Menaxhmenti i UP-së dorëzohet para mësimdhënësve!
Mësimdhënësit e Universitetit të Prishtinës edhe më tej vazhdojë ta
shkelin Statutin e UP-së, përkatësisht nenin 177. Ata, përveçqë në UP
janë në marrëdhënie të rregullt pune, punojnë edhe në kolegje private,
si dhe në Universitetin i Tetovës dhe atë të Evropës Juglindore. As
rritja e pagave nuk i ka ndërgjegjësuar ata që ta respektojnë ligjin.
Ndërkohë, menaxhmenti i UP-së, duke e parë të pamundur luftimin e kësaj
dukurie, këtë çështje e ka lënë në ndërgjegjen e mësimdhënësve. Ata
thirren në një vendim të menaxhmentit, në bazë të të cilit nëse një
mësimdhënës mungon në një orë mësimore, atëherë atij i ndalen 50 euro,
kurse për asistentin gjoba është 25 euro për një orë. Por, a janë apo jo
reale fletë-evidentimet e mbajtjes së orëve mësimore nuk dihet, pasi që
mësimdhënësit ua japin studentëve t’i nënshkruajnë listat edhe për orët
e javëve të ardhshme.
Rugova: I ndëshkojmë mësimdhënësit
Ky kaos, i cili po mbretëron me mësimdhënësit e Universitetit, ka
bërë që cilësia të jetë nën çdo nivel, ngase mësimdhënësit assesi nuk
mund të jenë të suksesshëm nëse punojnë në më shumë se tri katër vende.
Një gjë të tillë e kanë pranuar si menaxhmenti i Universitetit ashtu
edhe studentët, por jo edhe dekanët e njësive akademike.
Lidhur me këtë çështje, rektori i UP-së, Mujë Rugova, për “Kosova
Sot” ka thënë:“Çështja e mbarëvajtjes së mësimit varet nga shumë
faktorë, e njëri ndër ta është edhe disiplina e pedagogut, i cili është i
obliguar dhe i detyruar që në kohën e duhur të jetë në vendin e tij të
punës. Ne si menaxhment i UP-së ua kemi lënë një katërorësh secilit
mësimdhënës që të ketë mundësi angazhimi në një kolegj dhe atë pas orës
16:00, pasi që edhe këta studentë janë tanët, por primare është të jenë
të rregullt në UP”. Ai thotë se mësimdhënësit janë të interesuar që të
punojnë në disa vende, kurse ai ka detyrim ligjor që t’i sanksionojë
ata. Rektori Rugova e ka pranuar faktin se ka mësimdhënës të cilët janë
të angazhuar edhe në Universitetin e Tetovës apo diku tjetër, mirëpo
është shprehur se po të mos lejoheshin ata do të mbyllej Universiteti i
Tetovës.
Studentët frikësohen të përmendin emra
Studentët janë ata të cilët pësojnë nga mosardhja e rregullt e
mësimdhënësve, por hezitojnë të flasim për emra të mësimdhënësve, ngase
kanë frikë nga hakmarrja.
“Mungesat e mësimdhënësve në ligjërata, por edhe në provime janë
mjaft evidente. Në shumicën e herëve pas pritjes 15 minuta akademike ne
duhet vetë t’i kontaktojmë ata për të mësuar se a do të vijnë në mësim
apo jo, në mënyrë që mos të presim kot. Ka mësimdhënës të cilët kurrë
nuk vijnë në fakultet, por ora mësimore mbahet nga asistentët e tij,
mirëpo të tillë nuk janë të gjithë, pasi që ka edhe mësimdhënës që janë
të rregullt në mësim”, është shprehur Blerim Kastrati, studentë i
Fakultetit Juridik. Ai ka hezituar të flasë me emra për mësimdhënësit,
të cilët nuk janë të rregullt në ligjërata dhe provime, por ka thënë që
ata të cilët në përgjithësi janë të angazhuar edhe në institucione të
tjera punën në fakultet e kanë dytësore.
Kurse, dekani i Fakultetit Ekonomik, Skënder Ahmeti, ka thënë se
rastet e mungesave të mësimdhënësve janë shumë të rralla në fakultetin
që ai e drejton.“Nëse një mësimdhënës mungon në një orë mësimore, e cila
i kushton 25 euro, atij nga paga i ndalet dyfishi i orës, që do të
thotë 50 euro”. Rastet e mungesës së mësimdhënësve në ligjërata te ne
janë të rralla. Kreu i UP-së e ka pranuar faktin që një mësimdhënës mund
të arrijë të jetë i mirë në mësimdhënie nëse e mban një 20 orësh në
javë në UP dhe 4 apo 5 orë në ndonjërin kolegj privat, por assesi të
punojë në 10 vende.