Trajtesë nga gjuhësia
GABIMET E NJË FJALORI TË MADH
Nga Ali R. BERISHA
Fjalori i Mehmet Elezit që u botua në vitin 2006 patjetër se paraqet risi në leksikologjinë tonë. Për nga numri tejet i madh i fjalëve, kuptimeve dhe shprehjeve frazeologjike (100.300 sish) ai ua tejkalon fjalorëve të tjerë. Me këtë vepër autori ka synuar të qesë hapin e parë në botimin e një fjalori të madh të gjuhës sonë, i cili i ka munguar gjuhes sone. Këtë mungesë e cek Çabej qysh në vitin 1952. Ideja, pra, për “…hartimin e fjalorit të madh shpjegues të shqipes me reth 100 mijë fjalë mbetet detyrë për të ardhmen.” (A. Kostallari; Fjala e gjallë …, te Norma letrare, I. ASHSH 1973 / 57), siç po shihet shtë e moçme. Mirëpo, është tejet vështirë të punohet një fjalor, autori i të cilit synon përfshirjen sa më të madhe të fjalëve e të mos shpëtojnë gabime e lëshime. Këto gabime e lëshime dalin akoma më të mëdha nëse në shkencorësinë leksikologjike futen edhe gjëra jashtëgjuhësore. Këto fakte bijen në sy posa të shfletohet fjalori i Mehmet Elezit.
Eshtë kjo një vepër gjuhësore prej 1664 faqesh e konceptuar në tri pjesë; hyrja me shpjegimet(13 fq.), lënda (1516 fq.) dhe pasthënia (8 fq.) Ndarje e tillë e përmbajtjes rëndohet me shkrime gjuhësore, me krijime letrare; poezi, e prozë dhe me tri pasthënie, të cilat vetem sa ia ulin vlerën fjalorit. Që nga botim i tij nuk u fol e as u shkrua aq shumë, bile jo aq sa u prit nga disa vetje. Në disa nga vebfaqet u shpreh pakënaqësi përse nuk u shkrua, duke e pasur mendjen te lavdatat që do të duhesh t’i bëheshin atij. Kam lexuar intervista dhe shkrime dhe kam vërejtur se Fjalori është lavdëruar (dhe vetëm lavdëruar) dhe kjo është bërë sidomos nga ata autorë që e rrahin telin se gegërishtja ka pësuar lënia pasdore me rastin e unifikimit të gjuhës, sipas Rregullave të Drejtshkrimit të vitit 1972. Eshtë shkruar edhe se sa volumor është ky fjalor, se sa shumëçkapërfshirës, se sa zgjedhës për padrejtësitë që i janë bërë gjuhës shqipe me rastin e normëzimit të saj në vitin 1972, etj. etj. Nuk më ka rënë të lexoj ndonjë vërejtje të madhe për punën e bërë, prandaj do t’i jap disa mendime të miat vërejtjetore lidhur me të, ndonëse titullisht dhe njohësisht jam një gjuhëtar jo i nivelit të M. Elezit. Megjithatë këtë shkrim e bëj nga këndi im si përdorues gati i përditshëm i fjalorëve, ndër të cilët gjendet edhe ky.
Me rastin e punimit të një fjalori, sipas leksikologjisë moderne, autori patjetër duhet të ketë kriter bazë prirjet për zhvillimin e gjuhës. Gjatë ndërtimit mijëravjeçar të kalasë së gjuhës sonë janë krijuar e përdorur me mijëra fjalë visesh, arkaizma autorësh e kohësh të ndryshme, lloj-lloj prurjesh e huazimesh të ndryshme, dialektizma, krahinarizma, të folme, madje edhe “fshatarizma”, krijime, fjalëformime, huazime e kalke numri i të cilave vështirë se mund të konstatohet ndonjëherë e akoma më vështirë të përfshihet në ndonjë libër sado volumor të jetë ai. Kur në një fjalor, përfshin edhe aso fjalësh, kategoritë e të cilave nuk i përmenda këtu, atëherë puna del e pafund, pa peshën e duhur dhe tepër e mundimshme. Nga kjo kala e gjuhës është nxjerrur lënda e Fjalorit, për të cilin do të cek disa vërejtje dhe lëshime.
Posa të merret Fjalori në duar për t’u shikuar, analizuar e vrojtuar
bijen në sy vërejtje dhe mangësi të shumta. Më se qartas sheshohet qëllimi dhe synimi bazë i autorit; për të “dëshmuar” se gegërishtes i është hëngër haku në Kongresin e Drejtshkrimit, se në atë Kongres ka vendosur politika e jo shkenca e gjuhësisë, se shkaku i normëzimit të gjuhës sipas Rregullave qenka bunkerizuar njëra pjesë e saj. Për t’i provuar këta dy faktorë do të mjaftonin dhjetra faqe të një studimi e jo 1491 faqe (kaq faqe ka lënda e Fjalorit) të një libri. Aty janë përfshi fjalë nga ai konglomerat që u përmend më lart, por edhe krijime të autorëve të vjetër, kryesisht veriorë, fjalë nga fjalorë të ndryshëm dhe një numër fjalësh të reja a neologjizma, siç e kemi bërë shprehi t’i quajmë. Fitohet përshtypja se kemi të bëjmë me një vepër, qëllimi parësor i së cilës është grumbullimi sa më i madh i fjalëve të një “përkitje” të caktuar. Fjalët e shënuara nga autori në këtë Fjalor nuk janë përfshi nga fjalorët shpjegues të mëparshëm. Arsyet i dijnë botuesit e tyre. Mirëpo në gjuhën tonë nuk janë vetëm këto të këtushmet të papërfshira. Ka madje me mijëra nëpër fjalorët e të folmeve popullore, dialektorë, truallsorë, fjalë autorësh të vjetër e të rinj. Është bërë tanimë e ditur se mbi 500 fjalë e njësi të tjera leskikore të Xoxës nuk kanë hyrë në fjalorë. Po aq, në mos më shumë, i gjejmë te Konica, Noli, Xhuvani, Poradeci etj. Vetëm në një vëllim poetik të Fahredin Gungës (Gramatika e gjëllimit) gjejmë rreth 400 fjalë a poetofjalë të formuara prej tij. Çdo fjalë e dëgjuar a e shkruar nuk është e denjë për fjalorin e përgjithshëm të një gjuhe. Prurjet në gjuhë vijnë nga çdo anë dhe ato e gjejnë vendin e tyre në fjalorët përkatës.
Do t’ishte më mirë që, në një fjalor bashkëkohor tanimë të gjuhës sonë, të fusim fjalë si kompjutri (siç e shqipton autori), fjalëkalim, shkarko, globalizim, ndërmarrësi, telenovelë, etj. dhe asosh për t’u dalur digë përpara fjalëve të huaja me ndonjë krjimi të ri tonin, apo të kthejmë në mendje fjalët e vjetra që tanimë natyrshëm po jepin shpirt. Me qindra fjalë të këtij Fjalori nuk i hyjnë fare në punë gjuhësisë moderne, sepse ato vetëm sa për t’u ruajtur, gjenden domosdo, dikund të shënuara. Po t’i fusnim në një libër - fjalor të gjitha fjalët që janë folur dikur, drejt e gabimisht, që janë shënuar e gjysëmharruar, të atyre që fliten dhe që krijohen ditë e përditë, do të duhej botuar një fjalor dhjetravëllimësh.
Fjalorin e Mehmet Elezit e kam lexuar dhe përpunuar për shkak të interesimeve të mija; sepse jam botues dhe punues i mëtejmë i një fjalori të fjalëve të reja të gjuhës sonë, por ama të reja, që nga vitet e shtatëdhjeta e këndej. Aty kam gjetur mjaft sish të cilat, si të botuara në një fjalor, i kam tëharrur para se ta botoja. Në veprën time Fjalor i fjalëve të reja, Pejë 2007, me mbi 10.000 fjalë kam shfrytëzuar shkrime dhe vepra të afro 400 autorëve, në mesin e tyre edhe të Mehmet Elezit, i cili, ndonëse e ka cekur se ka përfshi edhe fjalë të reja, ka lënë jashtë dhjetra të tilla të vateta, mjaft të qëlluara.
Mehmet Elezi ka bërë një punë të madhe e të mundimshme për ta punuar këtë vepër. Ajo, megjithatë ka një pasuri të madhe gjuhësore dhe shikuar tërësisht, për leksikologët është një thesar me vlerë. Mirëpo brumi i fjalorit nuk është pa vërejtje. Në shumë pika ai bie ndesh me njohuritë e autorit për gjuhën. Parathënia dhe artikujt e botuar në fillim të librit në lidhje me gjuhën, me rreziqet që i kanosen, me punën e dobët dhe amullsinë nga e cila po ngulfat ajo, e nxjerrin autorin në pah si një studiues të denjë. Mirëpo nga ana tjetër mund t’i bëhen një sërë vërejtjesh. Së pari përmbajtja e fjalorit nuk i përgjigjet saktësisht titullit që i është dhënë. Një vepër në të cilën do të duhej të gjendeshin fjalë ‘të bunkerizuara”, fjalë vërtet të vjetra, pastaj fjalë të reja (të vetëm 40 autorëve), fjalë të gjuhëve të huaja, shprehje, fjalë që s’mund të quhen fjalë (firma kamionash, makinash), “fjalë të urta, gjëza, doke, urime, mallkime, paragjykime, bystytni, yshtje, lojë fjalësh, etj.”, krijime letrare - prozë e poezi të autorit! nuk do të duhej të quhej vetëm FJALOR I GJUHES SHQIPE.
Në shkrimet në fillim të Fjalorit dhe në intarevistat e zotit Elezi, ka theksuar se te Fjalori kemi të bëjmë me një mori fjalësh të nxjerra me dhunë prej përdorimit. E kanë bërë këtë vendimet e Kongresit të drejtshkrimit, i cili u udhëhoq nga ana e disa shkencëtarëve (akademikomisarë), që më shumë paskan qenë komunista se sa gjuhëtarë, kurse ca të tjerë, ndonëse rrezikparës, nga frika, nuk kanë mundur të bëjnë gjë. Nëse është kështu çdo të duhej të thoshim për fjalët e reja?! Megjithëkëtë nuk do të ishim të qartë sa duhet po të mos e bënim një përcekje çështjesh rreth të cilave do të mund të drejtoheshin vërejtje, duke u ndalur në cekjen e vetëm nga dhjetë shembujve:
1.fjalë të gjuhëve orientale: allahrazolla, belda, elhyqmulila, ikdyl, hydbe, hyqmet, myhlet, serasqer, zuzdermak, etj,
2.fjalë të gjuhëve sllave: boshnjak, cernagore, jaz, koçijash, mashica(mashë e vogël), Maxharria (maxharrisht), nemozhë, penkallë, vllaçitë, shumar, etj.,
3.fjalë të reja - fjalëformime të autorëve të tjerë e që i merr për të tijat: çapërpikur; e gjejmë te F. Dreni (1973), derdhaplang; e ka M. Isaku (1986), dielloj; e ka A. Gajtani (1963), diellni; J. Ceraja (1968), domosdoshmërisht; ka përdorim të gjerë, e hasim dendur në shkrime që nga viti 1957, ngjashëm është rasti edhe me fjalën dramatikisht; pastaj drynuar; Z. Rrahmani (1979, erëmirë; F. Gunga (1986), figurinë; Xoxa (1978) dhe të tjerë, foshnjërisht; e ka Poradeci, gjendet në FSHS, fundbotë; e ka A. Gjakova, Kadare dhe ndonjë tjetër si dhe shumë shembuj të tjerë,
4.fjalëformime të autorit të përdorura në krjimet e tij letrare, por që nuk janë shënuar aty: bokërrimtë, dasmëvdekje, dëshpërimtar, dypërmasor, eurobashkues, florifjalë, kompjutri, kotashpresë, kryengjarje, ndasimbjellës, etj., (të cilat mund të gjenden në veprat dhe shkrimet e M. E.),
5.fjalëformime të autorit nga parathënia e pasthënia e fjalorit, por që nuk janë shënuar aty: amendohet / 123, institucionaloj / 137, klinikisht / 135, pushtetpare / 136, redaksional / 138, sypicërruar / 126, shërbestar / 123, turrnajë / 130, vetëçensurohem / 126, zemërbardhësisht / 135, etj.
6.fjalëformime të autorit, por të botuara pas botimit të FGJS dhe nuk kanë mundur të hyjnë aty. Po i shënojmë këto: culahitem, çartan, çmendan, dalëdritë, detnajë, erëmirem, fletëpëllëmbë, fletnajë, fytyrakull, e të tjera më të reja se viti 2000,
7. fjalë të cilat i gjejmë në FGJS; babanace, bardhak, fjalënuse, flamurtar, fytyrim, kryeshëndosh, ndërgjegjësim, ndërgjegjshëm, saora (autori përmend veten si përdorues /mbase jo si krijues/ të saj), derisa dihet se ajo ka vite e vite që përdoret në Kosovë, trekëmbësh, etj.,
8.fjalë të marra nga 13 fjalorë të tjerë; një numër mjaft i madh. Pjesa e një gjuhe, leksiku i së cilës gjendet në 13 fjalorë nuk mund të quhet gjuhë e “bunkerizuar”,
9. shpjegime të paqëlluara për fjalët ka në disa raste. Po i përmend vetëm këto: ROBINSON mb. duhet të vijë prej Robinson (Kruzo) 1. I paqethur e i parruar. Kur e lexojmë këtë na shkon mendja se kjo fjalë në gjuhën tonë qenka futur në përdorim pasi që është lexuar romani i D. Defosë me atë titull. Si do që të jetë fjala robinson s’e ka vendin aty. Fjala BABADIMËR, e cila në trojet jashtë Shqipërisë ka përdorim të gjerë në të folur e në të shkruar. Ajo nuk është krijuar në vitet ’70, por shumë më parë. Së voni ka filluar të përdoret edhe në Shqipëri (“Ars” 28. 7. 02 / 19). Fjala ALBANIA është futur në Fjalor si “Kamiona të rëndë që çonin e mernin mallra jashtë në kohën e regjimit komunist”. Pastaj fjala PERLIN … Kamion i rëndë 40 tonësh i përdorur në ndërtimin e hidrocentraleve në Fierzë, Koman etj. Përveç fjalës filispic!? E hasim edhe VILISPICË nga shkaku se qenka përdorur në një këngë popullore (Na ka çu Dudija letër…) ku fjala vilispicë, në këtë formë qenka përdorur nga këngëtari popullor vetëm për ta rimuar me fjalën Mitrovicë! Së këndejmi na del shumë me vend mendimi se nëse një fjalë nuk mund të “fitojë frekuencë e truall në përdorim” (shprehje e Jani Thomait) ajo nuk mund të bëhet njësi leksikore.
10. në mesin e veprave të shfrytëzuara nga autori, disa prej tyre nuk janë përpunuar si duhet: Psh. nga veprat Vdekja më vjen prej syve të tillë e Qosjes dhe Prekje lirike e Rugovës janë qëmtuar më pak se gjysma e fjalëve interesante për fjalorin. Mandej, përkitazi me veprat e Kadaresë duhet thënë se ato janë kundruar e studijuar nga ky kënd, nga ana e katër autorëve, me libra të veçantë. Një pjesë e madhe e fjalëve të tilla nuk shpjegohen. Ato vetëm citohen. Fjalori i tipit citues dallohet nga ai shpjegues.
Autori Elezi me këtë Fjalor, padyshim se ka mbushur një zbrazëti në gjuhësinë tonë. Secili studijues që merret me çështje të leksikologjisë shqiptare, po s’e përdori këtë Fjalor do të gabojë shumë. Gabimet dhe lëshimet do të mund të tejkalohen, sepse pjesa më e madhe e lëndës së përfshirë aty ka një vlerë gjuhësore shumë të madhe. Po të mos ngutej, sepse s’e ka detyruar kush të ngutej, gabimet dhe lëshimet do të mund të evitoheshin. Arsyetimi “Më vjen keq … detyrohem me e dorëzue në shtyp pa i dhënë dorën e përfundimtare, siç do të kisha dëshiruar … (fq./20) “Tekembramja … “ma mirë diç, se hiç”, nuk mund të merret si kërkimfalje. Do të duhej të shpresonim se autori Elezi do të gjejë kohë e fuqi për ta përpunuar e ribotuar atë, pasi të ketë harruar deklaratën e tij “Këto kohë, pasi ‘u çlirova” prej fjalorit…”, por duke bashkëpunuar edhe me faktorët e gjuhësisë e jo duke mos ua shkelur prakun atyre. Punët veças në vepra të tilla nuk dalin të suksesshme sado që të mos mungojë aftësia dhe përkushtimi i autorit.