Kërkesa dhe Oferta
Kërkesa paraqet sasinë e përgjithshme të mallrave dhe shërbimeve përfundimtare të dedikuara tregut, e që konsumatorët janë të gatshëm t’i blejnë për nivelin e dhënë të çmimeve nën variabla të tjera konstante, d.m.th. pa ndryshimin e kushteve të tjera. Andaj, kërkesa është një koncept ”që lidh sasitë që duan të marrin njerëzit përmes sakrificave që duhet ti bëjnë për t’i pasur këto sasi”.Në kuadër të një ekonomie, kërkesa paraqet (përfaqëson) sasitë e të gjitha të mirave materiale dhe shërbimeve që i ofrojnë subjektet ekonomike, perosnat juridik dhe fizikë, ku në të njëjtën kohë blerësit ( konsumatorët ) janë të gatshëm edhe në gjendje ti blejnë me nivel të çmimeve të dhëa gjatë një periudhe të caktuar kohore, kur të gjitha kushtet tjera janë të pandryshueshme.
Andaj, nga aspekti ekonomik kërkesa nuk paraqet vetëm nevojën për të mira materiale apo për shërbime të caktuara, por paraqet një mori kombinimesh ndërmjet sasisë dhe çmimit. Kështu, kërkesa për të mira materiale është e lidhur drejtpërdrejt nga niveli i çmimeve. Duke u mbështetur në këtë mund të konstatojmë se sa më i ulët të jetë çmimi i ndonjë artikulli (malli), njerëzit do të blejnë sasi më të mëdha dhe sa më i lartë të jet çmimi i ndonjë artikulli, njerëzit do të blejnë sasi më të vogla të tij në kushtet e tjera të pandryshueshme. Kjo tregon se ekziston raport i caktuar ndërmjet sasisë së ofruar të të mirave materiale në treg dhe çmimit të tregut për ato mallra. Raporti ndërmjet çmimit dhe sasisë e cila blehet quhet kurba e kërkesës (lakorja e kërkesës).
Faktorët kryesorë që ndikojnë në rënien e sasisë së kërkuar janë:
- Efekti substituiv - që do të thotë se kur rritet çmimi i ndonjë të mire materiale,ajo do të zëvendësohet me ndonjë mall tjetër të ngjajshëm
- Efekti i të ardhurave – që do të thotë se me ngritjen e çmimit, kur të ardhurat mbesin në nivel të njëjtë zvoglohet pasuria e konsumatorit, pra ai me këtë rast do të jetë më i varfër se më pare, sepse për vlerë të njëjtë të parave (të ardhurave) do të ket mundësi të blejë më pak të mira materiale dhe në këtë menyrë atij i bie standardi jetësor.
Pos faktorëve të cekur, ndikojnë edhe një sërë faktorësh të tjerë e më kryesorë janë: a) çmimi i mallit, b) çmimi i mallrave zëvendësuës dhe plotësues, c) të ardhurat mesatare, d) numri i popullsisë.
a) Çmimi i mallit – Siç kemi parë edhe më herët niveli i çmimit kushtëzon edhe sasinë e kërkuar të tij. Në qoftë se çmimi i një malli konkret është i lartë ai automatikisht ndikon në zvogëlimin e kërkesës për atë të mirë materiale. Pra kërkesa varet nga niveli i çmimit dhe kanë lidhje proporcionale të zdhrejtë, d.m.th. kur rritet çmimi zvogëlohet kërkesa dhe kur ulet çmimi rritet kërkesa.
b) Çmimi i mallrave zëvendësues dhe plotësues – në qoftë se një mall mund të zëvendësohet me ndonjë mall tjetër atëherë konsumatorët përcaktohen për mallin i cili ka çmim më të ulët. Me këtë rast konsumatori plotësimin e nevojës për një mall e zëvendëson më një mall tjetër, i cili kah cilësia, sasia, dhe kënaqësia është përafërsisht i njëjtë me mallin e zëvendësuar.
c) Të ardhurat mesatare - pa dyshim, niveli i të ardhurave mesatare paraqet faktor shumë të rëndësishëm dhe përkufizues të kërkesës. Zakonisht, njerëzit me të ardhura më të larta kanë më shumë prirje për konsum se ata me të ardhura më të ulëta, çka do të thotë se lartësia e të ardhurave përcakton edhe kërkesën për të mira materiale dhe shërbime.
d) Numri i popullsisë (konsumatorëve) – siç dihet në pozicionin e konsumatorit është e tërë popullsia e një vendi në dallim nga ajo prodhuese. Andaj numri më i madh i popullsisë rritë edhe kërkesën për të mira materiale dhe shërbime. Jo vetëm numri i përgjithshëm, por edhe strukturat e ndryshme të popullsisë si : struktura ekonomike, struktura sipas moshës dhe gjinisë, e nivelit arsimor etj.
e) Shijet dhe preferencat - ndikohen cilësia e të mirave materiale. Pra cilësia rrit edhe kërkesën për produkt të caktuar.
Oferta paraqet tërësinë e prodhimit të të mirave materiale dhe shërbimeve, të cilat shitësit janë të gatshëm edhe në gjendje t’ia ofrojnë tregut për shitje me çmime të caktuara, gjatë një periudhe të caktuar kohore, kur faktorët e tjerë janë të pandryshueshëm. Prandaj, marrë globalisht, oferta shpreh gatishmërinë e prodhuesit (shitësit) të ofrojë një të mirë materiale ose shërbim me çdo çmim të mundshëm në treg.
Oferta dhe kërkesa dy komponente kryesore të ligjit të vlerës në treg kanë lidhshmëri funksionale por janë të kundërta në mes vete, pra kanë pozicion inverz njëra me tjetrën. Sjellja e ofertës dhe e kërkesës përcakton edhe çmimin e tregut. Çmimi dhe oferta rrinë në proporcion të drejtë d.m.th. kur rriten çmimet, rritet edhe oferta. Ndërkaq, te kërkesa kemi proporcionin e zhdrejtë me çmimet, d.m.th. me rritjen e çmimit zvogëlohet kërkesa.
Kurba e ofertës për ndonjë të mirë materiale paraqet raportin ndërmjet çmimit të saj të tregut dhe sasisë së asaj të mire materiale, të cilën prodhuesit janë të gatshëm ta prodhojnë dhe ta shesin, në kushte që gjërat e tjera të mbesin të pandryshueshme.
Në ofertë, siç ishte rasti edhe te kërkesa ndikojnë faktorë të shumtë e për ti veçuar janë : a) çmimi i produktit, b) teknologjia, c) çmimi i faktorëve të prodhimit (inputet).
a) Çmimi i produktit – çdo produkt ka edhe koston e vet të prodhimit. Synimi i çdo prodhuesi është të prodhojë të mira materiale me shpenzime sa më të ulëta. Kur shpenzimet e prodhimit, përkatësisht çmimi kushtuës i ndonjë produkti është më i vogël në krahasim me çmimin e tregut, përkatësisht çmimin shitës, atëherë prodhuesit ofrojnë sasi më të madhe të atij malli, pasi që në këtë rast profiti për shitësin është i madhë. Anasjelltas, kur çmimi i prodhimit është më i madhë se çmimi shitës atëherë shitësit ofrojnë shumë më pak sasi të produktit përkatës.
b) Teknologjia – procesi dhe prefeksionimi teknologjik shprehet në ngritjen e ekonomizimit dhe në uljen e kostos së shpenzimeve të prodhimit. Ulja e kostos së prodhimit ka për rrjedhim rritjen e ofertës.
c) Çmimet e faktorëve të prodhimit (inputet) - në qoftë se bëhet ndryshimi i çmimeve të faktorëve të prodhimit, automatikisht bëhet edhe ndryshimi i shpenzimeve të prodhimit dhe njëherit edhe ndryshimi i ofertës. Pra rritja e çmimeve të faktorëve (burimeve) të prodhimit rrit shpenzimet e prodhimit (çmimin kushtues) dhe në kushtet e çmimeve të dhëna në treg zvogëlon ofertën, dhe e kundërta.
Autor:
T.Oxha
Menaxherat.com