Përse vishej njësoj Steve Jobs?
Publikuar: 14.10.2011 - 17:21
Vite me radhë Steve Jobs ka mbajtur të njëjtën veshje dhe sigurisht ka pasur një arsye pse ka vepruar asisoj. Po cila ishte ajo?
Të gjithë kujtojnë veshjen tipike të Jobsit, një bluzë të errët, një palë xhinse dhe atlete ngjyrë të çelur. Derisa e kujtojmë veshjen tipike të tij, jo të gjithë e dinë përse ai vishej kështu.
Sipas një biografie të tij të pabotuar, autori Walter Isaacson tregon së ideja e tij kishte marrë shkas nga një vizitë në Japoni në kompaninë Sony, transmeton Ikub.
Drejtuesi i atëhershëm i kompanisë Akio Morita, i kishte shpjeguar Jobsit se për të krijuar një lidhje sa më të mirë ndërmjet punëtorëve dhe kompanisë, por edhe për t’iu mundësuar veshjen punëtorëve, të cilët jo të gjithë kishin mundësi që ta siguronin, kishin hedhur dhe materializuar idenë e uniformës së punës.
Me t’u kthyer në kompaninë e tij, Steve mendoi të zbatonte të njëjtën gjë në kompaninë e tij, por ideja nuk gjeti përkrahje. Andaj, vendosi ta zbatonte vetëm për vete. Jobs më pastaj vendosi kontakt me stilistin e Sonyt, Issey Miyake, i cili ia prezantoi disa variante, prej të cilave ai zgjodhi atë që tashmë është bërë e famshme për të gjithë.