perëndisë, Natënë e bënte ditë. Fytyrën' e kish të mirë, Zënë t'ëmbëlë si mjaltë, Zëmërnë plot mëshirë, Vetëdijënë të naltë. Kish të gjitha mirësitë Dhe të tërë urtësinë, Njerëzin' e dituritë Dhe fuqin' e trimërinë. Armëtë e ati zoti Burra të fortë t'i zinin, Katrë a pesë qëmoti, Nga vëndi dot nuk' e ngrinin! Lufta posa zij të ndizej, Ajy s'duronte aspakë, I hipën kalit e hidhej Përmbi armikët si flakë Edhe nuk mirrte të tjerë, Të shumët në vënt i linte, Vetëm dyzet jeniçerë, Edhe si rrufeja binte. Kali më fort hingëllinte Dhe hidhej si vetëtima, Asgjësendi s'doj të dinte, Si rrufeja bij mi trima; Posi shqipja fluturonte Edhe ngrihej drejt përpjetë, Nga goja shkumbë lëshonte, Thoshnje do të pijë retë. Skënderbegu kordhëzhveshur, Lëshohej posi fajkua, Me fytyrëzë të qeshur, I bukurë si pallua; Ish në luftë shum' i pjekur, Nukë frikësohej kurrë, Ishte i veshur ndë hekur Edhe trim i fort' e burrë. S'u munt kurrë Skënderbeu, Që lëftonte nat' e ditë Njeri udhënë s'ja preu As me luftë, as me mitë. Turqisë i ndihu fati, Skënderbegu e xgjeronte, Dhe në front prehej Murati, Burri trim për të lëftonte. Mundi Europ' e Azinë, Si Skënder' i Math njëherë, E madhoj shumë Turqinë, Bëri Mbretëri të gjerë. Trimëri e Shqipërisë, Skënderbe' burr'i vërtetë, I hodhi themel Turqisë, Fat i zi, o fat i shkretë! Gjithë bota Skënderbenë E dëgjoj edh'e zij ngoje, Emër'i tij mori dhenë, E gjithë dridheshin soje. Edhe në Adrinopojë Sulltan e të tjerë ç'qenë, Më s'kishin tjatrë në gojë, Po gjithënjë Skënderbenë.
| |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Naim Frashëri 6th October 2011, 12:55 | |
| Historia e Skenderbeut IV
Gjoni dërgoj shumë herë Njerës në Adrinopojë, Kërkoj djemtë mbret' i mjerë, Se kishte mall e nevojë Po sulltani i përgjigjej Sot e nesrë, pas zakonit, Nat' e ditë po i digjej Zemër' e varfërë Gjonit. Në Evropë kish dërguar Njerës e ndihm' u kërkonte, Po s'e kishinë dëgjuar, Se njeri s'doj të lëftonte. U tha: "Të bëhemi shokë E ta përzëmë Turqinë, Kemi armiknë mi kokë, Po të bëjmë miqësinë." Evrop' e shkret' atëherë Ishte për djall' e për lumë, Priste Ruson' e Volterë, Ta zgjuanin ng'ajy gjumë: Kokën në trastë ta vënë Disa njerës të vërtetë, Pa ta bëjnë si e bënë, Të lulëzuar për jetë. E kish mbuluar fe-zija, Njeriu s'e doj njerinë, Mbretëronte e padija, Nukë ishte si taninë. Shqipëtarëtë punojnë, Gjith' ata kombet' e shuar Përpiqenë që t'i zgjojnë Ng'ajy gjum' i mallëkuar. Gjon'i gjorë u mundua, Po ndihmë s'gjet dot gjëkundi, Sa u plak, u dobëtua, Pa ra e vdiq më së fundi! Murati posa dëgjojti, Që mbet pa mbret Shqipërija, Gjithë ç'kish thën' i harrojti Dhe dolli nga njerëzija; Fjalën s'e mbajti Murati, Me të pabesë punojti, Dorënë me vrap e zgjati, Shqipërinë e shkretojti! Vëllezrët e Skënderbeut, Q'ishin në Adrinopojë, Lark shtëpis' e mëmëdheut, S'i lanë të hapnin gojë, Po të tër' me vrap i zunë, Me një tmerr të keq i mblodhë, Pa në burg të thell' i vunë, Edhe hekurat' u hodhë! Pastaj dërgoj Xhybelinë, Q'e kish të math e të parë, Për të marrë Shqipërinë, Me njëzet mij' ushtëtarë. Shqipëtarët pisk e panë, Se kish djemthitë Murati, Ng'ajo frikë nuk' u ranë, Mos i vriste dorëgjati. Hyri armiku në Krujë Edhe zuri Shqipërinë, Vendi gjith' u bë rrëmujë, Njeriu harroj njerinë! Ish thënë vallë nga Zoti Këjo pun' e mallëkuar? Mot' i zi, mot' i verbuar! Opopo, Zot i vërtetë, Që ke ligë mirësinë, Qysh munde ta shohç në jetë Ndë robëri Shqipërinë?! Mbretëresha që pa fatnë, E gjith' ato hidhërime, U hoq, vate zuri Matnë Me lot e me mallëngjime! Është keq njerith' i mjerë Kur ka qënë si desh vetë, Pastaj bije menjëherë E s'i mbetet gjë në jetë! Po shumë trima me besë Pas mbretëreshës' i ranë, Pa ngushëllim e pa shpresë Edhe vetëm nuk' e lanë. Katrë nga vashat' e tija Mbreti vet' i kish martuar, Pa nxjerrë nga Shqipërija, Dhe m'e vogëla ish vluar. Mbretëresh' e gjorë rrojti Sa arriti dhe atëzë, Me një trim burr' e martojti, Q'ish e bukur si thëllëzë. Rroj', se vërtet s'e harrojnë Helmin' e zi kurrë gratë, Po bashkë më atë rrojnë Të pandarë dit' e natë. Helmin në zemër' e pshehin Edhe me të përdëllehen, Armiknë mik e pandehin, O, të gjoratë ç'gënjehen! E burratë nuk' e qasin, E njohën më mir' armiknë, Papo duanë ta vrasin, Andaj e gjejnë rreziknë. Mbretëresha ish drobitur, Ra në sëmundj'e në lëngime, Posi dritëz' e venitur. Nat' e dit' ish në mejtime, Se la plënkn' e la shtëpinë Edhe gjithë ç'kish në jetë, Humbi djemt' e mbretërinë, Mbet e varfëra e shkretë! Pa u tret e u kullua Dhe zëmrën' e përxhëlliti, U doq e u përvëlua, Syn' e bukur e veniti. Që kur u nda, më s'qe thënë T'i shihte me sy në jetë, Më nuk' ua dëgjoi zënë, Po mbet kërcurez' e shkretë! Dit' e bardhë iu bë natë, Nat' e tmerruar' e sterrë, U bë një plakëz' e thatë, E jeta iu bë skëterrë. Mejtonte djemt' edhe qante, I dridhej buza së mjerës, Lott' e saj s'muntte t'i mbante, Ishin si breshër' i verës. Ah! o jet' e shkreta jetë! Që s'qëndron më një, po ndrohesh, Je e rreme, s'j'e vërtetë, Vet'e vete, pa ndryshohesh! E mëson njerin' e mjerë Të heqnjë e të duronjë, Të ngrihetë e të bjerë Dhe të parat t'i harronjë.
Dimëri kish shëmëtuar Faqen' e dheut q'ish tharë, Moti, q'ishte egërsuar, Kish fishkur lulet' e barë. Shpestë ishinë të qetë, As lëvrinin, as këndonin, Kishinë zënë foletë, Dridheshin edhe rënkonin, E retë sterrë të zeza Dhen' e kishinë mbuluar, Q'ish i bardhë posi veza, Në mest të tyre qëndruar. Gjë e gjallë s'pëpërinte, Jeta gjithë ishte shuar, Ish thëllim e frynt' e binte, Bota ishte e shkretuar! E bukura ishte kthyer E kishte zënë verinë Edhe prap' e kish gënjyer Të bukurin, ditëzinë Dhe Afërdita në verë Hipën sipër' e zë malë Edh'e dërgon Shtun' e mjerë Nëpër veri me një fjalë Në dimër' e në dëborë Vetë vet'e zë verinë, Ahere Shtunit të gjorë I ep mal' e arratinë. Ajy e kërkon ta gjenjë, Pa shëndin e shpreh ta pjeknjë, E ajo rreh ta gënjenjë, Zëmrënë vështron t'i djeknjë, Andaj kurrë s'e ka pjekur, Si ajy që kërkon fatnë, E ndjek, po nuk' e ka gjetur Këmbëdjall' e sylugatnë. Afërdita zu verinë, Dimëri e pushtoi dhenë, Shtuni mori malësinë, Dhe qielli lëshoi renë Syri më s'të shihte qiell, Yll a hënë nukë shihej, As ditë, as drit', as diell, Ishte nat' e dita s'ngdhihej. Kur munt errësira dritën, Dhe nata si qen' i qetë E kafshon edh'e ha ditën, Ç'të mira të shohç në jetë? Udh' e dyer ishin zënë, E drurëtë kishin ngrirë, Një zi e keqe kish rënë, Gjithë botën' e kish mpirë Jeta ishte në pushime Edhe dukej e tmerruar, Kulloninë hidhërime, Vdekja gjith' i kish mbuluar! Qielli me Perëndinë, Hedhurë cipën' e zisë, Po qante për Shqipërinë Që humbi vahn' e lirisë. Një natë të tëmerruar, Që ia kish thurur dëbora, Mbretëresh' e dëshëruar Ishte keq për vdekj'e gjora! Kish kënduar gjel'i parë, Po këndonte gjel'i dytë, Buz' e shkretë i ish tharë, Po kur hapi të dy sytë! "Djemtë!" tha dhe psherëtiti Dhe rreth e rrotull shikojti, Sytë përpjetë i ngriti, Pa e la jetën' e shojti! E! po përse Perëndia Mbretëreshës' i dha vallë Kaqë shumë të këqija? E pati shkruar në ballë? Mëngjezi e gjeti vdekur Posi një thëngjill të shuar, Ftohur' e bërë si hekur Edhe tretur' e kulluar. Dukej brenga që kish hequr, Në buzët të përzhëlitur, Dhëmbj' e zëmrës i kish mbetur Mbi syt, q'ishte i venitur! Jeta kërkon ta mundonjë, Po vdekja s'e lë njerinë, Papo i vjen ta shpëtonjë, Dhe s'ia dinë mirësinë! Më nestrët hapnë dëborën Edhe mihnë dhen' e shkretë, E vunë në varrt të gjorën, E mbaroi të zezën jetë! Vashatë mbenë pa mëmë Dhe pa vëlla e pa atë, U erth' gjëmë përmi gjëmë, Dit' e tyre u bë natë! O Adrinopoj' e shkretë! Q'ishe fron' i ligësisë, Një emrë të keq përjetë Ke marrë ndaj njerëzisë Se ty se pari të zunë Njerëzit' e mallëkuar, Gjithë të ligat' i prunë, T'i hodhë në krahëruar! Si mjer' ata, që i zinin! Kurrë s'kishinë shpëtime, Ndër thonjt të tyre i vinin, E më s'lininë kursime! Skëterr' e jetës' ish burgu, Se kishte shumë mundime, Dhe ajy që hynte, murgu, Bij në helm' e nd'idhërime! Ish në t'errët nat' e ditë, Gjë s'shihte e gjë s'dëgjonte, Nukë shihte kurrë dritë, Jetën në të zez' e shkonte! Ishin ca të mallëkuar, Vinin rrotull n'errësirë, T'egër' e të tëmerruar, Mundonjës e të pështirë! Këmbëzbathur, kërsinjthatë E shumë të shëmëtuar, Lakuriq e mjekrëgjatë, Pa zëmrë në krahëruar; Gjithë gërxhe kok' e tyre Nga rreckat' e nga lëveret, Me fytyrë prej mynxyre, U vininë rreth të mjerët! Kishin nëpër breza thika Dhe ndër supa kordhe vartur, T'i shihnje të merrte frika, Ndjenje në zemrë të mardhur! N'emërit të Perëndisë N'atë vënt të mallëkuar I faleshin djallëzisë Duke larë këmb' e duar! Muret' e burgut të errët, Gjak edhe helmë kullonin, Mjerë kush hyn në skëterrët, Egërsirat' e mundonin! Atje brënda gjente djallë Dhe mundime të këqija Më nukë delte i gjallë, Atje mbretëronte zija! Ca për jetë i mundonin, I vrisninë ca të tjerë, I mbytnin' e i helmonin, A i therrninë si berrë Prensërit e Shqipërise, Vëllezërit e Skënderbeut, Q'ishinë penk ndaj Turqisë, Edhe shpres' e mëmëdheut, Ata më shum' i munduan Në burgut, q'i kishin vënë, Se fron' e t'et e kërkuan Pas fjalësë që qe dhënë. Një natë të tre i zunë, Një e mbyn' e një e helmuan; Më të madhë posht' e vunë, E pren' edh'e copëtuan! Me të pabesë e pati, E gjettë me Perëndinë! Ku kish bes' e fe Murati, Që shtu në lakt Shqipërinë! E përmbysi Shqipërinë Dhe shtëpin' e mbretërisë, Edhe pruri ligësinë E djallëzin' e Azisë. Të parët s'i lij nakari, Që kishin më Skënderbenë, Thoshin': "Erdhi shqipëtari, E na vu në dorë mbrenë Të gjithë na la pas soje, E dolli vetë në ballë, Neve njeri s'na zë ngoje, Sa të jet' ajy i gjallë." Zunë ta bintninë mbrenë, Sicilido tjatrë fjalë I thoshte për Skënderbenë Edhe këlliste një halë. Me fuqit të dhelpërisë Donin ta humbnin përjetë, Pas mënyrës' së Turqisë, Që të ha si qën' i qetë. I thoshinë: "Skënderbeu Është njeri i pabesë, Zotn' e math tën' e gënjeu, Dh'e shtu me lajka në shpresë Mos pandeh kurr' e mos thuaj, Se për ne nukë përpiqet Një njeri, që ësht' i huaj; Ësht' armik, po si mik hiqet; Edhe sot e këtë ditë S'i pëlqen njerëzit tanë E mban gjithnjë të titë, Shqipëtarëtë ka pranë Mban rrobën' e Shqipërisë, Është shqipëtar i tërë, S'është miku i Turqisë, Këmbën' e t'et rreh të zërë. Nuk' e do kombinë tënë, Punët tona s'i pëlqejnë, Një tjatër' udhë ka zënë, Si na thon' e na rrëfëjnë. Sa ka trima e të parë, Që i ka me nder e shokë, Janë gjithë shqipëtarë, Q'i mban për vdekj'e për kokë. E mori gjithë Sirinë, Dhe bota sindëkur thonë, Kërkon ta bënjë të tinë, Edhe ta ngrehnj' atje fronë, Pandaj përpiqet e vuan, Ka synë te mbretërija, Ushtëtarët shum' e duan, S'dalinë nga fjal' e tija. Froni yt nuk' është mirë, Sa të jet' ajy i gjallë, Po ki për neve mëshirë, Se pastaj më t'i kesh mallë." Këto fjalë vënt i bënë Muratit, dhe po mentohej, Ethetë nisnë ta zënë, Fytyra zu t'i ndryshohej. Thosh: "Mos marrë Arabinë, A mos vinj' e marrë fronë, A të zërë Shqipërinë, E ma bën sindëkur thonë!" Doj ta vriste po s'kuxonte, Se ushtëtarët' e donin, Kish frikë mos e pësonte, Ngriheshin' e ja kërkonin. Pastaj tha me mënt të tija: "Tani për pakë ta lemë, Po së shpejti nga Sirija Me një mënyrë ta ngremë. T'i shkruanj: "Shum' u mundove, Më paç uratë, matanë, Asinë tani e shtrove, Dua të jesh këtu pranë Të vinç, se munt të na ngjanjë Nonjë luftë më kët' anë, Vendin' aty le ta mbanjë, Një nga të parët që janë" Ta sjell këtu e të mbesë Ca kohë n'Adrinopojë, Ta mbanj me fjal' e me shpresë Edhe ta lë ndë nevojë Sa të humbasë fuqinë, Ushtëtarëtë të ftohen, Ta harrojnë dashurinë, Për të më të mos mejtohen. Pastaj moti do ta shtjerë Dhe atë ndër duart' tona. Si shturi shumë të tjerë, Se sot dita është jona. Skënderbeu do e vuan, Sa të jetë gjall' Murati! Të tjerëtë ç'gjë fituan, Ç'mundi të bënte i ati? Në mos ndihtë Perëndija, Këtu janë dhelpëritë, Rroft' e qoftë pabesija, Dhe djalli e djallëzitë!" Kshu tha dhe karta u shkrua, Kartëshpënësin' e nxori, Dhe ajy më s'u mënua, Udhën' e Sirisë mori. Dielli posa kish dalë, Edhe drit' e tij kish rënë, Kishte ndriturë malë, Hijeja rrëzat kish zënë E kish zbukuruar vera Vendinë me lule t'arta, Fushat' e ndera, të gjera Ishinë bërë të zjarrta. Trim'i madh dolli nga tënda, Thëllëzatë po dëgjonte, Zën' e tyre ja kish ënda, Dhe mëngjezë shum' e donte, Po vinte rreth duke shkelur Përmbi luletë me vesë, Që posa ishin çelur, Si zëmëra kur ka shpresë Ushtëtarët kishin dalë, Nëpër sheshe po shënditnin, Shikonin fushën' e malë, Syt' e zëmratë zbavitnin; Bujqitë gjithë lëronin E tërë bota lëvrinte, Njerëzitë po punonin, Asnjeri pa punë s'rrinte; Lumenjtë me vrap nxitonin E dheu po lulëzonte, Shpesëtë gjithë këndonin, Trimi po shiht'e dëgjonte. Pasi shkoj një copë ditë, Mblodhi gjithë parësinë, Pa gjyqet e gjithësitë Që duheshin për Sirinë. Dita kishte marrë vrapnë, Gjëkundi nukë qëndronte, Se nata kish hapur çapnë E pas soje po nxitonte; U ngrys e po errësohej, Bilbili zu e këndonte, Skënderbeu po mejtohej Edhe bilbilë dëgjonte; Shumë herë psherëtiti Nga ajo zemër' e gjerë, Breshërimë lotsh i xbriti, Po kur heth sytë më derë, Pa, tek po vinte, Hasanë, Një plak me bes' e i vjetrë, Q'e mbante gjithënjë pranë, Dh'e doj nga gjithë më teprë. "Jak', i tha, Hasan, pa jakë, Se kam rënë në mejtime, Shko, rri, të të tregonj pakë Nga ç'më thotë mëndja ime. Më nuk' e duronj dot mallë Që kam për mëm' e për atë, Dhe s'di a janë të gjallë, I kam ndër sy dit' e natë. Kam fort mall për Shqipërinë, Për miq e për të njohur E për gjithë njerëzinë, I kam lottë të pashtrohur; Shumë kohë këtë herë Shkoj pa marrë ndonjë kartë, Zëmërn' e ndjenj fort të mjerë Edhe nga malli të zjartë. Zëmrënë dhëmbja ma mbushi Me helm e me hidhërime, Pa më digjetë si prushi, E kam plot me mallëngjime Për motërat' e për farët, Për vëllezër' e të tjerë Dhe për gjithë shqipëtarët E për mëmëdhen' e mjerë. Aqë kam një mall të shumë Për Shqipërit nat' e ditë, Sa s'kam as prëhje as gjumë, Më gjeti si çilimitë! Unë vuanj për Tyrqinë, Po nukë më mbeti shpresë, Më vjen keq për Shqipërinë, Tyrqit' i shoh të pabesë. Ti e di si kam lëftuar Gjithënjë për mbretërinë E ç'punëra kam punuar, Po të mirënë s'e dinë. Si desha unë Tyrqinë, Ashtu dua dhe Murati Të më dojë Shqipërinë E t'i bënjë nder tim ati." Tek tha dhe një psherëtimë E zjart' i del Skënderbeut, Q'ish nj'e madhe dëshmimë Për dhëmbjet të mëmëdheut. Hasanit, q'e dij ç'ish bërë, Ç'kish pësuar Shqipëria, Këto fjalë si gjilpërë I shkuan në shpirt të tija: Dy-tri herë psherëtiti Edhe erth' u mallëngjye, Më pasdaj dorënë ngriti Edhe drejtpërdrejt iu kthye, Pa i tha: "T'u ngjattë jeta! I ke të tëra në dorë, Në të ndritoft' e vërteta. Kurrë s'mbetemi të gjorë." Këto pakë fjalë thanë Burri trim e i uruar Bashkë me çelë Hasanë, Që e kishte të besuar; Pastaj dolli Skënderbeu, Po vij rrotull si dragua, Fjalënë atje e preu, Parësija ju afrua. I përshëndoshi me rradhë, Buzënë më gas e vuri, Të vogëlin' e të madhë, Gjithë për dore i zuri. Të mugëtitë po vinte, Së qetazi nata delte, Hapësirënë e nxinte, Ndë erët lehtazi shkelte. Mishratë ndë hell u vunë, Parësija po dëfrenin, Trimatë vallen' e zunë, Nëpër sheshe po kërcenin. Ndënjnë dhe hangër' e pinë, Duke thënë fjalë shumë, Një copë her' u zbavinë, Po pastaj ranë në gjumë. Në zi ishte Shqipërija E në të këqija shumë, E kish shkelur ligësija, Ish në robëri për lumë! Këtë radhë erdhi vera, Po zëmrat' i gjet të ftohta, Nukë si herët e tjera, Q'ishin me gas e të ngrohta! Më s'ish zonjë Shqipërija, Shqipëtari s'ish i zoti, E kish zënë dobëtija, Q'i kish prur' i shkreti moti. | |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Naim Frashëri 6th October 2011, 12:56 | |
| Historia e Skenderbeut V
U ngrit fat' i Shqipërisë Si i vdekuri nga varri, Mori udhën' e Asisë, Duke ikur si i marri, Me një rrobëzë të çqyer, Me fytyrë të tmerruar Dhe me gjak lyer e ngjyer E me sy të zgurdulluar; Posi hije mori dhenë, Duke ecur me vrap shumë, Papo u hodh përtej denë Si ajy q'ikën në gjumë. U shëmbëllye me Gjonë, Mori fytyrën e tija, Shtanë dhe zën' e zakonë Edhe u derth nga Syria. Plaku me shkop duke shkuar, Posi nata mori dhenë, Pa vëndethit e uruar Dh'erth e gjeti Skënderbenë Pa iu qas edh'e fërkojti Me mall shum' i mjeri atë, Në mest të tendës qëndrojti, I zi sterrë posi natë! I ligur, i dobëtuar, I grisur, i çkatërryer, I shkretë, i varfëruar, I qar' e i mallëngjyer! Ish i venitur, i vdekur, I rrithte si lumë gjaku, Ishte përgjynjur' e tretur Dhe dridhej i tërë plaku! Si ajy lipës' i gjorë Që ka mbeturë pa bukë, Rri ndë shi e në dëborë, Ngjeshur i mjeri me zhukë! Ahere kur fryn e bije, Jeta është gjith' e qetë, Reja dëborënë shtije Mbi dhet të ftoht' e të shkretë! Ajo plakëz' e sëmurë, Kur i vjen e zeza natë, Pandeh që s'gdhihetë kurrë, Aq i duketë e gjatë! Po kur kthehet sërish vera, Që vjen me lul'e me fletë, Dhe me të mira të tjera, Bënetë tjatërë jetë, Dita sa vjen madhësohet, E vë posht ahere natën, Pa tretet e dobëtohet, Ngjan me plakë brengëgjatën. Bujku zë e lëron arën, Duke parë mirë motnë, Heth mir' e bukurë farën, Pa shpresën' e ka më Zotnë S'i mallëkon kurrë qetë, Se ësht' e madhe mëkatë, Nuk' e do Zot'i vërtetë, Pa i quan mëm' e atë. Këthehetë prapë moti, Po çdo kohë ka një shijë, Ashtu e ka bërë Zoti, Q'i vu të gjitha më vijë. Vinë, venë, sërish vinë Të gjitha ç'janë në jetë, Pa vëre re njerëzinë, Ta njohç fjalën' e vërtetë. Qysh bije në vjeshtë shiu, Lumi qysh i vete detit, Ashtu të thotë njeriu I derdheshin lotët mbretit! Posi rrëkeja i vinin Dhe i mirrin krahërorë, Nga mjekër' e bardh' i binin, Që e kishte si dëborë! "Fle? i tha, o jetëgjatë! Nuk' e di se ç'është bërë, Ç'e gjet të zinë tët atë E Shqipërinë të tërë? T'u shua fare shtëpia Nga turqit' e mallëkuar, Hyri ndë kurt Shqipëria, Është shuar' e shkretuar! Tyrqitë si egërsira, Armikët' e njerëzisë, Me mënyra të pështira, Me dhelpërit të Azisë. E muarrë Shqipërinë Dhe shkoj e vate lirija! Prunë dëmn' e babëzinë! Po mbretëron ligësija. Vëndet' e shumë i zunë, I prishnë duke shkretuar, Në zgjedhë të keq'e vunë Shqipëtar' e varfëruar. Ç'hoqi Shqipëriz' e gjorë, Vashatë gjith' u përmblodhë, Për të mos rënë në dorë, Nga shkëmbi përposh u hodhë. Tët vëllezërë të tërë Egërsiratë i vranë, S'tregonetë ç'kanë bërë, Gjë të gjallë nukë lanë! Fle ti, shpres' e Shqipërisë? Mëmëdheu të ka shpresë, T'i përzësh mbren' e Tyrqisë, Që ia ka me të pabesë. Ti përpiqesh si i marrë! Jakë në mënt e mos vuaj, Murati po të bën varrë, Armiknë tënt mos e duaj! Ati që të shoi shtëpinë Dhe bëri rop shqipëtarë E të shkretoi Shqipërinë, Duke ndar' e duke vrarë, Armikut të Shqipërisë I bën të mirë në jetë? Errësirës' së Asisë Që të la kërcu të shkretë! Apo rreh të març Asinë, Si Skënder' i Math njëherë, Të ngrehsh këtu mbretërinë, Pa ta lësh nëpër të tjerë? Ish i math me të vërtetë, Mbi të gjithë mbretërojti, Po pastaj fron' e la shkretë, Mëmëdheu gjë s'fitojti. Pirroja lëftoi Greqinë, Edhe Romën' e të tjera, N'Afrikë Evgjitërinë, Sindëkur ja pruri hera, I dhan' emrë Shqipërisë, Po veç emërin i lanë, T'ish urdhër i Perëndisë, Ishin ndryshe vëndet tanë. Burratë, që pinin retë, Botënë në dor' e vinin, Muntnin një themel përjetë Vëndit të tyre t'i shtinin. Ty ta la rradhënë moti, Që ta nderonç Shqipërinë, Fuqi më të dhëntë Zoti, E bëfsh gjithë mbarësinë! Të gjithë humburë venë, Veç një munt emrë të lerë, Që lëfton për mëmëdhenë, S'mundohetë për të tjerë, Mëmëdheu të ka shpresë Që ta nxjerç pej robërie, Nënë xgjedhë të mos mbesë, T'i apç dritë si ka hije. Qysh munt të lësh Shqipërinë Në kurt e në të këqija E të vuanç për Tyrqinë? Ç'të mirë pe nga Tyrqia? S'të vjen keq për shqipëtarët E për Shqipërin' e mjerë E s'të merr, biro, të qarët, Që humbi lirin' e nderë? Robërin' e Shqipërisë Edhe gjëmën' e tyt eti Dhe mynxyrën' e shtëpisë Qysh munt ta shohç, që të gjeti? Gjakn' e gjithë Shqipërisë Tani ti je nënë barrë T'ia nxjerrç nga hundët Tyrqisë, Veç teje s'ka kush ta marrë. Do të lësh në këtë jetë Nj'emrë shumë të uruar E një dritë të vërtetë, Q'ajo kurrë s'ka të shuar. A më sheh ti mua plaknë? Të qenkësha si ti djalë, Muratit i pinja gjaknë, Sot s'gënjehesha me fjalë, Të shoh vëllezërit vrarë, Shtëpinë time të shuar, Shqipërin' e shqipëtarë Të lidhurë këmb' e duar!" Kështu tha, dhe posi era Iku duke qar' i gjori E dolli me vrap nga dera, Ajy qënëke Mënttori! Skënderbeu u tmerrua, Dhe zëmëra q'e kish trime, Ju doq e ju përvëlua, Ju bë cop' edhe thërrime. Me tmerr e me breng' u xgjua, Burr' i math e trim i mirë, Dhe ndënj pak' e u mejtua, Kur sheh që posa ish ngdhirë Qiellin' e kishin zënë E gjithë qarkunë retë, Dukej sikur kishte rënë Një zi e madhe ndë jetë. Derën' e tëndës' e hapnë, Një kalorës po thërriste, Kali kishte marrë vrapnë, Ajy, sa mundte, bërtiste. Vinte nga kryeqyteti, Nga Adrinopoj' e shkretë, Sillte kartënë nga mbreti, Që s'kish fjalë të vërtetë. Skënderbeu e këndojti, E mori vesh pabesinë Dhe një shërbëtor dërgojti E thirri vetë njerinë I tha: "Kartë pse s'më prure Nga im at', apo s'të dhanë?" At'i ra të zi pej ure Posa i zu ngoje t'anë, Po e mblodhi, s'u rrëfye, Tha "Vetëm këtë më dhanë" Edhe fytyra ju kthye, Djersë të ftohta i ranë. I tha: "Po nga Shqipërija Nonjë fjalë s'ke dëgjuar?" Ajy mbloth supat e tija, Dhe vu dorën në krahëruar. Skënderbeu tha: "Ç'më thua? Tim vëllezrë s'i ke parë Dhe s'të thanë gjë për mua? Këjo punë s'ësht' e mbarë." Ajy me gjuhët të trashë Tha: "S'i njoh, t'u ngjattë jeta! E s'të them dot se i pashë, Se s'pshihetë e vërteta." Trimi më tej nuk' e shpuri, Po qëndroj e u mejtua, Ëngjëlli ndër mënt ja pruri Dhe lott' i vanë si krua. Më s'ndenj, po që atë ditë Mblodhi pleqt' e parësinë Urdhëroj, bënë gatitë, Të parë la një të tinë. E dëgjuan ushtëtarët Që ikënte Skënderbeu, Pa gjith' i mori të qarët, Thanë "Të na pikë dheu!" Më nesëret gjith' u ngrinë, Edhe pleqt' e parësija Skënderbeut po i vinë Brënda në tëndët të tija. Ajy ish ngritur pa ngdhirë, Kishte zën' e po mejtohej, Punëtë s'i gjeti mirë, Pa zëmëra i përvëlohej. Kur ata në der' u dhanë Të vrënjtur e të helmuar, Të gjithë afër i vanë Me fytyrë të tmerruar! Popo, ish bërë zapati! Mynxyr' e madhe kish ngjarë, S'kish mbetur njeri nga ç'pati, Ç'gjë t'i thoshinë më parë! Për vëllezër' a për mëmë, Për t'an' a për Shqipërinë, Nuk' ishte një e dy gjëmë, I kishin mbyllur shtëpinë! Desh t'i thosh atë Sandushi Nga gjithë ç'qenë më parë, Po sytë me lot i mbushi Edhe u mbyt duke qarë. Skënderbeu: "Pse s'më thoni?" U tha, "Shokë! Ç'është bërë? Të gjitha të m'i tregoni! Mos bëhi si gra të tërë!" Pastaj të tëra ja thanë Me vaj e me mallëngjime, Mijëra rrufe i ranë Në atë zëmërën trime! Të gjithë shokëtë qanin E më shumë shqipëtarët, Ngashërimënë s'e mbanin, Nuk' e prisnin dot të qarët. Skënderbeu ish mahnitur, I dridhej buza dhe qante, Rrufet' e kishin goditur, Lottë më s'mundte t'i mbante. Ajo zëmër' aqë trime, Që s'doj të dij nga shigjeta, Nga të tilla hidhërime U munt far'e ju nxi jeta. Kish shpresë të vij një herë, E t'i gjen si i kish lënë. Popo, njeriu i mjerë! S'kemi gjë në dorët tënë! Skënderbeu s'përdëllehej, Ra në sëmundj'e në lëngime, Shëndeti më nuk' i kthehej, Ish ndë eth'e ndë rrënkime. Ndënji tre a katrë muaj I sëmur' e në shtrat rënë, Në vënt të larg' e të huaj Shkoj me brengë disa hënë. Si mori mirë shëndenë, Zgjodhi nga gjith' ushtërija Sa shqipëtarë që qenë E të pakë nga Azija, Papo u hoth në Evropë, Erdhi në Adrinopojë Me zëmrë mijëra copë, Që s'tregonetë me gojë. Gjithë bota nga qyteti, Sa e njihnin e s'e njihnin, Si mizërija, rrëmeti, Duallë jashtë ta shihnin. Një t'atillë trim' e burrë, Gjithë njerëzit' e donin, Se shok s'kish pasurë kurrë, Papo me gisht e tregonin. Ishte trim posi dragua, Kish mëndjen' e urtësinë, Ish i bukur si pallua, Kish me vehte Perëndinë. Kur u poqnë me sulltanë, E priti mirë si djalë, E vuri dhe ndenji pranë, Pa i tha t'ëmbëla fjalë, Po të gjitha ato fjalë Të rrem'e për faqe qenë, Rrodhë të tëra si valë S'e gënjeu Skënderbenë. Tha: "Je shtyll' e mbretërisë, Me ty mbahetë Turqija, Je fuqi e Perëndisë, E di vetë Perëndija. Nga mynxyratë që ngjanë, M'erdhi më shumë keq mua, Që i pata këtu pranë, Zëmëra, m'u përvëlua! Po një punë q'ësht' e thënë E vjen nga Zot'i vërtetë, Nuk' është në dorët tënë, S'i gjëndetë bar në jetë. Tani mos del nga qyteti, Se s'kemi nevojë kaqë, Armik pothua s'na mbeti, Me të gjithë kemi paqë Edhe vetëm mos më lerë, Kur të kesh volinë, jakë E më piq ngandonjëherë, Të rrim' e të flasim pakë S'dua të mërgohesh meje, Se unë tek ti kam shpresë, Njeriu tjatrë veç teje, Në jetë nuk' i sjell besë Më pastaj në dashtë Zoti, Në u bëftë si them unë, Si të mbarohetë moti, Kam mejtuarë një punë, Të të bënj mbret e të parë, Si i kam thënë tyt eti, Përmi gjithë shqipëtarë, Se froni sot ty të mbeti." Kshu tha, po ja kupëtonte Skënderbeu djallëzitë, Bëhej sikur i besonte Dashurin' e miqësitë. Kohë në qytet qëndrojti, S'delte fare nga shtëpija, Murati ç'kish bër' i msojti Të gjitha nga miqt' e tija. Të vëllezërit' i vinin Në ëndërrë, edhe plaku, Kundrejt si hije i rrinin, Si krua u rrithte gjaku! Skënderbeu kohë priste, Edhe volinë kërkonte Sulltan Muratnë ta vriste Edhe fronë ta rrëzonte, Të hiqte kordhën' e gjatë, E t'i bij sa kish fuqinë, T'ja bëj krahërorë govatë E t'i nxirrte mushkërinë, Apo ta shtinte nër duar E posi berrë ta therte, A ta shkelte në krahëruar Edhe shpirtinë t'i merrte, Posi ujku qen' e plakur, Që s'i kanë mbetur dhëmbë, E zë dh'e ngorth pa përgjakur, Duk'e xhvaturë me këmbë! M'anët tjatërë Murati Kishte soje frikë shumë, Synë hapët si lugati E mbante edhe në gjumë! Papo nënë dhet punonte Me djallëzi nat' e ditë, Varrë Trimit i rrëmonte, Po s'i shkonin djallëzitë. Ndër këto gjëndej Murati, Po s'ja kishte ënda vrapnë, E më s'i dha kohë gati, Luftatë sërish u hapnë. Hynjadhi, mbret i Vllahisë, Që kish dhe Transillvaninë, Vlladislla i Polonisë, Q'ish bashkë me Ungarinë, Ju lëshuanë Turqisë Të dy bashkë menjëherë, Në rrëmet të ushtërisë U përzjenë dhe të tjerë. Murati mbloth ushtëritë Me mijë si mizërija, Edhe bëri çpejt gatitë, Sindëkur e kish Turqija. Pa nukë bëri të parë Skënderbe burrën' e trimnë Mbi të gjithë luftëtarë, Q'e kish gjithënjë fitimnë Po Muharrem benë nisi, Q'ish një turk i tëmerruar, Dhe i trashë posi lisi, E dërgoj për të lëftuar, Pastaj ndënj e u mejtua, Rreziknë e kupëtojti, Vet'hesë ju zëmërua Për të parin që dërgojti; Thirri të birë, Mehmenë, I tha: "Si ja shtie unë, Të dërgojmë Skënderbenë, Muharremi s'bën dot punë Po të mos ta bënj të parë, Vetëm ndihmës le t'i jetë, Që të vejë puna mbarë, Shum' urdhërë të mos ketë. Armikëtë Skënderbeu Do t'i muntnj' a vritet vetë, Këjo punë më pëlqeu, Se del mbroth, sido të jetë." Këto tha dhe çoj Mehmenë, Me fjalë të rreme shumë Ta gënjente Skënderbenë, E pandehte q'ish në gjumë. Me të mbaruar Mehmeti, Skënderbeu u mejtua, Pa tha "Kur urdhëron mbreti, Mos më pyet fare mua." Kshu tha dhe në pakë ditë Burri trim e zot' i mirë I mbaroj gjithë gatitë, U nis me shumë dëshirë Sa shqipëtarë që qenë, Nëpër ushtërit i zgjodhi, Dhe të nipnë Hamza benë, E të tjerët gjith' i mblodhi; Mori dhe turq' e të tjerë Ngaha kombet e Azisë, Sindëkur e bën' ngaherë Për sulmët të ushtërisë. I hipi burri trim kalit E mori në dorë frenë, Si dielli majë malit, Kur del e xbukuron dhenë E la për jetë qytetnë, Ndjeu thelbin' e gëzimit, Lëshoj kalën, mori dhenë, Shokët' i ranë pas trimit. Pa një ditë ndaj mëngjesi Dolli më një vent të lartë, Zoti zëmrënë ja ndezi, Erth e ju bë fjesht e zjarrtë! Pa malet e Shqipërisë, Që ndë vogël'i kish parë, Në kohëzët të lirisë, Pa ndjeu në zëmrët zjarrë, Një gas që nuk' e kish ndjerë Që kur lindi, gjer ahere, Kurrë ndonjë tjatrë herë, I erdhi me shumë ndere, Ishte plot me ëmbëlsirë, E kish një të naltë ndjenjë, T'uruarë e të mirë, Të vyer' e pa rrëfenjë. Shtu syt' e pa mëmëdhenë, Lott' i vanë si burimi, Sa shqipëtarë që qenë Qanë gjithë nga gëzimi. Kur n'atë koh' i vjen Mari, Marrë fytyrë njeriu, Edhe gjuhë shqipëtari, Veshur si bari syziu. Mbante krrabënë në dorë, Syn' e zi e kishte pishë, Fytyrënë si dëborë, Sterrë kësul' e këmishë! Ishte posi djalë mbreti, I kish dirsurë mustaqja, Gush' e tij si shkumbë deti, Posi trëndafili faqja. Tha: "Zotërinj shqipëtarë! Luftënë q'u bë e patë? Hynjadhit i vate mbarë, Turqet u dha shumë datë! Nuk' e patnë Skënderbenë, T'i nderonte këtë radhë, Të shumët kafshuan dhenë, S'e hangrë dot me Hynjadhë Nëpër fushat kanë rarë Ca më bark e ca mi krahë, Të plagosur' e të vrarë, Bërë të varfërit rrahë! Të pakëtë që shpëtuan, U kthyen' e zunë vrapnë, Tani posa kapëtuan, Posi zoqtë u përhapnë, Të tërë muarrë dhenë, Njëri tjatërin s'e panë, E shihni Muharrem benë? Krye të par' atë kanë, Përtej në rrëzët po shkojnë, Sindëkur i kanë thyer, Ikin me nxit e s'vështrojnë, E kanë për të rrëfyer!" Skënderbeu duke parë Turqit' e Muharrem benë Të prishurë e të vrarë, Dhe gjaknë që mbyti dhenë, Sa s'ishinë shqipëtarë I hoqi gjithë mënjanë, U tha: "Hiqi ju më parë, Nga të tërë shokët tanë, Të piqni Muharrem benë E gjëkundi mos e lini, Gjersa të zërë qytenë, Ikëni e më mos rrini." Tha kshu, dhe ata u ndanë, Duallë nga ushtërija, Kuajtë me vrap i nganë, U ra pas dhe këmbësija. Ahmeti tha: "Skënderbeu Pse i ndau shqipëtarët E neve vetëm na ktheu, Po nxitojmë si të marrët?!" Kshu tha, pastaj u mërguan, Shqipëtarët vetëm mbenë, Qëllimet i kupëtuan. Po shikonin Skënderbenë. Skënderbeu u gëzua, Shqipëtarëtë i mblodhi, I vështroi posi dragua, Trimëri në shpirt u hodhi, Duke u thënë:"Shqipëtarë! Vdiqmë a jemi të gjallë? S'jemi ne q'ishim më parë? Kjo prapësi ç'është vallë? Të lëftojmë për Tyrqinë E të lëmë mëmëdhenë, Të harrojmë Shqipërin Të vrasim vetë vethenë! Të vuajmë për Tyrqinë! S'shihni tyrqit ç'na punuan, Gjaknë duan të na pinë! Shpirtin të na marrën duan! Turp i math e turp përjetë Të bjerë kshu Shqipëria! Të mbesë pa zot, e shkretë! Të urdhëronjë Tyrqia! Ta prishnj' e ta varfëronjë, Në rrezik të math ta hedhë, Ta ndynj' e ta dobëtonjë, Ta mundonjë nënë xgjedhë! Si foshnjatë na gënjeu E me djallëzi na shturi, Gjithë ç'kishim i rrëmbeu, Në dorë, si desh, na vuri! Më dobëtoi Shqipërinë, Më vu në kurt shqipëtarë, Ma mbylli fare shtëpinë, Nukë më la fis e farë! Tani duhetë ta themi: U ndothmë fare në gjumë, Si të vegjëlit i rremi Na qeshi, na qeshi shumë! Po paskëtaj të më shohë, Se arriti dit' e mbarë, Për së çpejti do ta njohë, Do ta njohë shqipëtarë! Në millt shpatën s'e vë kurrë, Pa dëbuarë Tyrqinë! Të vinjë kush është burrë Të shpëtojmë Shqipërinë! Ç'e dua unë vet'henë Me turpit të Shqipërisë, Nuk e shoh dot mëmëdhenë Nënë xgjedhët të Tyrqisë!" Kush është bir shqipëtari, E ka pjesë trimërije Sot një flakëzë pej zjarri, Në zëmër' i zbret Perëndije." Kështu tha me zë të zjarrtë Trim i bukur Skënderbeu, Zëmrat' i dogji si kartë Të tërë i mallëngjeu. Këto fjalë shqipëtarët I bënë më shumë trima, Gjithë s'mbanin dot të qarët Q'u vinte si vetëtima; Posi deshtë me kurorë E rrethuan Skënderbenë Me rradhë muarrë dorë, Lidhë bes' e bënë benë. Me fuqit të Perëndisë Mari ngul krabën e tija, Hap fjamurn' e Shqipërisë, Thotë: "Rroftë Shqipërija!" Fjamurit gjithë ju falë Me shumë gas e me shpresë, Duke thënë disa fjalë Të urta me besa-besë. Burri trim u fal me Zonë Me zëmërë të ndrituar E më nukë mbeti vonë, Po kur e panë kaluar, Kur hingëllinte Bardhushi, Q'ishte i math e i lartë, Me flakë gazi ja mbushi Zëmrënë, q'e kish të zjarrtë! Fluturoj posi fajkua, S'shkelte mbi dhe, po ndë erë, E rrëfenin si pallua Leshratë dhe bisht'i gjerë! Dëgjoj q'erdhi Skënderbeu, Rrodhi gjithë Shqipërija, Ngriti krye mëmëdheu, Pru lirinë Perëndija! Zokn' e mjerë kur e vënë Në kuvli, qysh varfërohet, As ha as pi, as nxjerr zënë, Po unj kokën' e mejtohet, Si ajy q'e kanë vënë Në burk e në të këqija, Ndë hekura duke shtënë, Pa i digjet mushkërija, E kur shpëton nga kuvlija, Qysh fluturon me gas shumë, I bëhetë zëmër' e tija, Q'e ka të butë si brumë, Ashtu edhe Shqipërija Anembanë u gëzua, Dhe djalli e djallëzija U përmbys e u mërgua. Erdhi si vera lirija Edh'e nderoj Shqipërinë, Dha urdhërë Perëndija, Pa e shpëtoj njerëzinë. Si shqerratë kur kërkojnë Mëmatë me blegërimë, Rreth e rrotullë vështrojnë, Me një sy si vetëtimë, Ashtu edhe Shqipërija Po e kërkonte lirinë, Pa ja fali Perëndija, I dha gjithë mirësinë.
| |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Naim Frashëri 6th October 2011, 12:57 | |
| Historia e Skenderbeut VI
Kruj', o qytet i bekuar! Prite, prite Skënderbenë, Po vjen si pëllump i shkruar, Të shpëtonjë mëmëdhenë Shqipëtarët t'i shpëtonjë Nga xgjedh' e keq'e Tyrqisë, Edhe ty të të nderonjë, Që je krej'i Shqipërisë, Ka pas trima shqipëtarë, Që s'u trembet syri kurrë, Ndë zëmërt të tij ka zjarrë, Ësht' i urt' e trim e burrë. Mirë se erdhe, o verë! Që na prure mirësinë, Dhe për shumë vjet të tjerë E zbukurofsh Shqipërinë. O Shqipërizë! gëzohu, Se të erdhi prapë dita, Lulëzohu, zbukurohu, Të zbriti nga Zoti drita! Edhe juve, o të vdekur, Merri ngaha ky gas pjesë, Që shkuatë buzëpjekur, Nd'atë jetë, paçi ndjesë! O moj vash' e Shqipërisë, Që më rri duke mejtuar, Pa i xhvish rrobat' e zisë, Arriti dit' e uruar. Zbardhi fusha, ndriti mali Nga armët' e trimërisë, Hingëllint'e s'mbahej kali, Që sill mbren' e Shqipërisë Trimatë bashkë me mbretnë, Me nxit posi vetëtimë, U futn' e zunë qytetnë Me të madhe kërcëllimë. Turqit, q'e kishin qytetnë, Papandehurë e panë Që u dha si drita, mbretnë, Pa s'hapnë goj' e gjë s'thanë Se fjala po q'u dëgjua, Që vinte i bir'i mbretit, Shqipërija u lëshua Edhe ju derdhë qytetit; Burrat trima më s'mënuan, Gjith' u mblodhë posi reza, Kryeqytetn' e rrethuan, Armikn' e preu e zeza. Zjente bota, tundej dheu, U ngrit gjithë Shqipërija, Duke thën': "Erth Skënderbeu, Erdhi vetë Perëndija." Mysliman' e të krishterë U derdhë për mëmëdhenë, E kishin të bashkë nderë Si vëllezërë që qenë Pa Zoti nuk' i la shkretë, U bë mbret' i Shqipërisë Trim'i mir' e i vërtetë, U mbarua koh' e zisë. Pleqtë, q'e kishinë parë Në kohët të foshnjërisë, Van' e puthnë duke qarë Dritëzën' e Perëndisë. Gjithë ç'qenë shqipëtarë Me rradhë mbretit i vanë, Si vëllezrë më të parë, E me gas të math e panë. Skënderbegu, bukuroshi, Burri trim pa shok në jetë, Miqtë gjith' i përshëndoshi, Posi vëllath i vërtetë. U sul gjithë njerëzija, Të shihninë Skënderbenë Pleq, të rinj dhe foshnjërija Gjith' e donin shumë mbrenë. Pa Skënderbegu dërgojti, Të parin e turqet pruri, S'e shau dhe s'e qërtojti, Po afër soje e vuri; I tha: "Sulltani harrojti Fjalënë dhe miqësinë! Me ç'sy e faqe dërgojti, Edh'e shkeli Shqipërinë? E dinë bota e tërë, Edhe vet' e di Murati Fjalënë që kishte bërë E besën q'i dha tim ati! E dini si kam lëftuar Për sulltan e për Turqinë, Dhe ajy qysh më ka shuar Vëllezërit' e shtëpinë! S'janë punëra të lehta Këto që janë punuar, Dhe nukë rrinë të pshehta As janë për të harruar, Njeriut që të bën mirë T'i bësh kaqë të këqija, Nuk i bën as nj'egërsirë Këto që bën mbretërija, Të isha turk edhe unë, Ta kisha zëmrënë kllirë, Sot u bënja tjatrë punë, Nuk' u flisja me të mirë. E drejta vetë rrëfehet, E të miratë po njihen, Çdo gjënë jetë çpërblehet, E gjësendi nukë lihet. Mbret ndër ju 'shtë djallëzija, Nuk' është kurr' e vërteta, Dhe ligj' është ligësija, Edh'e rremeja e shkreta! Nesrë të ngrihesh pa gdhirë, Merr shokëtë edhe shkoni, E pa bërë ditë mirë, Qafënë ta kapëtoni; T'u ap njerës, t'u përsjellin, E njeri të mos u ngasë, Në mes të tyre t'u pshjellin, Kurrëkush të mos u flasë." Këto fjalëz' i tha mbreti, Turku ndënj e u mejtua Një copë herë së qeti, U vrenjt e u sgurdullua. Po domosdo e dëgjojti, Dolli me mejtim nga dera, Menatë u ngrit e shkojti, Më s'e zuri drekëhera. Kështu e bëri Osmani, Q'ish në Shqipëri i parë, I dërguar nga sulltani, Po s'i vate puna mbarë. Në fortesat gjithë ç'qenë Nga ushtëri' e Turqisë, E dëgjuan Skënderbenë, Q'erth në front të Shqipërisë, Dhe u ra gjithëve pika, Ikn' e lanë Shqipërinë, Më s'shikuan pas nga frika, Po muarrë arratinë. Të pakëtë që kuxuan E s'ikënë si të tjerët, Dëm e kotë u munduan, E pësuanë të mjerët. Rrëmet'i faqes së dheut, Të vij më një vënt' i tërë, S'ja dilte dot Skënderbeut, E gjë s'kishte për të bërë. Menjëherë Shqipërija E hoqi cipën e zisë, Dolli në shesht mirësija, Ra dritëz' e Perëndisë. U hoq nata, erdhi dita, Gazi, kamja, dashurija, E vërteta, miqësija. Mbretëritë e dëgjuan Se u bë mbret Skënderbeu, Mbretëtë gjith' u gëzuan, Këjo punë u pëlqeu. Dërguanë më të parë, Me miqësi, me uratë, Njerzët të urt' e të mbarë Te mbreti i madh jetëgjatë Me mënyrë të pëlqyer E me shumë nder i priti Mbreti, edhe më të kthyer, Gjer në funt të shkallës zbriti. Nga gjithë mbretrët m'i madhi, Që ishte burr' i vërtetë, Dhe shum' i ndjerë, Hynjadhi, Erth te Skënderbeu vetë, Pa u ngrit dhe erdhi vetë Dhe Vlladislla si Hynjadhi, Ndënjnë ditë shtat' a tetë Te shpirt e zëmërëmadhi; Erdh' e panë Skënderbenë, Mbren e ri të Shqipërisë, Q'emër i tij mori dhenë Si emër' i Perëndisë Mblodhi pleqt' e parësinë, Si përsolli dhe Hynjadhë, E Vladisllën, Shqipërinë E vu në sër' e ndë radhë, Mbretëri ishte lirija, Që kish çdo shqipëtar pjesë, Ligë ishte njerëzija, Vëllezërija ish besë. Si e ndritoj Shqipërinë, Vuri punëtë me radhë, Vate të shihte shtëpinë, Po ç'të shohë! një gërmadhë! Mall'i sat ëm'e tyt eti, Skënderbe! atje të shpuri, E madhe gjëmë të gjeti! Ra qielli e të zuri! Dallëndysheja kur kthehet E gjen prishurë folenë, Qysh qëndron e mallëngjehet? Ashtu e gjet Skënderbenë. Gjësendi s'kishte harruar Të kohës' së miturisë, I kishte ndë krahëruar, Me mallthit të njerëzisë! Pa andaj shum' u helmua, Se s'i gjet si i kish lënë, Me psherëtim' u mejtua, Tha: "Nukë qënka thënë!" Ja mbuloj zëmrënë zija, Lottë si gurra i vanë, Në gjith ato të këqija Përnjëherë erdh' i thanë" "Motërat' e zotërisë Të gjitha bashkë po vinë", Pa mbreti në mest të zisë Ndjeu gaz' e la shtëpinë. Me vrap si qifti u kthye, Të shihte motrat' e tija, Zëmëra ju përdëllye, I dha durim Perëndija, Të gjorat motra kur panë Mbrenë trim të Shqipërisë, Të vetëmëthin vëllanë, Ëngjëllin' e Perëndisë, Që më s'e kishinë parë, Si e mori penk Turqija, Në foshnjëri ishin ndarë, Dhe q'atë dit' u ra zija; Pa i kishin shumë mallë N'ato ditët të këqija, I kishinë sy në ballë E shpresë nga Perëndija; Papo bashkëzë të pesa Në mest të tyr'e rrethuan, U zbriti nga Zoti shpresa, Me mall shum' e përqafuan. Zot' i math e i vërtetë! Emri yt qoft' i lëvduar, Të qofshim falë për jetë, Mos qofshim teje mërguar! Ti i dhe nder mirësisë, Dhe zëmrës' së mallëngjyer Në vajt e në mest të zisë Ngushëllimn' i ke rrëfyer! Skënderbe, pa lere vajnë, Se po vinë shqipëtarët, Dhe burratë trima s'qajnë, Lëre, pa lëre të qarët, Se 'shtë në gas Shqipërija, Q'erdhe ti, mbret i vërtetë, Sikur zbriti Perëndija Nga qiejt' e lartë vetë. Pa këndo me ëmbëlsirë, O ëngjëll i ligjërisë, Atë burrë trimn' e mirë, Q'i dh'aqë nder Shqipërisë. Këndo, këndo Skënderbenë, Që s'ka pasur shok në jetë, Që lartësoj mëmëdhenë, Kordhëtari trim me fletë! Lum ti, Shqipëri, o lule, Që pate trim të vërtetë, Kurrë në turp nuk' u ngule, Të la nder të math përjetë! Mos ki keq, se kurdoherë Do ta kesh ditën' e mbarë, Koha ty do të ta bjerë, Si ta pat prurë më parë, Po të dojë fati, plaku, Të t'apë foshnjë të rezë, Qumësht të bënetë gjaku, Dhe më s'sheh ditë të zezë. O kohë, që rrjeth si lumi Edhe s'rri gjëkundi fare, As dremit, as të zë gjumi, Dhe më t'errët hiqesh xvarrë, Hapu, hapu, errësirë! Të shoh mbren' e Shqipërisë, Trimn' e bukur' e të mirë, Nder' e gjithë njerëzisë, Rrethuar me burra trima, Shqipëtarë të vërtetë, Me fjal' e pa blegërima, Me mënt e pa gjë të metë, Në fjalë t'urt' e të qetë, Të but' e të kupëtuar, Në luftë trima me fletë, Posi kuajt' e harbuar, Qysh duken yjtë kur erret, Që ndrijnë në hapësirë, Edhe në mes të të tjerët Prëma ndrin shumë më mirë, { Yll i Mbrëmjes, Afërdita } Ashtu edhe ti më ndrinje, Mbret i math i Shqipërisë, Në mest të shokëvet rrinje Posi drit' e Perëndisë. Zoti dha një vetëtimë, I tërë qielli ndriti, Një gjëmim, një kërcëllimë, Malet' e lart' i trënditi. Oshëtimë dha Tomori, Edhe zjarr e flakë qiti, Flaka qiellinë mori, Gjithësija vetëtiti. Këjo shënjë s'ish e pakë Që dha Zoti mi Tomorë, Nxori zjarr dhe zë e flakë Nga majatë me dëborë! Hodhë syt' e panë malë Dhe gjithë më këmb' u ngrinë, Kur më der u dha një djalë, Tha: "Rrëmet i math po vinë." Se fjala kish marrë vrapnë, Pa kishte mbushurë dhenë, E hapi sa mundi çapnë Dh'e dëgjuan gjithë ç'qenë Shqipërija anembanë Ish në dasm' e në gëzime, Ditën' e liris' e panë, Që e pritin pa durime. O liri e shënjtëruar! Ëngjëlli i Perëndisë, Erdhe me gëzim ndër duar, I dhe dritë Shqipërisë. Vallë kur do të vish prapë, E të na sjellç atë ditë, Përse rri pshjellë me napë? Pa hiqe, të shohëm dritë! Mbreti posi Perëndija, Ishte mbyturë në dritë, Rrij ndaj soje bukurija, Edhe gjithë mirësitë Mejtohej si të shpëtonjë Mëmëdhenë nga mynxyra, Ta ngrer' e ta lartësonjë, Edhe i qeshte fytyra. Parësin' e Shqipërisë, Që i erdhi Skënderbeut, Ati' mbretit t'urtësisë, Mbretit trim të mëmëdheut, Ti ëngjëll, do të ma thuash, E të m'i sjellç në mënt mua, Dhe një nga një të m'i quash, Si ç'i ka ndër mënt të tua. Nga gjithë, q'erdhë, m'i parë, Dukagjini, mbret i ndjerë, Që s'pat shok nër shqipëtarë, Dhe Zahari me të tjerë, Sicili nga vend' i tija U nis e gjithë u derdhë, Të shumë si mizërija Skënderbeut miq i erdhë. Mëndjeshumi Araniti { Aranit Komneni } Me shumë shokë të ndjerë Pej Vlore me vrap arriti, Edhe të tjer' e të tjerë, Tanush Topja dhe Gjon Shpata, Të parët' e Shqipërisë, Erdhë edhe Lato Gjata Ndë rrëmet të parësisë, Edhe Maneshi nga Berati, Moisi Dibrani burrë, Shumë të parë nga Mati, Trima të patrëmbur kurrë Prens' i perëndishm' Urani, Që kish shum' emrë qëmoti, Me burra nga Elbasani, Edhe Boshdar Nartioti, Palë Dushmani i ndjerë, Dhe bukuroshi Gjon Kokë, Një i parë nga çdo derë E me shumë trima shokë. Trimatë nga Malësija Erdhë me armë të lara, U çkul gjithë Shqipërija, Kshu ishin kohët' e para. Gjithë erdh' e u gëzuan Kur e panë Skënderbenë, Dhe me gas van' e qafuan Si vëllezërë që qenë Me zemrë të dëshëruar Mbreti të gjithë i priti, Me fytyrë të gëzuar, I qafoj e i gostiti. Në mest të ati' rrëmëti, Q'ishin mbledhur të tërë E ish mbushurë qyteti, S'kish ku yë hithnje gjilpërë, U ngrit mbreti i ndjerë, Fjalëëmbëli zëbukur, Araniti mendjegjerë, Q'ish i hijshëm' e i dukur, Gjithë trimatë pushuan, Vunë vesh ndë fjalë mirë, Plaknë me mënt e dëgjuan, Që flit me shum' ëmbëlsirë. Tha: "Vëllezrë shqipëtarë! Ju miqthit' e Skënderbeut, Mbretrë, zotërinj, të parë, Gjithë djemt' e mëmëdheut! A e dini, sot, o shokë, Rrezik i math nga Azija Na ka ardhurë mi kokë, Po s'poshtetë Shqipërija; Zot'i madh pastë lëvdatë Që nuk e la Shqipërinë Pa zot, pa mbret e pa atë, Kurrë s'ja zbriti fuqinë, Mbret i gjithë Shqipërisë Sot të jetë Skënderbeu, Erdhi ng'an' e Perëndisë, Të shpëtonjë mëmëdheu; Gjithë, ç'jemi shqipëtarë, Këtë zot për mbret ta njohim, Dhe për të math e të parë, Pa ashtu punë të shohim; Në doni që të shpëtojmë, Çë të thot' ajy të bëjmë, Fjalën' e tij ta dëgjojmë Dhe kurrë të mos bëzëjmë. Se turku kërkon ta hedhë Në robëri Shqipërinë, Në zi, në brengë, në zgjedhë, Pa rreh ta bënjë të tinë. Po nukë humb trimërija, Shqipëtarët s'e harrojnë, Do t'i ndritonj' urtësija, Se t'urtëtë kupëtojnë." Kshu the, plak i perëndishmë! Mbret' i ndjer' e i lëvduar! T'ish njeriu i tanishmë, Mase s'të kishte dëgjuar; Po ata të gjithë ç'qenë, Zotërinjt' e urtësisë, E njohnë mbret Skënderbenë, Mbren' e gjithë Shqipërisë, Mbret mbi mbretërët të tjerë, Mbi gjithë ç'ishin të parët, Mbret e trim e burr' i vlerë Përmbi gjithë shqipëtarët. Gjithë përnjëherë thirrë Parësija dhe rrëmeti Me gas shum' e me dëshirë, Sa u tunt gjithë qyteti: "Mbret i gjithë Shqipërisë Do të jetë Skënderbeu, Edhe hij' e Perëndisë, Q'i kish mallë mëmëdheu." Paskëtaj të gjithë ç'qenë Mbledhur atje atë ditë, E rrethuan Skënderbenë, Ajy në mest posi dritë Së pari mbretëtë vanë Edhe pleqtë e të parët, Dorën' e besën' i dhanë, Pastaj gjithë shqipëtarët. Papa edhe mbretëritë E njohnë mbret Skënderbenë, Edh'e njohnë q'atë ditë Më të math nga gjithë ç'qenë Të gjith' e vunë të parë, Kordhëtar' e Shqipërisë, Të math mi gjith' ushtëtarë, Se do t'i binin Turqisë, Sa nder mori Shqipërija, Edhe ç'emrë shqipëtari, N'ato ditët të atija, Q'u bë nga gjithë m'i pari! Ishte i par' i të paret, Edhe krej'i ushtërisë, Ball' i gjithë luftëtaret Dhe i gjithë njerëzisë. Skënderbe, o jetëgjatë, Më nise këngë dhe valle, M'u zbavite dit' e natë, Me miqthit' e tu u çmalle! Sa lodra e sa gëzime! Sa gjahe dhe bredhj' e vrape, Dhe kalori e dëfrime, Derën' e parajsës hape! Kuajvet, që hingëllinin, Flak' u delte nga potkonjtë, Dhe armët' e lara ndrinin, Me vrap nxitonin langonjtë. O kohë që nxiton shumë, Poshtë kurrë nukë bije, Po ikën me vrap si lumë, Ato që merr, ku i shpije? Shtrigë, kuçedr' e pabesë! Ha djemthitë q'i pjell vetë! Asnjë nukë munt të mbesë Pa ngrën' ajo goj' e shkretë? Edhe dielli, q'ep dritë, Edhe hëna do të vdesë? Edhe yjtë nonjë ditë Do t'i hash me të pabesë? Evropa ishte e shuar Edhe gjithë njerëzija Nga frika ishte tmerruar, Prit' shpëtim nga Shqipërija. Gjithë mbretrëtë që qenë, Shqipëris' i prunë besë, Dhe mbren' e saj, Skënderbenë, E kishin të par' e shpresë, Ç'u bë emr'i Shqipërisë, Dhe liri e saj e ndjerë? Ajo drit' e Perëndisë Vallë më s'vjen tjatrë herë? Në kurt kurrë Shqipërija Nukë hyri, e në zgjedhë S'e ka shtënë Perëndija Edhe nukë do ta hedhë, Po kërkon emrin' e vjetrë Dhe nderë që pat njëherë E s'e kish nonjë vent tjetrë, Zoti sërish do ta bjerë.
| |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Naim Frashëri 6th October 2011, 12:57 | |
| Parajsa I
O vëllezrë shqipëtarë! Pa të zëm' udhën e mbarë, T'i bijem pas urtësisë Dhe dritës e diturisë, Të mos rrimë n'errësirë, Se nuk është pun' e mirë. Neve që qemë njëherë Në gjithë botët të ndjerë, Dhe të par' e të lëvduar, E të rënd' e të dëgjuar, Trima të fort e të mirë, Të rrimë sot n'errësirë. . . . . . . . . . . . . . Ishin trima prindit tanë, Pa emrë përjetë lanë. Aleksandr'i Math i ndjerë Dhe shumë shokë të tjerë, Q'ishinë me të të parë, Qenë gjithë shqipëtarë. Muntnë së pari Greqinë, Pasdaj muntnë dhe Persinë. Zunë dhe Hind e Afrikë Burratë trima pa frikë. Faqen e dheut e fituan, Më çdo anë mbretëruan. Selefqinjtë, Ptolemenjtë, Gjithë ç'qenë të mbëdhenjtë, S'qen' as grekrë as bullgarë, Ishin burra shqipëtarë. Kombinë tën e nderuan Dhe Evropën e shpëtuan Nga kurt' i zi i Persisë, Dh'i dhanë nder Shqipërisë. Pirrua romanët mundi E gjithë jetën e tundi. Kostandin'i Math, q'i thonë, Dh'ajy ish nga fara jonë. Gjithë njerëzit e mbarë, Thua, qenë shqipëtarë. Shqipëtari ka lëftuar, Dhe ajy ka mbretëruar. Aleksandr' i Math Greqinë E kishte bërë të tinë, Me luft' e kishin marë Prindit tanë kordhëtarë, Pa në Thivë njerës lanë, Thivasit u ngren' i vranë, I vranë me të pabesë, Pas zakonit të Moresë. Shqipëtarët kordhëtarë Thivësë i vunë zjarrë! S'i kursyenë gjë zjarit, Vetëm shtëpin' e Pindarit, Se ish vjershëtor i ndjerë Dhe i parë mi të tjerë. Shqipëtarët pas Greqisë Iu lëshuanë Asisë, Njeri kurrë nuk i mundi, As u qëndroi dot gjëkundi, Gjithë përpara i vunë, Faqen e dheut gjith' e zunë. Burr' i math i Shqipërisë Ndënji në fron të Persisë, E arratisnë Daranë, Njerëzit e ti e vranë! Aleksandri dha lirinë, E shpëtoi nga zgjedh' Asinë, I dha nder dhe Shqipërisë, Mëmës së ti, q'i dha sisë, Përkujdesi njerëzinë Dhe pruri qytetërinë, Bëri udhë e qytetë, Pru gëzim në gjithë jetë Edhe sot Aleksandria Na rrëfen punët e tija. Evropën e ka shpëtuar Nga një zgjedh e mallëkuar. Këto punë shqipëtarët I bënë, ata të parët, Ata të parëtë tanë, Edhe emërë na lanë. Edhe Pirroja ish burrë, Që s'ka pasur shokë kurrë. Ay romasit i mundi, Italinë tër' e tundi; Tekdo që kishte lëftuar, Botën e kish tëmerruar. Kështu edhe shumë të tjerë Shqipëtar' ishin të ndjerë. Ishte mëm' e trimërisë Edh' e zonj' e urtësisë Shqipëria kurdoherë, Që nxirte burra të vlerë. Trima burra të vërtetë Sa kanë qënë në jetë Të gjithë ajo i polli, Trimëria soje dolli. Qe dhe një koh' e një ditë, Që polli dhe perënditë, I pat pjellë Shqipëria, Pa u falej njerëzia, Dhe besoninë qëmoti Që në Shqipëri rrij zoti, Vij rremet i njerëzisë, E i falej Shqipërisë. Tomori nuk ësht' i pakë, Që nxjer dhe sot zë pa flakë, Se rrininë perënditë Ndë atë natë e ditë! Prindit tanë i besonin Perëndit' e s'i mërgonin. Perëndi e trimërisë Ishte mëm' e Shqipërisë. Shqipëtari trim me fletë Rronte gjithënjë në jetë, Shigjet' e ti vrëngëllinte, Vdekjenë me vet' e shpinte! Perëndi e bukurisë Me shijët të gjithësisë, Q'ësht' e bardhë si dëborë Nuk e lij kurrë Tomorë, Flinte në shtratthit të artë Shtat' i bardhë posi kartë. Leshërat i kish të arta Edhe faqezët të zjarta, Ballë, gushë, krahëruar, Llërë, pulpë, këmbë, duar, Prej drite ishinë bërë, Sikundër dhe trup' i tërë. Si dëbor' e kishte gjinë, Pa sill nër mënt bukurinë! Kur kthehej e të shikonte, Zëmrënë ta përvëlonte. Zën' e kishte si bilbili, Faqetë si trëndafili, Diellin e urdhëronte, Në gjit të saj perëndonte, Në shtratthit të saj e vinte, Edh' e mbant' e nuk e linte, Tërë natën e pushtonte, Pa në mëngjest e lëshonte. Hëna këto duke parë, Dhe duke tretur e tharë, Ligej fort shum' e drobitej, Kahënitej e venitej, Se i haj zëmrën nakari, Që djek i shkreti si zjarri. Perëndi e bukurisë, Q'i ip dritë njerëzisë, Nga gjir' i saj dritë qitte, Hënënë e përsëritte, I ip pjesë bukurie Edhe shij' e drit' e hije. | |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Naim Frashëri 6th October 2011, 12:57 | |
| Parajsa II
Dhe fqinjët e Shqipërisë, Armikët e perëndisë, Kshu treteshin nga nakari, se ish burrë shqipëtari. Sa mbretërë të dëgjuar, Në Shqipëri të uruar, Sa burra të fort' e trima, Me vështrim si vetëtima, Kan' ardhur e kanë shkuar, Dh' emri s'u është haruar! Me ta bashk' ish trimëria, Dhe me ta ish urtësia, Të dyj' ato mbretëronin, Mëmëdhen' e lulëzonin, Ish parrajsë Shqipëria, Se ishte gjall mirësia. Bukuri e perëndisë, Perëndi e bukurisë, Këmbergjëntë, leshflorinjtë, Duke mbledhurë pëqinjtë, Në Shqipëri tekdo shkelte, Bari mbint' e gjethi çelte, Dhe luletë lulëzonin, E bilbilëtë këndonin. Ajo dhe në re qëndronte, Edhe nd'erë fluturonte, Tekdo vij, ip bukurinë, E përndante mirësinë. Bëheshin mollëtë ftonjtë, Portokaletë, lemonjtë, Manatë, rrushtë, qershitë, Fiqtë, arratë, lajthitë, Pjeshka, thana, vadhja, shega, Ulliri me shumë dega, Gruri, misëri, peceli, Elbi, tërshëra e meli. Ish i veshur vëndi gjithë, Dhe pill shumë pem' e drithë, Drur'i dardhësë me dardhë Ish si zonja sisëbardhë. Nër fushatë luleshumë Lumënj vrapmëdhenj pa gjumë Shkoninë duke kënduar Me kanisk të math nër duar. Ata mëmë kanë renë, E ajo ka atë denë. Dheu, kafshëtë, bagëtia, Shpestë, gjithë njerëzia, Pin' ujët e tyr' e prehen, Dhe bimërat pa të s'bëhen. Tek shkonte lum' i uruar, Q'ishte si ar i kulluar, Kafshëtë dhe bagëtia, Lëçinin si mizëria. Edhe grat' e Shqipërisë Gjithë me foshnjë në sisë, Sicila ish mbretëreshë Dh'e bukur si pëllumbeshë S'shihnje një gjë të shëmtuar Dhe pa gas e të helmuar. Edhe vashëzë mes'hollë I kuqte faqja si mollë, Dorën q'e kish pej ergjëndi, S'e hiqte nga avlëmëndi, Gjithë ç'i duhej në jetë, I bënte të tëra vetë. Në viset të Shqipërisë S'kish gjë përveç mirësisë, Moskamja dhe varfëria E të tjera të këqija? Kurrë në Shqipëri s'ishin, Mase dhe emërë s'kishin. S'kish as kurva as kurvarë, as të liq kish as kusarë, Gjithëkush vetë punonte, E njeri nukë përtonte; Sicili fort mirë shkonte, Haj, pij dhe tepëronte; Këto me djers' i fitonin, Më shumë nukë kërkonin, Se kish duk nga perëndia Dhe uratë Shqipëria. Ish shumë trim shqipëtari Dhe i bukur si fill ari, Si burratë edhe gratë Ishinë trime me shpatë, Ish ligë vëllazëria, Edhe besë miqësia. Shqipëria gjithë nderë Kisht' e ishte shum' e ndjerë. Shqipëtari ish i mirë, Dhe kish emër të pavdirë. Shqipëria shum' e vlerë Ish e madh' e gjat' e gjerë, Se ahere s'ishin shqehtë, As maxharëtë, as vllehtë, Ishin gjithë shqipëtarë Në atë kohët të parë, Qeltëtë kishinë fqinjë, Q'ishinë brinjë për brinjë. Ishte një tjatrë jetë, Shi t'artë shtininë retë, Ish një ver' e gjithënjëshme E një kohë shum' e bëshme, Dhe në dimërë vërritë, Që mbaninë bagëtitë, Ishinë plot manushaqe, Dheu kish bukuri mi faqe. . . . . . . . . . . . . . . Shqipëtar' ish i vërtetë, Trim i bukur e i qetë, Fjalënë që ip, s'e kthente E s'doj kurrë të gënjente. Të miratë gjithë ç'janë I kishin prinditë tanë. Bima pillte kallinj tetë, Nëntë, dhetë, dymbëdhetë. Të tërë dhenë ta rrihnje, Plak të kërrusurë s'shihnje, Veç kalliri unjte kokë, Nukë dilte përmi shokë. . . . . . . . . . . . . . . . Vasha fill e vetëm shkonte, Njeri kurrë s'e shikonte, Në flori ngarkuar shkonje, Gjësendi nukë pësonje. Kish ahere Shqipëria Gjithë ç'kërkon njerëzia, Zot'i math e kish uruar, Pa ishte fatbardhësuar, Kishtej njerës të vërtetë, Trima burra pa të metë, Kish kamjen' e dashurinë, Mirësin' e urtësinë, Ish e tërë një fëmijë, At' e mëm' e bir e bijë, Kish bulmet e pem' e drithë, Edhe të miratë gjithë. Mijëra vjet kështu shkuan, Shqipëtarëtë s'u ndryshuan, Patnë gjith' ato që duhen, Kishinë nder' e lirinë, Pa dhe gjithë mirësinë, Se njeriu e njerëzia Ushqehenë nga liria. Njeriu lindi i liruar, Pasdaj e kanë penguar.
| |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Naim Frashëri 6th October 2011, 12:58 | |
| Parajsa III
Gjithë botënë romanët E vunë poshtë, veç tanët U pren' udhën' e s'i lanë, Pa shumë lufëtra ngjanë. U mbyt në gjak Shqipëria, Po rop s'u bë njerëzia, Nuk' u bë rop shqipëtari, Po qëndroi si ish së pari! Dha shpirtin e gjakn' e derdhi, Në zgjedhë si kau s'erdhi, Mbroi nder' e Shqipërisë Dhe sendrën' e njerëzisë! Mbajti lirin' e ra vetë, Trimërinë s'e la shkretë. Pa kur erdhë egërsirat Me të gjitha të pahirat, Si hynë, shqeh e të tjerë, Duke vrar' e duke prerë, Të gjithë kombet' i zunë Dhe në kurt të keq i shtunë, Njeri përpara s'u dilte, Gjithëkush udhën' u çilte. Vetëm prindit trima tanë "Gjer aty, barbar'!" u thanë. Dhe kur erdhë nga Asia Të shumë si mizëria Turqitë, q'ishinë trima Dhe binin si vetëtima, Pa më thoni kush lëftonte Edhe gjësendi s'pësonte? Vall' elinët a bullgarët! Apo neve shqipëtarët? Njeri tjatërë s'kuxonte, Veç shqipëtari lëftonte! Ajy prap' e ka shpëtuar Evropënë e verbuar. Kush nuk e di Skënderbenë, Që nderojti mëmëdhenë? "Lum ti, moj Shqipëri!" thashë, Armët e ti' kur i pashë Ndë Belvedere në Vjenë, Sikur pashë Skënderbenë. Dhe sot nga armët e tija Kullon fjeshtë trimëria! E di njerëzi e tërë Atë zot ç'punë ka bërë Kur hiqte Skënderbeu shpatë, Trimavet u ipte datë! Burra të veshur në hekur Dhe luftëtarë të pjekur, Q'ishin në luftë kaluar Përmi kuaj të harbuar, Kur hiq me kordhët të prehtë, Q'ishte si pëndëz e lehtë, Posi pjepërin i priste, Në vdekje pa ndjer' i klliste, Njerin' e kalën e çante, Të dy më katër i ndante. Mirësin' e trimërinë, Dhe mëndjen, e urtësinë T'ati zoti njeri kurrë S'e ka pasur nonjë burrë. Vet' ajy burr' e trim ishte, Edhe shokëtë që kishte, Si Tanushi me Uranë, E Moisiu me Hamzanë, Si Maneshi e Muzaka, Që hidheshin posi flaka, E si Lekë Dukagjini, Si Perllati, si Mardini, Zënëbisha, Araniti, Gjon Koka, q'ish si hastriti, Kont, prens, mbretër e të tjerë, Burra të vler' e të ndjerë. Qenë trima të vërtetë, Nuk u bënë rop në jetë. Opopo! ç'kanë lëftuar, E ç'punë kanë punuar! Sa mbretër e prensër qenë, Njohnë të math Skënderbenë, Zun' udhën e urtësisë, Ishinë lark marrëzisë, Për Shqipërinë lëftonin, Madhëritë nuk' i donin, Po kishin vëllazërinë, S'e qasninë djallëzinë, Pa lan'emërë përjetë, Zotërinjtë e vërtetë, Veç Shqipërinë mejtonin, Të tjeratë i harronin, S'kishin ata thashetheme, Të këqija e të rreme, Donin gjithë mëmëdhenë Dhe kombin' e Skënderbenë, Kush i rrij kundrejt Tyrqisë, Veç burrat' e Shqipërisë, As Sërbij' as Bullgaria, As Elladha as Vllahia, As Venetia qëndronte, As tjatërë komp kuxonte. Evropa ishte e shuar, Njerëzit të mallëkuar, Kishin vdekurë nga frika, Nga Turqit' u binte pika, U trëmpnë gjithë me radhë, Dhe Vlladisla me Uniadhë, Si gjithë këta të rinjtë, Dhe papa e vyzandinjtë Më një ditë Konstandinë Turqit' e zunë dh'e pshinë, Kostandinopoj' e ndjerë S'u mbajt, po ra menjëherë. Grekërit' ishin të vdekur, S'hanin dot barut e hekur, Le të mbahen me lëvdatë Grekërëtë posi gratë, Me fjal' e me thashetheme, Janë të gjitha të rreme. Kishte vdekur njerëzia, Rronte vetëm Shqipëria, Veç shqiptari lëftonte, Njeri tjatërë s'kuxonte. Kordhëtar tjatërë s'gjenë, Turqitë, veç Skënderbenë. Skënderbeu me të parët, Me të gjithë shqipëtarët, I qëndruanë Turqisë, I dhanë nder Shqipërisë, Ata duall' e lëftuan, Gjith' Evropën' e shpëtuan. Te Skënderbeu kishte shpresë Aher' Evrop' e pabesë. Rrëfe, o mal' i Sopotit! Edhe ti, Tomor'i zotit! Me oshëtimë tregoni, E me vetëtimë thoni, Dhe ti, fortes' e Beratit! E ju, bregoret' e Matit! Folë, fol' o Drin'i shkretë! Q'i ke parë me sy vetë Të tër' ato ligjërime I mer vesh zëmëra ime. Këto gjithë po i dimë, Më tëhu tani të vimë. Pas Skënderbeut Shqipëria Nukë ra në të këqija, Se në kurt' kurrë s'ka rënë, Poshtë njeri s'e ka vënë, Se shqipëtari ish burrë, Nënë zgjedhë s'hyri kurrë. . . . . . . . . . . . . . . Nder' e vjeftënë e mbajti, Dhe sedrënë nuk e ndajti, Nuk e harroi mëmëdhenë Dhe lirin' e Skënderbenë, I huaj në vëndit tënë S'shkelte dot, se nuk ish thënë Retë muntte të përpinte, Në Shqipëri s'munt të vinte; Fill e vetëm shqipëtari Udhëtonte si m'i pari, Me mbledhët të pleqësisë Shihej pun' e Shqipërisë Ligë kishin të vërtetën, Që sbukuron gjithë jetën, Kishin udhë urtësinë, Besë kishin njerëzinë, Udhërëfenjës e dritë Kishin gjithë mirësitë. Gjithë sa qenë të parë Dhe me mënt e kordhëtarë, Q'i dhanë jetë Turqisë E nder të math Shqipërisë, Të tër' ishin shqipëtarë Sa bënë punë të mbarë, Si Qyprilit' e të tjerë Burra me emr' e të ndjerë. Shqipëtari mbretëronte, Ajy lëftont' e gjykonte.
| |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Naim Frashëri 6th October 2011, 12:58 | |
| Parajsa IV
Shqipëria ishte zonjë E kishte të madhe pronjë, Shqipëria kurdoherë Ka nxjerrë trima të vlerë, Mehmet Alin', Ibrahimnë, Gjikënë, Gjolekë trimnë, Rrapon e Ali Pashanë, Silahdarë e Shkodranë E shumë njerës të tjerë, Si këta dhe më të ndjerë. Ishte vash' e Shqipërisë Ajo zonj' e urtësisë, Dora Distra nga Përmeti, Q'ish në diturit si deti. Gjithë gravet u ka dhënë Nder dhe mëmëdheut tënë. E kush e bëri Morenë? Gjithë shqipëtarë qenë. S'ish shqipëtar Marko Suli? Xhavella e Miauli? Bubulina e Kanari? Shqipëtar bir shqipëtari. Me armët të Shqipërisë Iu hoth themeli Greqisë, Po grekërët e pabesë, Që iu bënë zot Moresë, S'e duanë shqipëtarë, Kërkojnë t'i bëjnë varrë! Po kush bën në këtë jetë Varr' e shokut, bije vetë. Nukë trëmbet shqipëtari Nga greku e nga bullgari, Nga Mal'i Zi, nga Sërbia Nukë trëmbet Shqipëria. S'trëmbet kurrë shqipëtari, Dhe sot ësht' ajy i pari, Bota gjith' e kanë parë Në luftëra shqipëtarë, Plevna, Shipka s'u harua, Koha shumë s'u mërgua. Neve muntmë venetjanët Dhe barbarët e romanët, Turqinë edhe Persinë, Afrikënë e Hindinë. . . . . . . . . . . . . . Gjithë njerëzit e dinë Kush e bashkoi Italinë. Cilët për vdekj' e për kokë Garibaldi kishte shokë? Shqipëtar ishin të tërë, Ata punë kanë bërë. Edhe sot lul' e Turqisë Janë djemt' e Shqipërisë, Njerës t'urt' e të vërtetë, Të ditur e pa të metë. Edhe sot është i zoti Shqipëtari si qëmoti, Çdo punë që ka punuar, Kurdo e ka trashëguar. Këto të vërteta janë, E të rrema brënda s'kanë Njeriu po të mësonjë, Këto do t'i kupëtonjë. Eshtë fjalëz e vërtetë, Që tjatërë komp në jetë S'i arrin dot shqipëtarit, Burrit trim e punëmbarit. Ka nxjerrë e do të nxjerrë Shqipëria kurdoherë Burra t'urt'e të vërtetë, Ka pasur dhe do të ketë. I ka dhënë perëndia Gjithë ç'donte Shqipëria, Se e ka ngrehur përjetë Zot i math e i vërtetë. Shqipëria s'copëtohet, Kurrë nukëvarfërohet, Posi hëna përsëritet, Kurrë nukë kahënitet. . . . . . . . . . . . . .
Gjithë ç'jemi shqipëtarë, Jemi një fis e një farë, Kemi të tërë një shpresë, Një gjak, një gjuhë, një besë, Besë kemi perëndinë Dhe ligë vëllazërinë, Jemi gjithë shqipëtarë, S'jemi të çar' e të ndarë, Jemi shtëpi e fëmijë, At' e mëm' e bir e bijë. Mëmë kemi Shqipërinë Edhe motër urtësinë, Kemi ndihmës trimërinë, Mëm' e atë perëndinë, Se asaj i prumë besë, Të gjith' atje kemi pjesë. . . . . . . . . . . . . . . S'jemi as turq as kaurë, Mos e thoni këtë kurrë, S'jemi grekër as bullgarë, Jemi vetëm shqipëtarë Ky emërë na ep nderë, Pa s'na duhenë të tjerë, Kemi gjuhëzënë tënë, Zot'i math na e ka dhënë, Dhe komp e mëmëdhe kemi, Të humbur në jetë s'jemi. Ajy që s'do mëmëdhenë Dhe kombin e vetëhenë, Dhe gjuhënë që flet vetë, S'është njeri i vërtetë. Ata quhen tradhëtorë, Janë të mjer' e të gjorë, Faqezes e gënjeshtarë Dhe të paqën' e të marrë, E lenë mënjanë nderë E lipin derë më derë Ata janë posi berri Edhe të ndyrë si derri. Nder e vjeftë s'munt të ketë Njeriu i tillë në jetë. Gjithë ç'jemi shqipëtarë, Jemi një s'jemi të ndarë, Kët' emërë mjaft e kemi Dhe na ep nder kur e themi, Eshtë emr'i Skënderbeut, Emr'i gjithë mëmëdheut, Me kët' emrë të bekuar Tanëtë janë lëvduar. Selenik e tatëpjetë Ka qënë dhe do të jetë Vënd'i tër' i Shqipërisë Me ndihmët të perëndisë. O ju fqinjtë e pabesë! Mos bini me atë shpresë, Shqipëria s'copëtohet, Shqipëtari nukë ndrohet. Ju e njihni shqipëtarë, E kini parë më parë, Po mos delni nga kufitë Edhe lini marrëzitë. Që të kemi miqësinë Të gjithë dhe dashurinë, S'ka njeri të marrë pjesë, Për të zonë do të mbesë I zoti ë'shtë shqipëtari, Ajy që ka qën' i pari, S'ka njeri tjatërë pjesë, Pa nukë ka besa-besë. Shqipëria ka të zonë, Q'e ka pasur gjithëmonë, Me qënë gjall shqipëtari, Ç'kërkon greku dhe bullgari? Dhe Mal'i Zi e Sërbia Ç'kërkojnë nga Shqipëria! Hiquni, o të pabesë! Se e zeza do t'u presë! Djemt' e Skënderbeut përjetë Janë burra të vërtetë, Ç'e pandehtë shqipëtarë? Të vdekur, q'i bëni varrë? S'e dini ç'u ka punuar? S'më ngjan t'i kini haruar. Kush ia ka me të pabesë Shqipërisë, do të vdesë, Do të vdes' e të humbasë, Nga nakari të pëlcasë, Shqipëria do të rronjë, Paskëtaj të mbretëronjë. . . . . . . . . . . . . . Në pastë ndër shqipëtarë Pakë grekër e bullgarë, Pakë shqipëtarë janë Vallë nëpër fqinjtë tanë? Ne duam vëllazërinë, Dashurin' e miqësinë, . . . . . . . . . . . . . Pa luftës s'i trëmbet kurrë, Shqipëtari është burrë. Edhe Evropa e tërë Sonte me ne është bërë, Se të drejtën ne e kemi, Ne të zott' e vëndit jemi.
| |
| | | Sponsored content
| Titulli: Re: Naim Frashëri | |
| |
| | | | Naim Frashëri | |
|
Similar topics | |
|
| Drejtat e ktij Forumit: | Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
| |
| |
| Tema Fundit | » Universiteti “Ukshin Hoti” ka arritur memorandum bashkëpunimi me Universitetin Politecnica delle Marche në Ankona të Italisë3rd October 2015, 22:48 nga Administratori» Urimi i Rektorit Vataj për fillimin e vitit të ri akademik 2015/20163rd October 2015, 22:44 nga Administratori» Njoftim2nd October 2015, 16:04 nga Administratori» Njoftim2nd October 2015, 16:04 nga Administratori» Njoftim2nd October 2015, 16:03 nga Administratori» Rezultatet e Provimit Pranues Për Vitin e Parë të Studimeve, për Vitin Akademik 2015-20162nd October 2015, 16:02 nga Administratori» Makroekonomi10th August 2015, 19:46 nga Administratori» Regjistrimi per studentet e rinj27th July 2014, 23:20 nga Administratori» Rezultatet e provimit pranues - Korrik 201427th July 2014, 23:17 nga Administratori |
Statistikat | Forumi ka 878 anëtarë të regjistruar Anëtari më i ri Kujta
Anëtarët e këtij forumi kanë postuar 2271 artikuj v 642 temat
|
Kush është në linjë | 5 përdorues në linjë: 0 anëtarë 0 të fshehur 5 vizitorë Asnjë Rekord i përdoruesve në linjë ishte 45 më 1st November 2024, 16:55 |
MARKETING ~ Just in Time - Vending Machines | |
Sondazh | | Sa ore ne dite lexoni? | Me pak se nje ore | | 18% | [ 6 ] | 1 ore | | 33% | [ 11 ] | 2 ore | | 18% | [ 6 ] | 3 ore | | 6% | [ 2 ] | 4 ore | | 15% | [ 5 ] | Mbi 4 ore | | 9% | [ 3 ] |
| Totali i votave : 33 |
|
Top posting users this week | |
|