FOLJET E HUAZUARA ME –I NË TEMË ÇËSHTJE
DREJTSHKRIMORE E FJALËFORMUESE NË GJUHËN SHQIPE
(kumtesë)
Nga Dr. Nuhi Veselaj
Në këtë paraqitje do të bëhet fjalë për një nëntip emrash me -c/ion fundor, më drejt për një nëntip foljesh të huazuara, shumica me cilësi ndërkombëtarizmi, me temë në –i fundore, të cilat kanë origjinë latine a neolatine (italisht, frëngjisht, spanjisht) dhe së këtejmi i janë imponuar jo vetëm gjuhës sonë, por edhe gjuhëve të tjera. Për të pasur ide më të qartë rreth kësaj teme do të përqendrohemi rreth foljeve që ndërlidhen me konceptet e këtyre tre fjalë-termave përgjithësues: asociacion (it. associazione, lat. associatio, fr. association,
Dr. Nuhi Veselaj
sp. asociacion dhe angl assotiation), variacion (it. variacione /trattativa/, lat. variatio, fr. variation, sp. variacion, angl variation) dhe negociatë a negociacion (it. negoziazione, negoziati, lat. negotatio, fr. negociation, sp. negociacion, angl. negotiation). I përzgjodhëm këta tre emra, ngase mund të shërbejnë si trajta përfaqësuese edhe për shembuj të tjerë dhe me qëllim që të zbardhen trajtat foljore lidhur me konceptet përkatëse ndërlidhur me emrat e tillë, ngase aktualisht këto fjalë ( si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri e më gjerë) janë një ndër emër-termat më të përdorur, sidomos në konotacion të stilit politik, ndërsa trajtat foljore ndërlidhur me ta nga pikëpamja drejtshkrimore e fjalëformuese në gjuhën tonë ende nuk kanë gjetur konsolidim. Mirëpo para se t’i japim “zgjidhjet” që i ndeshim në burimet tona të caktuara, po i paraqitim format foljore referuese në disa gjuhë:
it.. associare, variare, negoziare, fr. associer, varier, negocier,
sp. asociar, variar, negociar, gjerm. associieren, variieren,
negociieren(!), serb. asocirati, varirati, negocirati(!), rus.
associirovatj, variirovatj, negociirovatj(!) dhe angl. (to)
associate, (to) vary, (to) negociate.
Siç mund të shihet nga shembujt e mësipërm elementi –i i temës fjalëformuese, i trashëguar nga emri a folja e latinishtes, si fundor i temës së foljes, në shkrim del i qëndrueshëm, jo vetëm para prapashtesave të infinitivit të gjuhëve përkatëse( si p.sh: –are të italishtes, -er të frëngjishtes dhe –ar të spanjishtes), por edhe të gjuhëve të tjera, madje në gjermanisht e në rusisht del i dyfishuar në shkrim (-i/ieren, -i/irovatj). Dihet se secila gjuhë e ka konsoliduar formën e caktuar sipas natyrës së saj. Po në shqipe si qëndron puna? Është e vërtetë se në gjuhën tonë për konceptin e emrave në fjalë format e foljeve, siç dalin në burime të caktuara, kuptohet se trajta e foljes përkatëse del e pakonsoliduar. Madje formën e tillë e ndeshim mjaft të laramançe, deri në 7 trajta alomorfesh. Po përsëris 7 trajta për të njëjtin a për të vetmin nocion(!) si p.sh.:
1 2 3 4 5 6 7
asocoj asocioj asocjoj asocijoj asociatoj asocionoj asociacionoj
varoj varioj varjoj varijoj variatoj! varicionoj! variacionoj
negocoj, negocioj negocjoj negocijoj negociatoj negocionoj negociacionoj
negociatoj
S’do mend se për konceptin e caktuar që i referohet emrit të huazuar përkatës do të mjaftonte vetëm njëra trajtë, por cila nga këto duhet parapëlqyer e favorizuar, kur si me thënë, për të gjitha këto dhe prejpjesorët e veprimit në shqipe ekziston ndonjë mbështetje a shkas për arsyetim, por, siç do të shohim në vazhdim, sigurisht jo në përmasë të njëjtë, prandaj po i trajtojmë të gjitha rastet alomorfe të sipërshënuara, me radhë.
1. Zgjidhja, sipas trajtës më –O/J: asocoj asocim, varoj varim, negocoj negocim, d.m.th. me elidimin e –i-së fundore të temës së huazuar para prapashtesës O/j, nuk është e huaj për gjuhën tonë Le të kujtohen rastet e ngjashme: xhelozi xhelozoj, cilësi cilësoj, dashuri dashuroj, siguri siguroj, mrekulli mrekulloj etj. Madje sipas kësaj mënyre formën në shqyrtim kemi pasur raste ta ndeshim edhe në mjaft burime e këta sa për ilustrim po i përmendim këto: revistën Zëri, 11.02.1995, f. 15; Bujku, 29.04.1995, f. 1,2; Studime 2000 (botim i AShA të Kosovës) f. 116.
Ç’është e vërteta në raport me barasvlerësit përkatës në gjuhën italiane, ku foljet me –i/are kalojnë dukshëm dyqindëshin, dalin edhe disa raste të tjera foljesh nga ky nëntip, që sipas burimeve tona normative ato sipas traditës konsiderohen me të drejtë, tashmë, si raste të zgjidhura në gjuhën tonë, pra, po sipas kësaj mënyrë, d.m.th. pa fundoren –i . Ja disa shembuj, tek të cilët kërkojmë nga lexuesi i nderuar për me u vënë re, jo vetëm trajta foljore dhe prejfoljori (emri i veprimit) në shqipe, por, patrjetër, edhe trajta shkrimore e shqiptimore në italishte. Duke pasur parasysh shkrimin e shqiptimin me qëllim i merenduam këta shembuj në 5 grupime, pra t’i lexojmë së bashku:
a) inicoj inicim – iniziare (iniCJare), trasoj trasim - traziare (traCJare), financoj financim - finanziare (finanCJare), pronuncoj pronuncim – pronunziare (pronunCJare), sentencoj sentencim – sentenzare (senteCJare);
b) parodoj parodim – parodiare (parodJare), stipendoj stipendim – stipendiare (stipendJare), amnistoj amnistim – amnistiare (amnistJare);
c) ngalkoj ngalkim – accavalciare (akavalÇare), bilancoj bilancim - bilaciare (bilanÇare), benificoj benificim – beneficiare (benefiÇare);
ç) garoj garim gareggiare (gareXHare);
d) fashoj fashim – fasciare (faSHare).
Siç mund të konstatohet në mjaft raste –I-ja shqiptimisht del e modifikuar në J e në disa rasa të tjera del e eliduar plotësisht. Nuk di sa ka ndikuar ky fakt asociacionisht për mosshënimin e saj në versionin shqip me raastin e konvertimit (huazimit). Për mendimin tonë për mosshënimin e –I-së temore do të ketë ndikuar edhe paskajorja e mirëfilltë e shqipes e cila korrespondon me infinitivin e italishtes dhe të gjuhëve të trjera, ngase kohësisht ishte aktive dhe shërbente edhe si trajtë përfaqësuese e foljes së shqipes. Kështu p.sh. me inicue (inicoj) = it. iniciare, siç mund të kuptohet shqiptimi eventual i –I-së para grupzanores fundore të shqipes –UE, si p.sh. me iniciue nuk del vetëm i panevojshëm, por edhe, mund të themi, i patolerueshëm, ngase asnjë shembull të tillë grumbullimi të tri zanoreve nuk e kemi të praktikuar në gjuhën tonë letrare, lidhur me sistemin foljor të shqipes. Sidoqoftë, duhet ditur se një zgjidhje a praktikë të tillë, pa elementin –I të foljeve me –O/J ndaj –i/are, siç do të shohim më poshtë, e kemi të trashëguar.
2. Trajtat me -I/OJ: asocioj asociim, varioj variim, negocioj negociim që kanë mbështetje formale vetëm në trajtën shkrimore të italishtes e të disa gjuhëve të tjera ndeshen jo rrallë në burimet tona të caktuara, si p.sh. te Rilindja, 16.04. 2000, f. 12, 12.08.2000 f. 16, Seminari 19/2000 f. 189 etj. {Është e vërtetë se në ditët tona po përdoret jo aq rrallë folja asocioj dhe përpjesori asociim (me dyfishim të –I-së, mbase, duke imituar trajtat në gjuhën gjermane dhe atë ruse. Në normën e shqipes së sotme, formalisht duket se kanë gjetur zgjidhje në këtë mënyrë vetëm dy folje: studioj dhe rimorkioj. E thamë formalisht, sepse duket qartë se format e tilla janë formuar jo sipas trajtës së huazuar, por mbi temat përkatëse emërore, përkatësisht nga emrat studio e rimorkio, pra nga dolën foljet studioj, rimorkioj. Gjykimin tonë e vërteton katërçipërisht vetë përpjesori përkatës - emri i veprimit: studim, rimorkim.
3. Alomorfi –J/OJ (asocjoj asocjim,, varjoj varjim negocjoj negocjim) që ka mbështetje pikërisht për mjaft raste në shqiptimin italisht e frëngjisht, krahaso: it. asocjare (associare), negocjare (negoziare), varjare (variare), fr. asosje(r) (associer), negosje(r) (negocier), në gjuhën shqipe mund të thuhet se ka gjetur zgjidhje po ashtu formale vetëm rasti kopjoj (it. copiare, fr. copier), por edhe ky rast shpjegoget se është përftuar nga emri: kopje + Oj kopjoj., me ç’rast normalisht del e zhdukur –e-ja fundore e temës.
4. Prapashtesa –I/JOJ (asocijoj asocijim, varijoj varijim, negocjoj negocjim, d.m.th. duke e futur një j epentetike ndërmjet –i-së fundore të temës dhe –o-së në funksion të prapashtesës të mirëfilltë, mund të thuhet se ka mbështetje në modelin e formimit të një grupi foljesh më –JO/j të shqipes, pikërisht mbi bazë të një emri në njëjësin e pashquar me temë në –i fimdore, si p.sh.: fli flijoj, fi fijon, li lijon ski skijoj, ti tijon , bri brijoj etj. Për këtë fakt shih zvgjidhjet edhe në FGjSSH 1980 dhe në librin Foljet më –o në gjuhën shqipe f. 165). Në të vëtrtetë, sipas kësaj mënyre nga rastet e foljeve të huazuara me i/are ndeshet në përdorim në gjuhën tonë vetëm shembulli devijoj devijim (it deviare, fr. devier). Por na shkon mendja se –j në epentetike se edhe për këtë rast asociacionisht mund ta ketë ndikuar edhe emri vijë vija i gjuhës shqipe, kujto edhe mundësinë e zëvendësimit të parashtesës së huazuar de- me atë të shqipes zh-: zhvijoj zhvijim.. Sidoqoftë ky shembull i vetëm s’mund të paraqesë mode fojleformues.
5.Morfema –ATO/J (asociatoj asociatim, variatoj variatim, negociatoj negociatim) që ka mbështetje mbiemrin apo participin (jo infinitivin) e latinishtes, siç duket ashtu del edhe ndonjë formë e anglishtes, por edhe në gjuhën shqipe një formë e tillë nuk është krejt pa gjurmë. Është një grup i vogël foljesh të huazuara që del i ndërtuar sipas kësaj mënyre, si p.sh.: krematoj formatoj, konstruktoj, konceptoj e ndonjë tjetër, ndonëse në shqipen standarde raste të reja mbi këtë bazë nuk praktikohen, prandaj edhe folja mbi bazë të emrit negociatë negociatoj nuk del e rekomanduar.
6. Forma asocionoj (asocion +O/j) asocionim që del e shënuar në gjuhën tonë në burime të caktuara, që mund të cilësohen jo pa emër normativ, siç është Fjalori shqip – serbokroatisht, Prishtinë 1981, f. 55 si dhe libri Etni e modernitete (R. I., f. 5) dhe në ndonjë burim tjetër, si duket është një përftim haphologjik i trajtës emërore asociacion që vjen nga zhdukja e togut –a/ci- si rrokje përsëritëse e emrit në fjalë, nuk del e rekomandueshme për normëzim për këto dy arsye: e para, sepse një veprim i tillë nuk është praktikuar nga asnjë gjuhë tjetër, qoftë dhënëse qoftë marrëse dhe e dyta, vetë tema fjalëformuese në gjuhën shqipe nuk motivon, prandaj pa marrë parasysh favorizimin që i është bërë kësaj trajte te ne, në gjendjen e sotme, një formë e tillë foljendërtuese, s’di sa mund të jetë e përligjur, pasi deri tani nuk ka gjetur normëzim në burimet relevante të gjuhës sonë letrare.
7. Mënyra tjetër emër-temë + -O/J (asociacion asociacionoj asociacionim, variacion variacionoj variacionim, negociacion (negociatë) negocionoj negocacionim) del si model fort i përkapshëm dhe i përdorshëm foljeformues në gjuhën tonë, jo vetëm mbi bazë të emrave anas e të përvetësuar, të cilët kanë trashëgimi të padiskutueshme, por edhe mbi bazë të emrave të huazuar pikërisht me me formantin –ion fundor si p.sh,. pension persionoj pensionim, tension tensionoj tensionim, evolucion evolucionoj, evolucionim, revolucion revolucionoj revolicionim, emocion emocionoj emocionim etj., prandaj sipas kësaj mënyre ka gjasa që trajtat e mësipërme të përligjen. Këtë rast po i prmend vetëm dy burime: Psikologjia (Dr. N. Rot) Prishtinë 1995, f. 80 e në faqe të tjera dhe Gjuha shqipe, 1-2, Prishtinë,2000, f. 35, ku e gjejmë të përdorur një formë të tillë.
Siç mund të shihet nga sqarimet e mësipërme prej 7 rastesh, 5 kanë të bëjnë mbi temë foljore dhe 2 mbi temë emërore dhe secila prej tyre, mund të thuhet se kishte njëfarë pikëmbështetjeje. Për mendimin tonë, kjo shumësi zgjidhjesh që ofrohet nuk tregon dobësinë e gjuhës sonë, përkundrazi tregon pasuri formash që ofrohen për zgjidhjen e çështjeve të tilla të caktuara, por njëherazi kjo dukuri na tregon se pikërisht përftimet në fjalë lidhur me konceptet e huazuara ende nuk e kanë marrë formën e prerë të konsoliduar, fakt ky që mund të ngjajë tek të gjitha gjuhët e botës, prandaj standardologët tanë duhet të aktivizohen në raste të tilla pangurrim. Sidoqoftë, tash për tash shtrohet çështja cila nga këto morfema foljeformuese ka më tepër përparësi apo cila nga trajtat e ofruara duhet përzgjedhur dhe rekomanduar si trajtë normative?
Për mendimin tonë, pasi çështja e tillë qëndron ende në rrafshin e diskutimit, përgjigjen duhet kërkuar njëherë për njëherë, në alternativë, qoftë brenda temës foljore, qoftë brenda asaj emërore. Prandaj, ndonëse, siç e pamë në shembujt e mësipërm që të dyja këto alternativa ngërthehen njëra me tjetrën, ne do të provojmë ta shprehim mendimin tonë rreth këtyre dy mundësive.
a) Rreth përzgjedhjes së temës foljore
Kur është fjala për përzgjedhjen e temës foljore të shqipes dhe konkretisht për foljet në fjalë, shtrohet pyetja: fillimisht cilën formë duhet huazuar infinitivin e gjuhës përkatëse apo formën e participit (zakonisht latin? Sigurisht më me përparësi paraqitet forma infinitivore, siç e pamë më sipër, prandaj zgjidhja me –atoj asociatoj me asociatue ose variatoj a negociatoj, gjithsesi bie nga konkurrenca, ndërsa ndër katër trajtat infinitivore që u cekën më sipër për mendimin tonë, në konkurrencë të hapur, më tepër përparësi paraqet mënyra a varianti i parë:: asocoj asocim varoj varim, negocoj negocim, d.m.th. me elidimin e –I-së temore,. prandaj edhe duhet favorizuar dhe ja përse:
Së pari, siç u vërtetua edhe me shembuj konkretë elementi –i temor nuk del i qëndrueshëm as në shqiptimin e gjuhës italiane (e cila konsiderohet ndër gjuhët potenciale dhënëse me ndikim për gjuhën ton), madje ky tingull grafikisht në atë gjuhë, kryente edhe funksione të tjera. Është e vërtetë se Z-ja kur gjendet pa –I-së shqiptohet C, kurse I-ja shqiptohet –J, po kështu edhe CH para –I-së shqiptohet KJ, sikurse GH që shqiptohet G-J, mirëpo kur C-ja ndodhet para –I-së shqiptohet Ç, po atëherë I-ja del e zhdukshme, sikurse edhe te rastet me G, e cila shqiptohet XH si dhe SC që shqiptohet SH. Sidoqoftë, I-ja temore (tematike) ose shqiptohet si J ose del e zhdukshme shqiptimisht, prandaj kjo mund të jetë njëra nga arsyet që me rastet në shqyrtim të mos jetë domosdo e shënuar –I-ja tematike, ngase në gjuhën shqipe shkrimi dhe shqiptimi rekomandimisht janë të njëzuara dhe një veprim të tillë nuk e imponon –I-ja temore e italishtes, madje as e gjuhëve të tjera kryesisht neolatine.
. Së dyti, siç u pa më sipër, edhe nga ky nëntip foljesh të huazuara që më përpara kanë kaluar fondin të sistemit tonë foljor e pa temë të qartë fjalëformuese, nuk del i shënuar ky element i temës nga folja dhënëse, si p.sh.:: inicoj inicim, pronucoj pronuncim, lancoj lancim, madje edhe benificoj benificim etj., prandaj sipas kësaj analogjie, pa mëdyshje, mund të përligjen edhe aktualisht trajtat: asocoj, varoj, negocoj, d.m.th.pa elementin –I.
Së treti, për trajtat foljore në shqipe pa I-në temore mund të ketë ndikuar intuitivisht, siç u cek më sipër, edhe infinitivi i gjuhës shqipe. Siç dihet, infinitivit të gjuhëve dhënëse kuptimisht e funksionalisht i përgjigjet në shqipe vetëm paskajorja e mirëfilltë me + pjesore (zakonisht me pjesore të shkurtër), e cila sipas tipit të foljeve më –OJ mbaron me togzanorshin –ue. Do të mjaftohem sa për të iluatruar këtë të vërtetë, vetëm me foljen inicoj (it. iniciare = me inicue). Po t’i vihej dyzanorshit si shtesë zanorja –i, atëherë do të grumbulloheshin pa nevojë tri zanore, të cilat organikisht në shqipe nuk janë të tolerueshme, ngase në strukturën e foljeve më –O/j, përkatësisht të foljeve në paskajore me+ pjesore të shkurtër me –ue fundore nuk ndeshim në gjuhën tonë asnjë rast të tillë. Dihet se paskajorja e shqipes me + pjesore për kohën kur janë huazuar (pranuar e përvetësuar) shembuj të nëntipi të foljeve në shqyrtim ishte aktive dhe shërbente edhe si trajtë përfaqësuese e foljes në gjuhën tonë.
Së katërti, po e rikujtojmë edhe një fakt tjetër shumë të rëndësishëm të bazuar në arsyetimet e mësipërme. Dihet se trajta e huazuar për me pasë jetë të gjatë në gjuhën marrëse patjetër duhet t’i përshtatet natyrës së asaj gjuhe, prandaj në rastrin konkret (është fjala për tre shembujt në shqyrtim) s’ka arsye që të mos zbatohet edhe ndaj tyre sirregulla fjalëformuese e shprehur qartë edhe në gramatikën e Akademisë (1995, f. 67), ku thuhet se “zanorja fundore e temës fjalëformuese, si rregull, bie kur prapashtesa fillon me zanore”. Kështu pra, fare natyrshëm, është vepruar më përpara një rregull i tillë si:. dashuri dashuroj, cilësi cilësoj, xhelozi xhelozoj etj, madje edhe te huazimet nga italishtja, siç u cekën më parë: parodi parodoj (it. parodiare), stipendi stipendoj (it. stipendiare), amnisti amnistoj (it. ambnistiare) e kështu me radhë.
Prandaj nga sa u tha mund të përfundojmë se ruajtja e I-së temore në shkrim: asocioj me asociue asociuar asociim ose asocjoj me asocijue ascojuar asocjim, d.m.th. me shndërrimin e i –së në J, ose me një J epentetike ndërmjet zanoresh asicijoj me asocijue asocijuar asocijim del jo e nevojshme, kur në gjuhën shqipe ekziston tashmë zgjidhja më e ligjshme, siç u tha, duke e eliduar mbaresën fundore të temës fjalëformuese, model ky i gatuar dhe i përpunuar me kohë nga vetë struktura e brendshme foljeformuese e gjuhës sonë.
b) Rreth përzgjedhjes së temës emërore
Kur është fjala te përzgjedhja a përcaktimi e temës mbi bazë emërore, sigurisht në raport ndaj trajtës haphologjike asocionoj me asocionue, asocionuar, asocionim, përparësi do t’i jepet temës së qartë motivuese, në rastin tonë, pra emrit përkatës: asociacion, variacion, negociacion (negociatë). Nga këto fjalë-tema nornmalisht dalin foljet: asociacionoj me asociacionue asociacionuar, e kështu me radhë, Madje po të shikohet më në hollësi trajta mbi bazë emërore asociacionoj, variacionoj, negociacionoj ka përparësi jo vetëm ndaj trajtës haphologjike, por edhe kundrejt mënyrës së përcaktuar mbi bazë foljore: asocoj me asocue për këto dy arsye:
e para, pikërisht është tema e qartë motivuese, që i mungon këtë rast temës foljore në fjalë dhe ky komponent jep përparësi të padiskutueshme në të mirë të përqafimit e modelit foljeformues më –o-j mbi bazë të temës emërore, ndërsa zgjidhja model që lidhet me foljezimin mbi temat e emrave më –ion fundor, tipi analog emocionoj etj., që u cekën mësipër, si me thënë, shënon përparësi plotësuese dhe sforcon ngulitjen e formave të theksuara prej nesh.
e dyta, foljezimi mbi këtë bazë ka përparësi sa i përket ekonomimit dhe jep lehtësi për pasurimin e gjuhës, sepse prejpjesorët që përftohen nga tema mbi bazë emërore automatikisht dhe fare natyrshëm të dalë nga vetë ajo çerdhe strukturës fjalëformuese ndihmojnë këtë pasurim edhe semantikisht pasi lidhet me vetë emrin i cili shërben si temë fjalëformuese dhe përsëritet në të gjitha ato njësi të kategorive përkatëse leksiko-gramatikor të reja, të përftuara mbi këtë bazë si: folje, emra, mbiemra, ndajfolje e kështu me radhë
Lidhur me sa u tha po shtojmë se nëse gjuha shqipe është e detyrueshme nga nevoja me huazue b.f. një emër me cilësi të ndërkombëtarizmit, siç janë edhe rastet në shqyrtim: asociacion, variacion, negociacion (negociatë, ajo , ç’është e drejta, s’ka nevojë të huazojë veç e veç edhe trajta të veçanta të kategorive të tjera morfologjike si emra mbiemra, ndajfolje e kështu me radhe që ndërlidhen me emërtimi e caktuar, kur kemi të bëjmë me të njëjtin koncept, sepse ato koncepte a kategori leksiko-gramatikore e semantike i krijohen pothuaj automatikisht vetvetiu, siç u tha, me përftimin e foljes mbi bazë të temës emërore. Kështu p.sh. mbi bazë të ndërkombëtarizmës asociacion del natyrshëm folja asociacionoj e së këtejmi edhe prejfoljorët e caktuar asociacionim, asociacionues, i asociocionueshëm, asociacionor asociacionisht dhe kështu me radhë plotësohen tërësisht nevojat që mund t’i ndjejë dhe që i lypsen kontekstit përkatës pa pasur nevojë me huazue veç foljes pa temë motivuese asocoj e variantet e tjera, si asociativ, asociator, asocianist e ku ta dimë. Është e vërtetë se folja e formuar mbi bazë të ndërkombëtarizmës si emër kuptimisht del shumë më ndërlidhur dhe gjithsesi më e qartë lidhur me nocionin e ndërkombëtarizmës së c, si b . folja, mbiemri ndajfolja etj..
Fundja kur kemi parasysh temën e qartë fjalëformuese si dhe ekonomizmin gjuhësor, atëherë në parim pakundërshtueshëm del më e përkapshme dhe më e lehtëpranueshme edhe edhe ana shqiptimore e aq më tepër ajo shkrimore e formimeve mbi bazë emërore, pa marrë parasysh shumësinë e rrokjeve në krahasim me foljen e huazuar mbi bazë të trajtës foljore nga gjuha e huaj, e cila mund të jetë rrokjesishjt më e shkurtër.
Sidoqoftë, në të vërtetë, për masën e gjerë, e thënë në mënyrë metaforike, rruga rrokjesore mbi temë emërore, qoftë edhe rrugë më e gjatë, është më e pranueshme dhe më e njohur, ngase e ka udhërrëfyese temën e qartë fjalëformuese, ndërsa për ndonjë studiues specialist (savantë) njohës i gjuhëve përkatëse mund të jetë më e pëlqyeshëm rruga më e shkurtë, me e drejtpërdrejtë, d.m.th. adaptimi i ndonjë trajte nga gjuha e huaj.
S’do mend se e mira e së mirës kishte me qenë që konceptet e caktuara të ndërkombëtarizmave përkatës të zëvendësohen, qoftë plotësisht, qoftë pjesërisht , me fjalë të burimit vendës. Është e vërtetë se edhe për ndërkombëtarizmat në fjalë janë përcaktuar barasvlerësit përkatës: shoqërim a shoqërimsi (lidhje, bashkim) për asociacion, luhatje për variacion dhe kuvendim a bisedim për negociacion a negociatë, të cilat edhe duhet të hyjnë në veprim sa herë lejon konteksti, mirëpo kur dihet fakti se një zëvendësim i tillë në të gjitha rrafshet ligjërimore, hë për hë, është i pamundshëm, atëherë zgjidhja që kërkohet dhe ofrohet prej nesh del e drejtë dhe e domosdoshme.
Sido që të jetë, ne duke u bazuar në modelet foljeformuese që tashmë i ka të ravijëzuara gjuha jonë në strukturën e vet, u përcaktuam për zgjidhje origjinale të shqipes, pa pasur nevojë me i kopjue kallëpet e gjuhëve të tjera. Në këtë kontekst do të pajtoheshim me mendimin e studiuesit Aristotel Spiro, i cili në revistën Gjuha shqipe, 1--2 2000 f. 15 shprehet se “organizmi i gjuhës shqipe është i fortë” dhe se “ajo është e aftë të gëlltitë dhe të tretë çdo trup të huaj në një kohë të shpejtë”, mirëpo, do të shtonim ne, në mënyrë që shqipja të jetë, vërtet, edhe më e fortë dhe më e aftë për asimilimin e fjalëve të huaja ose flakjen e tyre, ajo duhet të ndihmohet nga studiuesit. Dihet se studiuesit do t’i ndihmonin asaj me ofrimin e zgjidhjeve të drejta e parimore lidhur me çështjet përkatëse, siç kemi dëshirë të jetë edhe kjo paraqitje jona, me të cilën jo vetëm shtrohet problemi, por edhe ofrohet rrugëzgjidhja më e mirë në kuadër të normës së gjuhës standarde kombëtare, dhe vetëm atëherë duke respektuar në radhë të parë natyrës e gjuhës shqipe, mund të thuhet se ia kemi arritur qëllimit, përndryshe nëse problemet si kjo i lihen stihisë, atëherë mendimi i mësipërm jo i paqëlluar, druaj se mund të mbetet vetëm dëshirë.
P ë r f u n d i m
Në këtë kumtesë u vu në spikamë një çështje e hapur drejtshkrimore e drejt-fjalëformuese që ndërlidhet me një nëntip foljesh të huazuara me temë në -I fundore, folje këto të cilat kanë kryesisht origjinë neolatine, siç është edhe, fqinja e gjuhës shqipe italishtja, trashëguese e latinishtes, siç janë edhe foljet lidhur me konceptet e ndërkombëtarizmave :asociacion, variaacion dhe negociacion a negociatë. Themi çështje e hapur se në shqipe, sidomos te ne, në burime të caktuara në vend të një trajte të konsoliduar foljore ndeshim deri në 7 trajta alomorfe konkurruese, si p.sh.: për konceptin e fjalë-termit asociacion ndeshim: asocoj asocioj, asocjoj asocijoj, asociato (mbi temë foljore) dhe asocionoj e asociacionoj (mbi temë emërore).
Pas analizës, bazuar në modelet e njohura foljeformuese lidhur me zgjidhjen e çështjes së drejtshkrimit dhe të drejt-fjalëformimit të nëntipit të foljeve në shqyrtim, u arrit përfundimin se më me përparësi ndaj të tjerave dalin këto dy mënyra të foljeformimit:
E para, e përftuar nga trajtat mbi temë foljore, u parapëlqye trajta: asocoj me asocue asocuar; varoj me varue varuar; negocoj me negocur negocuar, ndaj trajtave të tjera asocioj, asocjo asocijoj; varioj, negocioj etj. mbi bazë infinitivore, ashtu edhe ndaj trajtës asociatoj, mbi bazë participore, për këto katër asrsye:
së pari, pasi elementi –I del jo i shqiptueshëm si zanore në gjuhën dhënëse (italiane), por del i shqiptuar si J ose del i zhdukshëm, prandaj u shfaq mendimi se s’ka arsye të ruhej në shqipe një element i tillë;
së dyti, në shqipe janë mjaft raste foljore që tashmë ui takojnë fondit aktiv të shqipes të huazuara më përpara me fundorin–I/ARE dhe që të gjitha janë përvetësuar pa –I-në temore, si ç është edhe rasti. inicoj (it. iniciare);
së treti, kur kemi parasysh faktin se si barasvlerës i infinitivit të italishtes del paskajorja me + pjesore (zakonisht me pjesore të shkurtër) e gjuhës shqipe, e cila te tipi i foljeve më -O/j përfundon me dyzanorshin –ue në pjesore, atëherë me përvetësimin e –I-së temore do të shtohej edhe një zanore e panevojshme, e cila shqiptimisht del jo e zakonshme në fundoren e foljeve më –O të shqipes dhe
së katërti, rënia e zanores fundore e temës, kur prapashtesa fjalëformuese fillon me zanore është sirregull gramatikor i rekomanduar në gjuhën shqipe dhe ky sirregull vlen për të gjithë tipat e fjalëformimit, pra edhe për foljet si p.sh xhelozi xhelozoj, stipendi stipendoj etj. duhet të vlejë padiskutueshëm edhe për rastet në shqyrtim
E dyta, nga dy rastet mbi temë emërore u parapëlqye mënyra emër + prapashtesa –O/j asociacionoj (me asociacinue asociacionuar asociacionim) ndaj asaj pa temë që qartë fjalëformuese asocionoj, sepse kjo e dyta, ndonëse e prekur nga dukuria e haphologjisë, si duket del si një përftim rasti e jo si trajtë kohësisht e përpunuar dhe e pranuar brenda strukturës leksiko – gramatikore të shqipes, madje kësaj mënyre, sç u tha, i mungon tema e qartë motivuese.
Ç’është e vërteta, mënyra e parapëlqyer foljeformuese mbi bazë emërore që ka gjedhe në strukturën foljeformuese në shqipe, ka dy përparësi edhe në raport me gjedhen e parapëlqyer mbi bazë foljore asocoj, sepse, së pari ka në funksion temën e qartë fjalëformues dhe së dyti ka përparësi edhe në ekonomimin dhe pasurimin e gjuhës, ngase mbi këtë bazë nuk del e nevojshme të huazohen veçan kategori të tjera leksikogramatikore nga gjuha e huaj, sepse të gjitha ato zbrazëti automatikisht mund të plotësohen me mjete të shqipes, sidomos që me përftimin e foljes mbi bazë emërore.
Sidoqoftë, këto dy mënyra foljeformimi e para e tipit asocoj dhe e dyta ajo asociacionoj mbeten si trajta konkurruese, e jo të tjerat, përderisa standardologët tanë të vendosin instituicionalisht rreth parapëlqimit të trajtës së caktuar.