|
| Ernest Koliqi | |
| | Autori | Mesazh |
---|
Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Ernest Koliqi 3rd October 2011, 17:02 | |
| Ernest Koliqi lindi në Shkodër më 20 maj 1903 dhe vdiq në Romë më 15 janar 1975. Është cilësuar si një ndër prozatorët më të mëdhenj. Ndërsa në poezi,siç shprehet një studiues, Koliqi u angazhua me synimin që thekson Elioti: "Asnjë art nuk është më kombëtar se poezia". Mjaftuan dy librat me tregime "Hija e maleve" (Zarë, 1929) dhe "Tregtarë flamujsh" (Tiranë 1935) që Koliqi të zerë kryet e vendit në prozë, bashkë me Kutelin, sikundër për Poradecin mjaftuan "Vallja e yjve" dhe "Ylli i zemrës" të zerë kryet e vendit në poezi. Mendimi kritik, ndërsa Konicën e cilëson "nismëtar të prozës moderne shqipe", Koliqin e shënon "themelues të prozës moderne shqipe". Në krijime poetike, përveç vëllimit "Gjurmë stinësh" (1933), "Kangjelet e Rilindjes", apo "Symfonia e shqipeve", etj, kulmohet me "Pasqyrat e Narçizit", me shtatë poemthat në prozë. Sipas studiuesit A. Plasari, po ta gjykonim një gjysmë shekulli të letërsisë shqipe me rreptësinë e Kurtiusit (Curtius), do të na shfaqej parasysh i hirtë e i ftohtë "zinxhiri i pashkatërrueshëm i një tradite mediokriteti," mbi të cilin ngrihen kryeveprat e jashtëzakonshme, "Pasqyrat" e Koliqit, "Tat Tanushi" i Kutelit, "Dranja" e Martin Camajt, që e kapërcejnë realitetin e një historie letërsie. Kur theksojmë që Koliqi jo rastësisht zgjodhi poezinë, kemi parasysh jo vetëm krijimtarinë poetike të tij, por edhe momentet më jetësore dhe domethënëse të autorit që e lidhin natyrshëm me artin e fjalës. "Kur më lulëzuen në shpirt gjashtëmbëdhjetë pranvera të freskëta, Zana ma dha ngushllimin e shfrimit muzikuer të fjalëve." Është koha kur studion në Itali, (i filloi studimet më 1918) dhe në Bergamo themeloi të përjavshmen "Noi giovani" (Ne të rinjtë), ku botoi vjershat e para në italisht. Ishte 18- vjeçar, kur u kthye në Shqipëri, kur fitoi konkursin e Ministrisë së Arsimit për një himn kombëtar nga një juri ku bënte pjesë Fishta, Noli, Mit'hat Frashëri, Luigj Gurakuqi. Këtë "shfrim muzikuer të fjalëve" po ta ndjekim nëpër etapat krijuese të autorit, do të vemë re se poeti e realizon duke u ushqyer nga tre burime kryesore: Burimi i parë është Shkodra dhe më pas viset arbëreshe. Burimi i dytë janë gojëdhënat, këngët, përrallat e gjithçka folklorike, si Cikli i Kreshnikëve, rreth të cilave bëri studime dhe mbrojti tezë doktorature. Burimi i tretë është kultura italiane e botërore, që mori qysh herët, kur shkollohej në Itali, kulturë prej së cilës mori e dha. Përvetësoi modele poetike, jo duke imituar, por duke asimiluar dhe pastaj aplikuar në shqip. Tregoi aftësi vrojtuese, imagjinatë të begatë, zhdërvjelltësi përpunuese dhe asimiluese të lëndës së vendlindjes, duke e shndërruar atë në poezi atdhetare, në ditiramb për gjuhën shqipe, në këngë malli e përgjërimi për Shkodrën, në tingëllimë dashurie, ku ndiehet "shfrimi muzikuer i fjalëve".
Poeti evokon lashtësinë ilire, kohën e Skënderbeut, kohën e lulëzimit qytetar të Shkodrës, kohën e mërgimit politik, ku dhe mbylli sytë papritur. Ndërsa hapësira gjeografike që rrok vështrimi dhe imagjinata e tij poetike kalon "përtej avullis, rreth kumbonares, nëpër qiell të bardhë e ma larg, në male të Shqipnis, mbi udha të detit, në pambarim të gjithësisë. Shkruan "Tingëllimat e mallit", ku qan se larg tij lulëzon Shkodra, pastaj kur e humbet shpresën e rikthimit dërgon shtatë tekste poezie testament nën titullin "Bijës sime", poezi tronditëse që dëshmon lidhjen e pazgjidhshme me qytetin e lindjes. Poezia "Shqipninë e mora me vete", që të kujton dhe një varg të nobelistit grek Seferis, që ka qënë dhe konsull në Korçë, "kudo që shkoj Greqinë e marr me vete si një plagë," është sintezë e lëndës poetike,që u shndërrua në shpirtin dhe artin e poetit. Koliqi ecën në vazhdën e rilindasve të mëdhenj për të evokuar e lartësuar lashtësinë dhe shenjën më të patjetërsueshme të etnitetit dhe identitetit të shqiptarëve, fjalën shqipe. Shkroi poezinë "Gjuha shqipe", siç kanë bërë Naimi, Mjeda, Fishta, Poradeci, Kuteli, Kadareja. Kulmin e këngës së vet me këtë temë mendojmë se e arrin në poezinë "Ditiramb trako-ilir", që siç e shënon edhe titulli shpreh edhe qëndrimin himnizues edhe konceptin që kish vetë Koliqi për prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe.
Ernest Koliqi vazhdoi traditën e të mëdhenjve të qarkut letrar të Shkodrës. Duke përthithur dhe asimiluar kulturën poetike arbëreshe, kulturën poetike klasike dhe moderne, veçanërisht atë latino-italiane. Gjatë 60 vjetëve të punës si erudit dhe krijues i nivelit të lartë lëvroi një poezi me lëndë tërësisht shqiptare e ambiente shkodrane. Motivet e kësaj poezie evokojnë veçanërisht lashtësinë e racës vitale të të parëve, të bujarisë dhe fisnikërisë, evokojnë gjuhën shqipe, doket dhe zakonet, duke aspiruar që mbi trungun e lashtë stërgjyshor të shartohet filizi i ri i qytetërimit perëndimor. Është këngëtari dashnor më i plotë dhe më i begatë i Shkodrës,"pasqyrë e odave të mëdhaja,trapazan i shtëpisë shkodrane që censhëm përpunuen daltat mjeshtrore" Nëpërmjet një lirike plot ndjeshmëri dhe ngjyrë të kopshteve dhe të qiellit shkodran, pasqyroi çaste intime dhe përjetime sublime, një botë të zakonshme dhe të jashtëzakonshme të jetës shkodrane nga këndvështrimi i një zotniu fisnik dhe të kulturuar që studimin në dhé të huaj e ve tërësisht në shërbim të përparimit të atdheut dhe kulturës kombëtare.Mjafton të kujtojmë se " gjatë vitit shkolluer 1941-42,si Titullar i Arsimit,dërgon në Kosovë 200 mësues e mësuese.ma në fund erdhi çasti historik i hapjes së Shkollës së parë të plotë të mesme në gjuhën shqipe,realizue më 12 Dhjetor 1941". Përkthen poetë të mëdhenj shqiptarë në italisht (Fishta,Ali Asllani), përkthen poetë të mëdhenj italianë në shqip. Ernest Koliqi edhe nëpërmjet poezisë që lëvroi është zë i veçantë i një malli të zhuritur atdhetari dhe qytetari modern, i nostalgjisë së një pinjolli dyersh fisnike dhe dashnori të përgjëruar. Detajet, gjetjet poetike, peisazhin, ngjyrat e stinëve, zërat e kopshteve, misteret e natës dhe magjepsjet e njeriut përballë natyrës dhe çasteve sublime të jetës që përjetoi, i ktheu në figurë poetike, në kumbime dhe ritme të vargut herë klasik, herë modern. Në mënyrë të ndërgjegjshme solli reflekse të vargut deradian, si te "Kangjellet e Rilindjes". Lëvroi veçanërisht tingëllimën si jehonë të ndikimit të Petrarkës dhe si vazhdues i vetëdijshëm i mjeshtërisë dhe porosisë së Mjedës. "Mjedja na kishte mësue shorti që ka fjala kur zgjidhet me kujdes. Ai dinte të pajtojë në shkrim të vetin mënyrat e shprehjeve stilistike ma moderne, (asokohe çmohej shortia kumbore e lyrikës symboliste dhe përsosja e ftofët, por skalitëse e vargut parnasian,) me ekzigjencat e veshit shqiptar." Me kryeveprën "Pasqyrat e Narçizit" dëshmoi aftësi të jashtëzakonshme krijuesi, që mitin universal ta shndërrojë në biografi poetike, në meditacion dhe ëndërrim të riu për qytetërimin perëndimor, shartuar në trungun e lashtësisë arbërore.
| |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Ernest Koliqi 3rd October 2011, 17:03 | |
| Shkodra në mëngjese
Kendojnë bashkë në mengjese pesë kumbonare, kendojnë në ajri mbi Shkoder ende fjetë: mbi Maranaj qet vetllen kureshtare agimi e hjedh në liqe synin e qetë.
Perhapë lajmin e zgjimit rrezja e parë të parat përshëndetje dridhen në heshti të letë, e shpejt në at lavdi dielli, qi e veshë fare Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë.
E ai diell prendvere i ri shprazet në shtepija udha e lulishta tue ngjallë ngjyra e shkendija, tue mbshtjellë gjithshka si nji tis ari, i hollë:
skaj në skaj si lum gzimi tue rreshqitë në syt e vashave, qeshë, e mbush me dritë kaçurrelat e tyne kur shkojnë në shkollë.
| |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Ernest Koliqi 3rd October 2011, 17:04 | |
| Kroni i katundit
Shtegu qi çon te kroni asht shetija e katundarvet. Buzë mbramje me buljere në krah, dalin gra e vajza për me mbushun uj në krue. Ndeshen udhës shoqe me shoqe e shëndrrojnë dy fjalë. Dita asht e mundshme ndër katunde e ato biseda mbramjeje disi janë nji pushim e nji argtim. E ndërsa dielli prendon e hana del, kroni i mbushë buljerat nji nga nji tue kendue. Secilës vajzë e secilës grue i kendon nga nji kange te veçante, përse kroni te tana i njef. Vajzat i njef të vogla e i pau dalkadalë tue u rritë; gratë i njef nuse e i pau dalkadalë tue u plakë. Pasqyra e qetë e ujit mban kujtimin e të gjitha fytyrave. Kroni ne heshti te lehtë, i kendon gjithkuj kangen e mallëngjyeshme të kohës së kalueme. Por pak kush din ta marrë vesht... E shumta kalojnë habitshëm. Shuejnë etjen, mbushin buljerat e nuk e ndigjojnë. Kjo, ndoshta, asht ma mirë për to, sepse kanga e kronit shëndrrohet në vaj, tue jehue në thellsit e shpirtit. Atëherë ma mirë mos me ndigjue. | |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Ernest Koliqi 3rd October 2011, 17:04 | |
| Gjuhës shqipe
Lshon ame ilire n`goje agimesh s`vjetra Ndo `i fjale e jote than` vetimeveti, O gjuhe e folun n`bote ende ferishte S`ciles Mayeri ne te censhmet letra Rraj`t e mshefuna n`mot nuk mund ia gjeti As n`t`folun t`Cezarve as n`helenishte, Perse Athina s`kishte Emen as Roma, kur e rrept ushtove Nder vepra katallajsh qi nper jehona Vigma t`fuqishme qitshin hove-hove, Tue ndertue ledhe permbi troje t`ona.
Kuturesat e hyjit nper gjeth lisi N`Dodonen shejte prifti, qi n`pergjime Naten e diten rrinte atje perdore, Porse ndo `i fllad pullnaje kundalisi, Ndoshta me fjal`t e tueja i dha heshtime T`perfrigueshme qi mbluen t`parat therore: Ndoshta ndo` i buz` hyjnore N`at mot qi zota shpesh perbujte toka Shqiptoi kto fjal` qi ne mbi goj` na shkrefen; Me ty hyjneshat ndoshta nper kto boka Ndonjij biri njeriu dashnin ia shprefen.
Mbi anija t`shpejta velat nde kah preja, Qi urdhni i Teutes niste nen hyj ari Me msy t`Helenit barkat tregetuese Ngarkue me ar e kem e skllave t`reja, Ty t`kelthitte n`timue anijetari Tue i ra me kic ilir pupes bishtnuese; E permbi val` shkembuese Ti jehojshe nder hymnet e ngadhnjimit Kur, me plackat e rrmbyeme mbrend` stivue, U afrojshin n`breg anijat prej agimit, Mbretneshes s`detit pret me i a dhurue.
Mysteri i vjeter qi mberthen fjal`t t`ueja, Zanin na e dridh` me nji kreni t`pashoqe, O ghuhe e folun per trimij pranvera, E tok na mbajte nder pushtime t`hueja Sepse prej gojve arbnore nuk u hoqe As kur u ndam n`besime e doke tjera; E shekujve potera Qi me vrull u perplas mbi tok` shqiptare Ndonjij ndrrimi edhe n`ty i cili shtegun, Por prap kumbimet n`buze i ke krenare Si n`mot qi Ilirt Shqipnis i a ruejshin bregun.
Thue buza e kangatarve te paemen Qi gzim e idhnim me ty knduen maje mali Dhe kanga u humbi n`erresin e motit, Ket permallim qi mungullon mbi t`emen E vjen nga heshtja e shekujve m`a fali, Mue trashigues i tune n`dhe t`Kastriotit? N` kthjelltin e dites s`sotit Kang` ndoshta t`kndueme qi vorroi kalesa Kendoi, o gjuh` lulzue n`shkreti, dh`asht goja E eme ahmarrse e gojve qi harresa N`terr mbylli, kur ti s`kishe as sheje as shkroja.
Motrat e tueja qi kumbuene n`shekull Bukurin tue sjell` n`prak t`ksaj jete E tjetra ligj`t e Arsyes qi mbarshtrojn` fise, Heshten e rrojn` vec n`karta:ti, per mrekulli, Me nji mosh` trimij vjetsh e blerun mbete Edhe kumbon e gjall` po n`ato vise Ku me lshue tingujt nise N`foshnjin e botes. Pse t`ka ruejtun fati T`njom edhe virgjin? Egersija jote Mos mban n`at gji, q`i hueji nuk pecati, Stinen e fundme t`poezis s`ksaj bote?
O shqipe plot me munguj, o gjuh` burrash Qi me `i fjal` t`vetme lidheshin per laku Dhe soje as vdekja s`mujte kurr me i trande, Shprehje t,kulluet na ep si akull gurrash Per kang`t e burrnis s`lasht q`ushqejm` te gjaku E t`lavdis s`re qi me t`fitue na kande; Thjeshtin e ambel t`ande Me ndjell` dashnin e vashavet qi t`flasin Falja poetve t`u, por n`qe se kamben Buzes amtare kush ia ven, ti casin Mos prit: banu rrufe me lshue n`te namen.
O Kange, Arbnor`t e plogte i kapi gjumi; Ti kris si za burije Mbi ata qi flejn` pa andrra fisnikije: E n`qe se belkacuk`t e gjuh`s ilire, Tue t`ndie fishkllojn` prej smire, Me rrahje flatrash ik n`nalsi t`kalthera. | |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Ernest Koliqi 3rd October 2011, 17:05 | |
| Rrajët lëvizin
Fragment
Shuku, mësim-dhanës (28 vjetsh) Ndreka, ish-tregtar (66 vjetsh) Iza (24 vjetshe) Roza, e shoqja e Shukut (25 vjetshe) Ganxhja, e shoqja e Ndrekës (26 vjetshe) Lina, e motra e Rozës, nzanëse (17 vjetshe)
Në Shkodër, me 197....
(Nji odë buke, e gjanë, në nji shtëpi të vjetër zotnijsh. Mure prej shum kohe së palyeme. Nji tryezë e thjeshtë katranëshe në mjedis rrethue me ndejse të zhgatrrueme të ndryshme njana prej tjetrës. Në fund të dhomës dy dritore të mëdhaja qi biejnë kah rruga. Në perden e mbajtë, në skaj kah fundi, një derë qi qet n’odë të zjarrmit, madej një kanapeh mbulue me pelhurë të zgjedhur, tshti e repun dh’e zverdhkatë në ngjyrë. N’anën e djathtë nji derë qi qet në shenashin. Edhe pse s’mungon dlirsija, ambjeti ep nji përshtypje së lanumi mbas dore. Shifet menjiherë se dikur ajo banesë shkelqente me orendi të begatëshme e dallohej për mbajtje të kujdesshëme. Asht mëngjesi i një dite së dielle vjeshte).
LINA (tue hy nga dera e shenashinit, veshë me petka shetije, përshëndetë Rozën qi del me dy broka plot me uj nga dera e odës së zjarrmit) Nadja e mirë!
ROZA Sa heret kenke çue! Mirë se vjen!
LINA Mesha në Shkollë të Murgeshavet thohet në shtatë. Mbaroi e këtheva këtu. Erdha me pa si keni ndjehë e me të marrë me da;ë në Fushë të Qelës.
ROZA Ka kohë. Nuk do të jet sahati ma tepër se tetë e gjysë. Shetija fillon mbas Meshës s’orës njimbëdhetë të Fretnevet. Po i çoj ujin m’u la Shukut e po vij. Si asht nana?
LINA Mirë. I kanë pushue dhimbat n’ijë. Shuku si po asht?
ROZA Me shëndet mirë, por, si gjithmonë, i habitun mbas trilleve të veta. Lexon, merr shënime e çohet e shetitë nëpër odë. duhet me ia përsritë disa heresh fjalën para se t’a marrin vesht: kaq përqëndrohet në mendime...
LINA Pregatitë ndoj vepër të re, sigurisht.
ROZA Shka me kenë! Humbë kohën kot. Kur s’mujt me nxjerrë gja në dritë sa ishin.... ata, sot duhet t’a kuptojë se puna e shkrimeve të tija ka marrë fund. Mue më ban me plasë. Në vend me ia vu menden si e si me e përmirsue kët gjendjen t’onë dhe m’u vu për fije si shokët, qi pra s’e lanë kurrkund zotsin e tij, bieret mbas andrrave. Jam në hall të madh. Linë!
LINA Shuki asht i zoti. Heret a vonë ka me i a dalë m’u rradhitë ndër shkrimtarë në shej e me kenë i çmuem si meriton.
ROZA Prit gomar sa të dalë tërfoja! S’kam besim në zotsin e tij. Ka mbetë mbrapa shokve. Mandej... (me za t’ulët) kujton ti se e lanë... këta të sotshmit me çue krye si shkrimtar? Rrehet kot. Por.... më len t’i a çoj ujin m’u la. Mos u mërzit. Qe, erdha! (Del kah shenashini).
GANXHIJA (hyn nga e djathta) Nadja e mirë Linë. S’ashtë nevoja me të pyetë si je pse po shof se ke ndjehe si molla në gem. Kaq herët, sot?
LINA Jam kenë në Mesh te Murgeshat.
GANXHIJA Ty të ndihmoftë. Edhe unë aty kjeçë në meshë, por ishem në fund të kishës e s’të kam pa. Ke pasë fat, moj bi, m’u rritë në hir të Zo’it e me marrë mësime të mbara ndër Murgesha. Mjrisht ka gjind qi, qyshë se kanë le, nuk e kanë pa kishën me sy dhe nuk njofin ngushullimin e madh t’uratës....
LINA Si ime-motër, për shembull, as? Mos i ven faj, Ganxhe. Ka thithë mendimet e... atyne. Nuk asht zemër – keqe, por koha e përparëshme ka lanë gjurmë të forta në të.
GANXHIJA Ajo qi nuk më pëlqen, lum Lina, asht se jote-motër nuk i mban për vete mendimet qi ka, por mundohet me i a rrasë në tru edhe tjervet. Qe, tuk asht zotni Shuku: ai nuk i a thotë të bindun se asht e mirë e e drejtë. E, pra, kisha me thanë se atij i përket ma tepër me u dalë zot mendimeve t’atyre....
LINA Unë nuk jam fort e rrahun në këto çashtje. Por... me shka kuptoj unë, Ganxhe locja, Shuku ka mendime krejt të veta qi janë bukur larg prej parimeve t’atyne pa kenë, merret vesh, kurrkund afër me t’onat; me këto të sotmet, due me thënë...
NDREKA (tue hy nga e djathta_ Mirë se të gje, zojshë.
LINA Mos më thirrni zojushë, zotni Ndrekë. Unë...
NDREKA Don ndoshta me të thirrë shoqe? Fjalët shok e shoqe i urrej edhe i kam qitë, sa për vete, jashtë përdorimit.
LINA Më thirrni Linë.
GANXHIJA (të shojt) Edhe ti ke nisë m’u ba i mërzitshëm. Lene rahat vajzën qi kurr s’t’a ka këthye fjalën.
NDREKA Ke arsye. Lina s’asht si...
GANXHIJA Leni fjalët boshe, po të tham. Po shkoj me ju pjekë nji kafe. E kam xhezën në zjarrm. (Del kah oda e zjarmit).
NDREKA (tue u ulë ndejun në kanapeh) O Zot i lum, kjosh levdue qi premtove me më falë nji pleqni të rahatshëme! E din, Linë, sa vuejshem kur ishin ata. Sidomos të diellavet. Nuk u dallote e diellja prej ditve tjera. Qe, ndëgjo. Po biejnë kumbonët e Kiëshës së Madhe. Aman, mos prito, çolma dritoren. Due me ndëgjue kumbonët. (Lina hapë xhamat e dritares). A ka lezet ma të madh? Me gëzue lirisht të diellen; me shkue në Meshë të madhe, ashtu si përpara. Ti je e re dhe s’merrshe gja vesh kur ishin ata. Por ne na e kanë terratisë jetën. Kishim lakmi ata qi dishin. A merr vesht? I njehshim të lum ata qi përsiellshim ndër Rmaj... me i shti në dhe!
LINA Unë s’mabaj mend mirë’ po, vërte, të ramit e kumbonvet ishte asokohe i ndaluem?
NDREKA Rrebtësisht.
GANXHIJA (tue hy me do filxhana në nji tabake) Urdhëroni, pra.
NDREKA Të lumët dora, grue. Prej erës kuptohet se na ke pjekë nji kafe tarrnake.
LINA (Ganxhes) Njimend pak e kush din me pjekë kafe si ti.
NDREKA Duket gja e kollajtë, përkundrazi don shum marifet. Ah. s’ka ma gja të kandëshme se me pi kafe tue ndëgjue kumbonët qi bijnë e tue mendua se "ata" nuk na rrijnë ma përsipër me na marrë frymën. Lirija, lirija, s’ka të paguem në kët botë.
ROZA (tue hy ka ndëgjue fjalët e Ndrekës) Liri kallpe... Vetam mendelehti nuk kujtohet se priftnija i a futë shpirtin njerzis në nji burg gënjeshtrash lara lara. Nuk asht liri ajo qi pa u kujtue të ban me ndjekë vijën e caktueme prej priftënvet dhe prej qeverritarve të cilët tjetër mendim s’kanë veç me shfrytëzue vogjëlin e shkretë.
LINA Pash fen, pse nuk shikon punën t’ande!
NDREKA Lene të turfullojë.... Fjalët e saja nuk m’a prishin lezetin e kësaj së dielle plot kumbonë. Kumbomnët s’i bajnë dam kujt. Kjo pëlqente krizmën e batareve qi vinte prej Zallit të Kirirt kur u pushkatojshin njuerëzit ma të ndershëm të vendit tonë. Tashti angthi u zhdavarit... Ah. kjo muzikë e kumbonve t’a zgjanon shpirtin.
ROZA E besoj: tash qi këthyem prap në Mesjetë...
NDREKA Këthyem në jetë te mbarë e të lume!
GANXHIJA Po ti, more, pse e gërget? Lene në punë të saj. Ajo asht rritë me ato mendime.
LINa (qi ka qitë kryet kah rruga prej dritores së hapun) Gra, eni e shifni. Në krye të rrugacës asht ndalë nji zojë e huej... Se ç’petk qi ka!.... s’ka si bahet ma i bukur... e i rri mbrekulli në shtat.... Qe, ka ndalë diken e dishka po e pyetë tue ba shej me dorë kah kjo rrugacë....
(Roza e Ganxhja shpejtojnë me dalë në dritore).
GANXHIJA Kush do të jet, vall? Po hyn në rrugacë t’onë. Po afrohet këtej...
ROZA E veshun vërte në mënyrë të përsosun.... Sa t’encun të zhdërvjellët... Shifet se nuk e topitë halli i jetës si ne të shkretave.
LINA Zojë e randë duket me kenë....
ROZA Po ndalet para derës s’oborrit t’onë...
GANXHIJA Jeee... Po kjo shka lypë te na?
(bjen trakllojca e derës s’oborrit: i ndëgjohet krizma nepërmjet derës së shenashinit)
ROZA Tham se e kanë drejtue gabim...
GANXHIJA (tue dalë me shkue e me çelë derën e oborrit) Në kjoftë e huej si do të merrem vesht unë me te?
NDREKA (pa u tundë prej kanapehit, tue mbështjellë një cingare në kuti të duhanit) Më thirr mue. Unë italishten e dij....
ROZA (si në tallje) E po foli rusisht, jam këtu unë!
NDREKA S’ka me kenë nevoja as për ty as për mue. Ka gabue derë, po kjo se kërkon ndokend. Këtu te na s’ka kush punë me të huej... Shko, Linë, të paça, e shif kush asht ajo grue e si po i shkon puna Ganxhes me te.... (Lina del kah e djthta).
NDREKA Shum të huej kanë fillue me ardhë. I ka dalë nami vendit t’onë e, tash si udhëtohet pa pengime, shum kend ngucë kureshti m’e shetitë fun e maje.
ROZA Në kët shtëpi gjysë të rrenueme s’ka kush shka me pa...
NDREKA Eeeh.... Dukur kjo shtëpi ka kenë nji ndër ma të mirat e Shkodrës...
ROZA E sot asht çerdhe mijsh. Të mjerët na qi jemi të dënuem me jetue këtu mbrendë.
NDREKA (tue mos u vu vesh fjalëve të saja, vazhdon si të flike me vete) Shtëpija e Sinadinvet, zotnij zemërbardhë.
ROZA Pasanikë qi jetuen të kërtylun me miradina në shpinë të popullit t’unshëm. Mandej nji prej tyne a më bahet a ishte i dam me gisht si njeri me idena antipopullore?
NDREKA Thue për Pjerin Sinadinin, shkrimtar?
ROZA (tue hy turravrap pa frymë) E dini se kush asht? E zoja e shtëpis!
NDREKA (tue broftë në kambë) Kush? Kush, thae?
LINA E zoja e kësaj shtëpije, pra! Ka ardhë prej Italije. Po shetitë oborrin me Ganxhen.
NDREKA A ka se si? E ka marrë mirë vesh Ganxhja?
LINA Po, po ajo flet shqip si na. Asht bijë Sinadinësh; a u thoshin kështu rponarëvet të kësaj shtëpje?
NDREKA Ashtu. Po pse ka ardhë?
LINA S’dij. Unë porsa u paraqita me te e ngava këtu me ju kallzue.
ROZA (me za idhnak Ndrekës) shif: unë të kam pague qiran për nji vjet e, t’a dijsh mirë:para Shën gjergjit nuk los prej klëndej edhe me ardhë të gjithë Sinadinët e dekun e të gjallë...
LINA Para se me thanë ashtu, preit me marrë vesh si po merr zhvillim puna.
NDREKa (Linës) A të tha Ganxhja me më ba za mue?
LINA Jo; por, ,ësi i a pash gjasën, ajo tash po njitet këtu nalt.
NDREKA Si t’u duk?
LINA S’ka si bahet ma e njerzishme. Si cërcerrim bylbyli e ka zanin. Nji buzqeshje e ambël i a ndritë fytyrën kur flet.
NDREKA Kjo nuk u donte!
ROZA Shka nuk u donte?
NDREKA Ardhja e kësaj – deh?
LINA Po kush asht kjo, zotni Ndrekë? Bash e zoja e shtëpis?
NDREKA Kjo – a? Mbas hamendjes asht e bija e Pjerin Sinadinit.
ROZA T’atij shkrimtarit me mendime prapanike?!
NDREKA (tue mos i vu vesh Rozës flet me Linën) Pjerin Sinadini – unë e kam njoftë – ka kenë njeri me idena të vjefshme, nisjatuer i palodhëshëm veprimesh të mbara, shkruente ndër fletore, qitte libra, ka pasë nji rreth të gjanë miqësh qi e dojshin me shpirt, por edhe shum anmiq qi e mënjijshin....
ROZA Njerzit e këqij janë të mënim....
NDREKA Ai s’i ka ba keq kuj. Disave, prej atyne qi e mënishin, u kish ba nderna e çfarë ndernash....
LINA Po kjo zoja kush asht?
NDREKA Sigurisht e bija, qi ka trashigue pasunin e tij.
LINA Po vjen! Qe, i ndëgjohet zani. Janë në shenashin me Ganxhen.
ROZA Unë s’due t’a shof.
LINA Ti rri, he mos pritsh. Të shofim shka thotë e shka ka ardhë ma ba....
IZA (tue hy e përsjellun prej Ganxhes, me njerzi të spikatun) Mirë se u gjej!
NDREKA Mirë se të bjen Zoti! Unë jam Ndrekë Beitoja, kujdestar i kësaj shtëpije....
IZA Më falni qi po u trazoj, zotni Beltoja. Deshta me pa, mbasi më qiti rasa me ardhë në Shkodër, shtëpin e prindve të mij.
NDREKA Jeni e bija e zotni Pjerinit, atëherë?
IZA Po.
NDREKA E kam njoftë babën e juej.
IZA (me sy qi i ndrisin papritmas prej gëzimit) Vërtetë?
NDREKA Po kush nuk e njifte? Asht përpjekë shum për kët qytetin t’onë.
IZA Shkodrën e ka dashtë me shpirt. Ka dekë me zemër të plasun prej mallit të saj. Më flitte gjithmonë për Shkodër, për Shqipni, për kët shtëpi.... (Shikon rreth e rrotull me nji hije mallëngjimi në fytyrë) Kjo asht oda e bukës.... Aty në skaj dikur ishte nji poltronë ku rrinte gjyshi.... Këndej duhet të jet oda e zjarrmit. A kam lejën t’a shof?
NDREKA Kjo asht shtëpija e juej, zojë... Urdhnoni: po ju përsjellim (bashkë me Ganxhen shoqnon Izën dalë kah e mbajta).
LINA Sa grue e hijshme dh’e njerzishme.
ROZA Kështu e kanë të pamit këto reshpereshat, por përmbrenda janë pleh.
SHUKU (tue hy prej së djathtës) Kush asht ajo zojusha qi erdh me ganxhen nodë t’onë e shikoi me përmallim të dukëshëm trapazanin e musandrën? Kishte në shikim nji shprehje të çuditëshme! si me kenë tue pa andërr....
ROZA Ti, ti, je gjithmonë i humbun ndër andrra, more tatalosh. E kjo bukurushë ka ardhë me të zgjue e me të ba me ikë rrezgabjezga prej kësaj shtëpije pse don me banues vetë këtu.
SHUKU (pa u vu vesh fjalve të së shoqes, me kureshtë të gjallë) Si? Si? Asht zoja e kësaj shtëpije? | |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Ernest Koliqi 3rd October 2011, 17:06 | |
| Tue bisedue me prof. Joklin
Nga Ernest Koliqi
Dy shokë të mij, studenta shqiptarë t’Univeristetit të Vjenës, më përsollën ke shtëpija e profesorit në Neustiftgasse. Si troklluem, ai doli vetë na çeli derën. Hera e parë qi shifshem. Burrë shkurtalak, i bâshem në trup, fytyr-kuq, nuk i difton aspak gjashtëdhetë vjett (viti i takimit 1937) qi i mbushi me 25 të frorit të shkuem. Ka nji ballë të gjânë e të hapun, dy sy´ të gjallë qi shndrrisin me nji dritë rinije e cila derdhet nëpër të tânë fytyrën kuqloshe kur qeshet. Na priti me njerzí të përzêmërt. Sa ndëgjoi êmnin t’im, mirsisht më tha tue folun shqip:
- Ju nuk jeni i panjoftun në kët banesë.
E më çoi fíll ke nji raft librash në nji lëpizë më tregoi të rrjeshtueme të gjitha botimet e vorfna të mija. Ishte ajo dhomë an’e mbanë, fund e maje përplot me libra. Me zâ krenar e me nji shêj dore tânë madhní, dijetari më paraqiti libërtoren e vet. Shifej qartas se e ndiente veten të lum për at pasuní grumbullue me kujdes të naltë, libra të mëdhej glotologjije, aradhe të randa fjalorësh, kolekcjone botimesh të gjithënduershme, indogermanishtjet. Profesori më thonte êmnat e auktorve mâ të njoftun, titujt e veprave mâ të përmenduna. Afër tryezës së punës, të thuesh në vëndin e nderit, në nji raft të posaçëm te kryet e dhomës, midis dy dritoresh, pásh të radhuem librat shqip. Biblioteka librash shqip e Profesor Joklit besoj të jét mâ e plotsuemja qi mund të gjindet. I rrijnë për krah ndoshta ato të Franciskajvet në Shkodër, të Midhat Frashërit në Tiranë dhe të Lef Nosit n’Elbasan. Këtyne dyjave të fundit u a kam ndëgjue vetëm zânin, pse nuk pata fatin t’i shof. Botime të vjetra e të reja: Toskësh e gegësh e Shqiptarësh t’Italís; të gjithë auktorët, të mëdhej e të mesëm e të vegjël fare; kolekcjone së përkohshmesh shtî për bukurí në kartuç, radhiteshin të dendun n’at bibljotekë të smirueshme. Shum prej atyne botimeve sot nuk gjinden mâ, sado me i pague. Sejcili vëllim mâ së miri i lidhun mbante të shkruem me gërma ari në shpinë titullin e vet. Sy´t e mij shetitshin plot lakmi mbi ato tituj e zêra ndrydhej. Paksa qênë dashtë të shkojshëm larg Shqipnije, në nji vend të huej, për të gjetun bibliotekën ideale shqipe, atê për të cilën ka nevojë çdo shkollë e mesme e Shqipnís, çdo bashkí shqiptare e radhës së parë, çdo stdjues i gjuhës s’onë!
Nejse... Profesori nxierte nga rrjeshtat ndonji prej librave, e shfletonte edhe epte gjikime të çmueshme mbi letrësin shqipe. Me çuditte njoftja e përpikshme qi ai tregonte mbi veprimtarín letrare dhe cilsít e çdo auktori, sa do i vogël qi ky t’ishte. Foli me andje të madhe për Rubayat e përkthyeme nga Fan Noli. Përkthim i shkëlqyeshëm, tha. Lavdëroi shum veprën e rinís së Faik Konitzës, “Nën hijen e Hurmave”. Shfaqi mendimin se në tregim t’atyne prrallave lindore gjuha shqipe arrîn në nji zhdërvjelltí të mrekullueshme. Kapi e lëshoi, tue më bâ t’admiroj bukurín e lidhjes, veprat e Fishtës dhe të Mjedës. Më kallzoi botimet qi kanë për subjekt bektashizmën. Letrësija bektashjane m’u duk se e interesonte shum. Pat mirësín të nxirrte edhe vëllimin e parë t’antologjis s’ime të Poetënvet t’Italis. Lexoi rrjedhtas tetëshen e Shtëpis së Gjumit t’Ariostos-s:
... Nji lugje e kandshme shkrîhet n’Arabi, larg nga qytetet e katundet t’tâna, qi n’hijen e dy´ malevet unji âsht mblue me aha t’lashtë e brej vigâna, e kot përpiqet drita mbrend’ me i hî pse s’á si depërton as dielli as hâna, kaq udha u âsht prej degve t’ shoeshta pré: a aty nji shpellë e gjâne hapet nën dhé...
Më lëvdoi sidomos përkthimet e Aristo e Tasso. I diftova qi edhe Fishta pëlqente mâ tepër copat qi përktheva nga këta dy poetën mbi të gjitha të tjerat të vëllimit të parë. E, mbassi biseda nisi me u endun gjatë mbi përkthimet shqipe nga gjuhët e hueja, albanologu më tregoi, të hapun mbi tryezën e punës, Hermandin e Dorothé sjellë në gjuhë t’onë nga Shantoja. Përbri përkthimet, origjinali gjemanisht i Goethes. Jokli më foli me enthuzjazëm të vertetë për kët punim të rí të poetit shkodran.
- Po sa mirë e ka qitë shqip. Varg për varg jam tue e krahasue me origjinalin. Shum, shum bukur!
I kallxova se si ata njimbëdhetërroksha të lakuem me mjeshtri të rrallë, qi shprehin jo vetëm sfumaturat mâ t’imta të përmbajtjes por edhe të gjithë muzikalitetin e trajtës së poemit goethjan, tue bâ me shijue në shqipe deri harmonín imitative të disá vargjeve t’origjinalit, ishin fryt i nji punimi të gjatë e dashunuer. Trí herë përkthyesi e punoi fund e maje Hermandin para se t’a epte për botim. Profesori foli shqip gjatë atij bisedimi plot mësime për mue. Në fillim i gjênte fjaltë dìsi me zori, kishte nji farë pasigurije në shqyptim por dalëkadalë erdhi tue i u zgjidhë gjuha deri sa arrîni të flasi krejt rrjedhshëm. Përdorte nji shqipe librash dhe e mbante dìsi fjalën gjatë në buzë si të donte me e shijue para se me e qitë. M’epej të mendoj, mësá flitte gjuhën t’onë ethimologu mâ i famshëm i saj, se ai i a dinte rrâjën mâ të mshefun e mâ të vjetër çdo fjale shqipe qi lëshonte nga buza. Këtyne fjalve, qi na i përdorim pa i vû roe ndër marrëdhânjet e përditëshme të jetës, ai u a dinte burimet e lashta, shndrrimet gjatë shekujve, rasat historike qi i shtremënuen, i zgjatuen, i skurtuen, imtimet e veshtrimit qi morën tue fluturue mbi qinda mija gojësh nëpër breznina të ndryshme deri sa zû vënd më to ngultas xixëllimi i domethânjes së tashme. Të çdo fjalë, qi i dilte prej goje n’at bisedim, ai mund të tregonte aventurat e çuditëshme nëpër të cilat u përshkue qyshse kumboi së pari mbi buzën shqptare. E ndëgjojshem me bindim dhe shkojshëm me dashuní at dijetar të madh, i cili aq thellë mujti të hÿjë në mysteret mijavjeçare të shqipes. Çdo zbulim i tij, dishmues i lashtësís prallzore të gjuhës qi flasim, na i falë shpirtit hove krenare edhe na e shton adhurimin për këto fjalë qi mbi buzë t’ona të padijshme shprehin herë idhnimin herë gëzimin baras ashtu si vîjshin tue u a shprehun para mija vjetësh njerzve të zhdukun të cilëve u qarkullonte ndër dej shkulmi i po njiktij gjaku t’onë. Tue pohue me dije të naltë e me prova të qarta se gjuha shqipe përmban në vetvete tepricat e nji djalekti të përziem thrako-ilir profesor Jokli prrallat e bukura të poetënvet i ka shndrrue në të vërteta shkencore. Mbas njâ katër ditësh, shkova buzë mbramjeje në mësimin e shqipes qi profesor Jokli ep krye jave n’Universitetin e Vjenës. Qemë tetë vetë ndëgjuesa, ndër të cilët vetëm tre shqiptarë. Shpjegonte ethymologjín e fjalës shqipe “katund”. E kishte nisë at shpjegim në mësimin mâ përpara: at mbramje foli dy´ orë gjithënji rreth asaj fjale dhe mbet mbarimi për herën e ardhëshme. Të gjitha mundësít e rrjeshjes s’asaj fjale aty u shoshitën me nji hollsí e me nji gjânsí erudicjoni me të lânë shtang prej çudije. Kur mbaroi, i lypa lêjen mjeshtrit të ndritshëm me e shoqnue deri ke shtëpija. Shëtitmë nëpër Vjenë të mbështjellun në nji mjegull të lehtë dimnore, mbrenda së cilës vetojshin dritat udhëtuese të tramvajeve dhe aty lylyverta të reklamave. U endme mâ se dy´ orë tue bisedue mbi letrësín shqipe. Tha se letrësija e jonë, në zhvillim të saj, kishtë analogjí të madhe me atê të Slavve t’Austris.
- Fishta zbuloi botën e Malsorve, përshkroi me zotsín e nji poeti të vertëtetë botën primitive të maleve plot ndiesí të forta qi shprehen në trajta heroike. Edhe të tjerë auktorë, pa i u avitun atij i dhanë letrësís shqipe aspektet e jetës malsore e katundare. Ti, i pari, ké paraqitë qytetin, ké tregue, me mënyrna veriste, aspektet shqonore qytetare.
E u dênjue të pëermendte nji nga nji novelat e mija. I kishin pëlqye mbi tjerat “Gjaku” e “ Se qofsh pleqnofsh” në “Hijen e Maleve” edhe “A t’a laçë” e “Djepi ari” në “Tregtar Flàmujsh”. Unë e falënderova me të thekun zêmre për çmim të mirë qi ai u epte përpjekjeve të mija letrare shum të pûrvujta, të cilat, i thaçë, janë tentativa sepsè Shqipnija, vend me motive të panjehuna për rromanxa e novela, nuk e kishte ende tregimtarin e deshiruem, atê qi të paraqesi në pasqyrën e nji arti të thjeshtë e të thellë, jetën arkaike, anakronistike ku fillojnë m’u dridhun deshiret edhe nevojat e modernitetit mâ të stërholluem, tue krijue situata shoqnore, familjare, individuale, të rralla e të çmeritëshme qi përmbajnë në vetvete kontraste dramatike me nji interesë të naltë njerzore. Ai këtyne fjalve të mija, qi i projektojshin mbi zbardhullimet e mjegullës së Vjenës rrahjet e thëlla të jetës shqiptare, i u përgjegj tue thânë, më nji zâ t’ulun si të flitke vetimeveti, se deshironte t’a njifte Shqipnín, t’a shifte per s’afërmi. Me zêmër i a urova albanologut të madh plotësimin e atij deshiri. Kush mâ tepër se profesor Jokli ka të drejtë të vîjë në vend ku kumbon shqipja, gjuhë së cilës ai i a njef rrâjët qyshë prej kohës qi të parat nâna shqiptare përkundshin në djep me tê zogjt e parë të Shqipes? | |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Ernest Koliqi 3rd October 2011, 17:06 | |
| Tregtare Flamujsh
Fragment
-Posi.... u ba Shqipnija. Dalin te marret e vikasin rrnofte Shqiperia! Ti i mencem pergjigje tue bertit ne kupe te qielles : rrnofte, po, e shpejt me porosite flamuj. Na shkyeju rrnofte, e ti shit, ban pare tue tregue mbi ndiesit tona. Loje e bukur, por s'te ka dale.... Gasper Tragaci, leshoi shtizen e u avit kercenueshem kah djali. Flamuri ra per toke. Hilushi s'luejti vendit. Shikonte syte e ftohte qi leshojshin shkendija idhnimi. Tregetari u ndal para tij. - Mos me kene hatri i miksis se mocme qi kam me shpine t'ante, dij une... I riu ia priti - Per hater t'asaj miksije tash qes bejte me t'u shit flamujt.. Me za qi i dridhej prej pezmit tjetri ia kthei: -po, zati ti sdin vec me qit bejta. Jeto me prralla, bieru mbas andrrave. Me vjen keq per gjind tuj se tash i qet ne rruge te madhe, me shka shof une. Hajt, hajt, qit bejta e duaje Shqipnin: bejtat e Shqipnija kane me te qite ne drite.... U afrue edhe ma teper e peshperiti si ne nje fishkullime: - U shitne a s'u shitne flamujt, qendroi a s'qendroi Shqipnija, une kam mjaft shyqyr, me jetue, a more vesh e tash jashte.... -Kadale... ia priti djaloshi me t'eger e syt i vetuen- dal vete e s'asht nevoja me me qit jashte ti. Por edhe nje fjale due me t'a thane e te lutem vire ne vesh si at kshill qe me dhae par ne dugaje. Ti thue se jeton, por rrehesh. Ti je shlye prej numrit te gjalleve qyshse je ndry ne ket dugaje mbushe me mall. Ky asht vorri yt. E sa per Shqipni, po te siguroj un se ka me qindrue. Prandej mos ban merak se edhe flamujt kan me t'u shit krejt, por rueje shpirtin tand mos tia shitish dreqit. E Hilush Viza doli, lehtesue ne zemer nga ai shfrim, me thith ajer te kulluet n'udhe sepse era e asaj dugaje i mirrte frymen. | |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Ernest Koliqi 3rd October 2011, 17:07 | |
| Tingëllimit
Tingëllim, bukurija kurr s't'humbasë qyshse Danti t'amshoi me t'madhen lyrë: prej dashunije fshân gjithnji kur hasë Beatriçen kah përshndet' me aq t'âmbël mnyrë;
n'ty ende qán Petrarka e vaji n'gjasë t'nji kroji rrjedh ku qartas si n'pasqyrë prap bota vron me mrekulli t'pamasë Lauren qimjare t'hijshme kejèt n'ftyrë.
Kisha me dashtë edh'un me i a përmendë s'dashunes s'ime emnin larg ndër mote porsi poett qi rrojn' sa bota e dielli,
por vargjet qi kunor' shkoj tue ia endë veç nji prendver' mâ s'ngjasin n'ftyr' t'ksaj bote aq koh' sa lulet qi çel' drandofilli. | |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Ernest Koliqi 3rd October 2011, 17:07 | |
| Lutja e Dëshprueme
Ju qi keqas t’vorrosun keq flêni nder murrâna mbi shpate t’pjerrta a n’pyje, n’breg deti ase n’breg lumi, deshmor‘, q’êmën t’lavdishem keni thadrue n’gojdhâna, nën dhé me gjak t’uej t’rîmun idhnín nuk u a shuen gjumi.
Ju qi n’vorre t’vetmueme keq flêni e nuk pushoni e as deka varrz e shtatit nuk thau as nuk u a mbylli, qi éshtnat vrik ju dridhen kur del nji zâ nga pylli, a kur nji zhapllim‘ hapash përbrî murân’s ndëgjoni,
ju qi n’mesime fisnike t’lahutës jeni rritun, ju qi burrnín jetike e patët si mësuese, ju qi lirín kreshnike zgjedh‘ e kishi per nuse, ju qi n’mprojen e nderit botën keni çuditun,
sot n’murrâna t’harrueme kërkoni kot pushim: ju qi epopé t’panjoftun shkruet me gjakun e kuq, plot vrumulisje n’eshtna rrini tue bluem idhnimin, fatosa orzez, për flîjen e jetës q’u shkoi huq.
U rrzuet tue rrokun armën dhe rrzue me jue fisi; ato q’atdheut i kjené ndër mote gardh çeliku, porzmat vigâne t’ueja, jo, nuk i mposhti anmiku por mâma e fatit, mâma qi befas mbi né krisi.
N’heshtim t’natës shqiptare s’ndëgjihet kund zâ njerit, prân‘ votres s’fikun nânat n’vaj nuk e njomin bukën, por me sy t’papërlotun plot shkndija mnije, strukën tue prit‘ furín ahmarrse qi t’thej‘ t’prîmunt e mnerit.
Jo váj por gjâm e ahté prej pyjesh sjell jehona, zhumhura e rrebtë e lumit kushtrim zâ-mbytun ngjanë, shpirtnat errson e ballet vrugon, ndiell mort zezona q’atdheut palcet gjallnuese mâ t’mshefta po i a thanë.
O Perëndí, na tokën pranuem qi Ti na fale, n’tê tash tridhet‘ qindavjeta na u end e ndershme jet, jetuem m’kto troje t’vobta, n’kto brigje t’thata e t’shkreta, ngujve larg botës tjetër tue ruejtun dhên mbi male.
Me mzi strehueme trupin nga shiu e brshni e marrdha, n’kasolle e stane t’brishta qi shpërthejshin duhínat, pa dijt‘ qejfet e holla, pa dijt‘ ç’janë miradinat, pa njoft‘ doket e lmueta të kombeve fatbardha.
E, pra, t’ushqyem n’kto gryka me bukë kollomoqe Qi e zbutshin n’új të kronit, s’lypshim kurrgjâ mâ shum, sepse bylmet na kishin nji lirí t’thjsht‘, t’pashoqe, qi me hiret e veta na e bânte gjakun t’lum.
Nânat me qumsht‘ të pastër andjen n’shpírt t’on‘ dikojshin Me fluturue si shqipe në qiell t’nderit shqiptar, n’flak t’dokeve m’u kndellun e n’zjarrm t’buzmit bujar, qi kobin e zvetnimit nga votra na e largojshin.
O Perendí, ndër shekuj ûja buzën na e zverdhi, shpesh u errem pa hângër bukën m’e ruejt‘ për fmín e mitun q’ish n’e rritun, por n’qe ‘i mik né shpín na msyni, ia vûm para at buk mikut kur erdhi.
Pse kshtu na e randon jetën me dhunë e me krajata? Lírin e dy gisht nderi n’shtek t’ballit: s’kishim tjetër: kto dy të mira zbritshin vobeksín t’on‘ të vjetër. Po pse, o i Lumi i Qiellvet, na i rrmbeve kto dhurata? | |
| | | Gashi Super Master
Numri i postimeve : 868 Pikët : 25354 Reputacioni : 18 Join date : 26/09/2011 Age : 33 Location : Prizren Drejtimi : Software Design
| Titulli: Re: Ernest Koliqi 3rd October 2011, 17:08 | |
| Dante e ne shqiptarët
Tue u besue kujtimeve t’mija të largëta, kur isha mësues i letërsisë shqipe në gjimnazin shtetnor të Shkodrës (prej tetë klasësh: unë jepja letërsi shqipe, nga 1930 me 1933, në tre klasat e fundit), mund të pohoj se poezia e Dantes u interesonte shumë nxanësve të mij. Asokohe mësimi i letërsisë zhvillohej brenda hullive të gjinive letrare dhe tekstit, redaktue simbas rregullores shkollore të kohës. Së pari paraqiteshin veprat e autorëve shqiptarë, mandej bëhej i mundun prezantimi i kryeveprave ma të shqueme të letërsisë së huej. Në tre klasat e fundit të gjimnazit nxanësit ishin në gjendje me lexue mjaft mirë vepra në gjuhët përkatëse, veçanërisht në italisht e frëngjisht. Natyrisht, për një mundësi perceptimi ma të mirë pëlqeheshin edhe veprat e përkthyeme në shqip, kur ato egzistonin. Në mungesë të tyne, mësuesi, (që pothuejse në të gjitha rastet i kishte krye studimet jashtë shteti) ushtrohej në përkthimin e fragmenteve ma të randësishme tue përdorë maksimumin e mundësive të veta. Mbi gjithçka, ajo që i linte mbresa nxanësve shqiptarë, ishte jeta e Dantes, jetë e mbushin me situata dramatike që i shkaktoheshin nga konfliktet e dhunshme e urrejtja e pamëshirshme qytetare. Disa fragmente nga kronikat e Dino Campagni-t e Giovanni Villani-t, shfaqen si përshkrim i gjallë i ngjarjeve bashkohore të vendit. Portreti i Corso Donatit, me pak përpunim u përshtatet saktësisht personazheve të njoftun prej të gjithëve. Ngjarjet fiorentine t’epokës së Dantes, shfaqeshin shumë të ngjashme me ato që patën tronditë Shqipninë mbas luftës së parë botnore, pasojat e së cilës rëndojnë ende sot. Mentaliteti i Dantes, në përgjithësi përkon me shpirtin shqiptar. Ndamjet në klane, shkapetjet e vrullshme t’ambicjeve, ndërhymjet e jashtme, intrigat mes familjeve të mëdha në garë për mbisundim e qeverisjen e qytetit, përndjekjet dhe dëbimet, pra tanë lamshi i pasioneve që përbajnë jetën e fiorentinasit të madh, qenë shumë të kapshme prej shqiptarëve. Çuditesha edhe se si me sa lehtësi e kuptonin koncpetin politik dantesk. Kalimi, në vazhdën e shekujve, nga perandoria romake në atë bizantine e së fundi nën juridiksionin perandorak otoman, ka lanë gjurmë të thella në kujtesen kolektive të popullit tonë. Edhe në perandorinë e paanë të sulltanëve, që shtrihej ndër tre kontintente, nuk mungonin nismat e fisnikëve të fuqishëm vendas për të prishë rendin e krahinave të tana. Askush nuk i kundërvihej autoritetit nominal të Padishahut, në personin e të cilit ishin përqendrue të gjitha pushtetet, civile, ushtarake e fetare: ai ishte Perandori e Kalifi, Mëkambësi i Profetit mbi tokë. Nxanësit e mij i kuptonin shumë mirë përpjekjet e dëshpërueme të fiorentinëve për me ruejtë autonominë absolute të ligjeve t’veta shtetnore gjith ‘tue veprue në emën të Perandorit e tue mos ia dëshirue tepër praninë e vazhdueshme. Nga ana tjetër orientoheshin me vështirësi ndërmjet mosmarrëveshjes së Perandorisë dhe Papatit. Nuk njihen raste luftimi mes pushtetit perandorik e klerit, në tanë historinë otomane, madje as ndër pashallëqet e ndryshme ku këto dy pushtete qenë të ndamë në kuptimin administrativ. Shty nga kjo arsye e rrjedhimisht edhe nga diferenca e plotë mes edukatave religjoze, vëreja se mes kantikëve të Komedisë Hyjnore, Ferri e deridiku Purgatori, kuptoheshin dhe shijoheshin nga nxanësit; mjaft ma pak, për mos me thanë aspak, kuptohej Parajsa, nëse përjashtojmë kangët e Cacciaguida-s ku naltohet jeta tradicionale dhe mërgimi i lajmëruem i Poetit. Plasticiteti i artit dantesk i cili zblohet në figurat e t’mallkuemve të mëdhej (Çorba e Uberti-t, Uliksi-t, Kontit Ugolino, etj) zgjonte emocione të forta tek të rijtë. Pëlqehej edhe fragmenti i Purgatorit ku muzikanti Casella tue iu përgjigjë ftesës së Dantes, këndon dhe zani i tij përhapte një ambëlsi të pashprehshme në shpirtin e të pranishmëve. As që kam ndërmend këtu me ba ndonjë disertacion mbi efektet psikollogjike që poezia danteske shkakton tek shqiptarët; dëshiroj thjesht që, tue u bazue në përvojën prej mësuesi, të nënvizoj faktin se burrnia dhe karakteri i Poetit, qëndrimi i tij përçmues dhe krenar përballë kundërshtarëve politikë, individëve vulgarë për sa i përket ultësisë shpirtrore apo ndaj atyne që u shmangeshin detyrimeve të nderit, i prekte së tepërmi nxanësit e mij. Dhe i entuziazmonte lavdërimi i guximit, i virtyteve të forta tradicionale dhe pika mashkullore e vështrimit dantesk në vlerësimin e veseve e vërtyteve njerëzore. Aty nga viti 1938, Patër Gjergj Fishtës i kceu damari me iu përveshë përkthimit në shqip të disa Sonetave t’Petrarkës. Por mbas do përpjekjesh të mundimshme më pohoi vështirësitë e paprituna që po i dilnin përpara gjithnjë. Tha: “Asht e çuditshme: për me ba një variant të një kange të Dantes në shqip, do t’kisha gjetë menjëherë fjalë e fraza të qëllueme; nuk kuptoj se ëse u dashka me u mundue kaq fort për me përkthye Petrarkën…” Por mandej e kuptoi e dha një spjegim në mënyrën e tij: “Thelbi mashkullor i poezisë së Dantes, përputhet me karakterin e fuqishëm e konceptin heroiko-patriarkal që ka jeta e shqiptarëve, veçanërisht ajo e Maleve. Gjuha jonë mashkullore prihet ndaj lakonimzmit sintetik e huazohet në mënyrë të shkëlqyeme për t’i mbartë shprehjet krenare danteske. Krejt ndryshe, modulimet valëzore të vargjeve të Petrarkës, bà komplekse nga mundimi i tij i dashunisë, i përpunuem e delikat, që çel herë nër turbullime sensuale e herë ndër vrulle t’nalta shpirtnore. Këto modulacione, jo vetëm që gjejnë me vështirësi terma të shprehjeve përkatëse në trashëgiminë tonë leksikore, por shfaqen në kundërshti të hapun ndaj çdo shfaqje të natyrës sonë, mohue në tanësi ndaj dritëhijes së ndjenjave”. Kështu u shpreh Orakulli ynë e, në të vërtetë përktheu vetëm ndonjë sonetë të Petrarkës (që i botova në revistën time “Shkëndija) e nuk iu nënshtrue ma mundimeve të përkthimit sepse, pavarësisht nga njohja e pakrahasueshme që ai zotnonte në të gjitha nivelet e gjuhës shqipe, përkthimi i dukej i vështirë. Fatkeqësisht s’arrita me e bindë që t’na jepte versinon shqip të ndonjë kange të Komedisë. Mes nesh, vetëm ai i kishte të gjitha dhuntitë për me e pasunue trashigiminë tonë letrare me egzemplarë të përkthimit dantesk. Sidoqoftë, egzistojnë edhe në shqip prova serioze e të zellshme, qoftë nga versionet e “Vita Nuova” e “Rime” qoftë nga “Divina Commedia” në Antologjinë Shqiptare të Jeronim De Radçs. Këtë sprovë ia detyrojmë italo-shqiptarit Luigi Lorecchio, vëllait të Anselmit, themeluesit e drejtuesit të periodikut “Nazione Albanese”. Asht një përkthim besnik dhe i kujdesshëm në vargje të lira. Autori ka botue shpesh në “La Nazione Albanese”, lirika shumë të rrjedhshme e patetike, tue përdorë të folmen e Pallagorio-s (provinca e Cantanzaro-s) të pasunueme me hijeshi e kujdes fjalësh toske. Në të njëjtën periudhë, me 1900, gjejmë një version të kangës V të Ferrit, realizue nga Sokol Baazi (Sokol Baci), i cili padyshim asht Kola, i biri i t’famshmit Bajraktar të Maleve të Mbishkodrës Sokol Baci. Kolë Baci ishte diplomue në Romë dhe shumë nga poezitë e tij patriotike shkrue në fillim të këtij shekulli e botue në “Nazione Albanese”, lexohen ende me interes. Në provën e tij të përkthimit dantesk, Baci jep provat e një mjeshtrie në përdorimin e vargut endekasilabik (i panjohun për poezinë popullore të Shqipnisë dhe i përdorun vetëm nga italo-shqiptarët ndër vjerrsha, pra ndër serenatat tipike nokturne të dashunisë) e në lirshmërinë e spikatun në përdorimin e tercinës së lidhun, aq e vështirë në shqip për rimën e saj të trefishtë. Gjuha që përdor asht ajo gege e Shkodrës, gjallnue e fuqizue nga përdorimi i shprehjeve idiomatike. Epoka e dhanë në të cilën u ba kjo sprovë meriton vëmendje. Me 1924, i ndjeri Patër Vinçens Prennushi, i vdekun tragjikisht mbas luftës së dytë botnore, me pendën e naltë që kapërcente shkathtësisht çdo pengesë ndër ushtrimet ma të zjarrta poetike, botoi në një prej vëllimeve të tij me lirika, një përkthim të admirueshëm të kangës së S.Françeskut (kanga X), ku ritmi e rima jo vetëm që e ndjekin besnikërisht origjinalin por dhe mbartin në shqip valëzimet e veçanta muzikale e tonet e ngjyrës. Më 1932, nga Shtypshkronja e Botuesit Nikaj të Tiranës, doli vëllimi i parë “Poetët e mëdhenj t’Italis”, realizue nga poeti në fjalë që përmblidhte version in e disa fragmenteve danteske. Poeti kombtar Gjergj Fishta, në një parathanie mjeshtrore të librit lëvdonte (e të gjithë e dinë se sa i përmbajtun ishte ai në lëvdata) ato përkthime që i pëlqyen edhe një tjetër poeti tonë të madh, Dom Ndre Mjedjes (që lëvdonte edhe me ma vështirësi se Fishta) i cili foli shumë mirë në një reçension te revista “Leka”. I vlerësoi shumë edhe Prof.Carlo Tagliavini, në parathanien e botimit të dytë botue me 1936. Në revistën e mirënjoftun “Leka”, Kristo Floqi i palodhshëm na dhuroi me 1937 përkthimin e episodit të Kontit Ugolino (Kanga XXXIII e Ferrit). Nxitun prej nevojës së papërballueshme të të shkruemit, Floqi, autor veprash të shumta që në një hapsinë të gjanë prodhuese përfshijnë studime Juridike, esse mbi administrimin shtetnor e një gamë të larmishme shkrimesh në të cilat figurojnë tana llojet letrare, që nga lirika dhe epika deri tek dramatika e artet rrëfimore, fatkeqësisht nuk i kushton shumë kujdes mënyrës së të shprehunit dhe pena e tij, me tepër kollajllëk, hidhet nga proza në poezi pa mujtë me i dhanë tharm stilit që shfaqet njëlloj i rrafshët si në përkthimet prej greqishtes antike si në letërsi moderne. Ky version me vargje endekasilabike që çalojnë, me fraza të përgjithshme, me strofa katërshe e rimë të alternueme shpesh arbitrare, përsa i takon interpretimit të tekstit origjinal, damton mbi gjithçka tonin: Floqi e shndërron ngjarjen tragjike në një lajm të kronikës së zezë dhe e shtjellon me ritmikëne një ballade popullore. Dy episode t’përkthyeme në tosknisht (Kanga X e Ferrit) gjenden në teksin shkollor “Letërsi e Huaj” e Mahir Domit dhe Sterio Spasses, por meqë në lidhje me çështjen në fjalë na mungojnë orientuesit, nuk mund të dimë nëse përkthimi asht vepër e tyne apo e të tjerëve; gjithsesi ky përkthim nuk na duket kushediseçka. Ma në fund, mbas shumë përpjekjesh të shkëputuna, pak a shumë të mbërrituna, ja tek shfaqet përkthyesi i shumë pritur i tanë Komedisë Hyjnore. Tashma janë publikue Ferri e Purgatori: Parajsa thuhet se asht në botim e sipër. Së shpejti pra, krahas versioneve nga greqishtja e latinishtja te Naim Frashërit, Gjergj Fishtës, Ethem Haxhiademit, Frano Alkajt dhe ato angleze e gjermane nga Fan S. Noli, Vinçens Prnnushi e Lazër Shantoja, poemën e Dantes do ta kemi të përkthyeme në shqip nga Pashko Gjeqi. Ai asht laurue për Letërsi e Filozofi në Universitetin e Romës më 1941 dhe ka botue vjersha dhe esse kritike shumë të çmueme ndër gazeta e peridokë letrarë. Që prej ma se pesëmbëdhjetë vitesh, i asht përkushtue me tana energjitë përkthimit në shqip të kryeveprave danteske. Ndër shkrimet e tij Gjeqi jep një provë të admirueshme përsa i takon njohjes së leksikut e të frazeologjisë shqiptare. Ai e ka studiu thellë shqipen, kështuqë zotnon përgatitjen e nevojshme për t’u përballë kësaj ndërmarrjeje të naltë mbi përkthimin e Dantes në një gjuhë që ka veç një shekull që asht çue në mundësinë e provave letrare. Me një formim të rreptë klasik, tue e përsosë shijen edhe mbi autorët e mëdhenj të letërsive t’mëdha perëndimore, Gjeqi ka fitue aftësinë e zgjehdjes së tingujve e lokucioneve pa të cilat çdo lloj përkthimi nga një gjuhë në tjetrën rrezikon me u katandisë në parodi. Besnikëria e një përkthimi nuk qëndron në ruejtjen e saktësisë së kuptimit të fjalëve, jo në mbartjen prej një gjuhe në tjetrën t’një koncepti mbushun me një ndjenjë të veçantë e vezullues në tisin e një imazhi origjinal, por në zgjedhjen e qëllueme të një shprehjeje mundësisht të ngjyrosun me idioma që japin, përveç domethanies, tonin, do të thoja tingullin dhe koloritin e origjinalit. Gjeqi, lexues i përhershëm i poemës danteske prej së cilës njeh sigurisht shumë pjesë përmendësh, lëshohet mbas ritmit të endekasilabit e lojnave t’panumurta të rimës së tretë, do të thoja me një epsh të vërtetë. Shfaqet e përkyreme teknika e tij prej vargëzuesi në mbruejtjen e endekasilabit teksa përpiqet, dhe në t’shumtën e rasteve ia del mbane, me mbetë i pranishëm në harmoninë intime të tekstit. Edhe n’ato pasazhe ku nuk arrin me e kapë veçantitë e koloritit e skalitjen e artit të gjanë dantesk me mijra e mijra forma e sfumatura, përkthyesi ynë ruen gjithmonë një nivel të naltë mjeshtërie stilistike. Vështirësia e pakapërcyeshme e përkthimit të Dantes në çfarëdolloj gjuhe qëndron në variacionet e vijueshme dhe të pafundme të endjes ekspresive që gjith ‘tue ndryshue tonin, ndjekin ngjarjet e njëmbasnjëshme t’udhtimit të tij tejtoksor dhe në ndërthyrjen e shpejtë të ndjesive e mbresave nga kanga në kangë. Kalohet nga stili i naltë biblik në stilin e vrullshëm popullor, nga fjalimet oborrtare në bisedat familjare e n’ato bufoneske e banale. E pasazhe të tilla tonesh që Dante kapërcen me një natyrshmëni të mrekullueshme, bajnë që t’i dridhen damarët e pulseve edhe përkthyesit ma të sprovuem. Mund të pohojmë se Gjeqi, i cili ia ka dalë mbanë me aftësi dinjitoze edhe në pikat ku kërkesave tiranike të rimave u shtohej vështirësia e ruejtjes së timbrit të veçantë e riprodhimi i atmosferës së veçantë të origjinalit. Episodet e Ferrit, të Françeskes nga Rimini, Farinates së Uberteve e Uliksit, janë realizue vërtetë gjallnisht në përkthimin e Gjeqit. Në përgjithësi kantiku i parë, Scultorea, e ka ma t’lehtë me i gjetë në leksikun shqiptar mjetet ekspresive për një përkthim të suksesshëm, falë karakterit plastik e konkret të materies poetike që trajtohet. Purgatori, piktoresk, kërkon pasuni të një lloji fjalësh e frazash me të cilat shqipja nuk asht edhe aq e begatë. Masën ma të naltë të mjeshtrisë së tij, përkthyesi ynë do të na e japë, nëse do t’arrijë me i kapërcye vështirësitë që paraqet përkthimi i Parajsës muzikale.
Kjo ese bën pjesë në një cikël leksionesh që Ernest Koliqi ka mbajtur në universitetet italiane.
Përktheu: Shpëtim Kelmendi
| |
| | | Sponsored content
| Titulli: Re: Ernest Koliqi | |
| |
| | | | Ernest Koliqi | |
|
Similar topics | |
|
| Drejtat e ktij Forumit: | Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
| |
| |
| Tema Fundit | » Universiteti “Ukshin Hoti” ka arritur memorandum bashkëpunimi me Universitetin Politecnica delle Marche në Ankona të Italisë3rd October 2015, 22:48 nga Administratori» Urimi i Rektorit Vataj për fillimin e vitit të ri akademik 2015/20163rd October 2015, 22:44 nga Administratori» Njoftim2nd October 2015, 16:04 nga Administratori» Njoftim2nd October 2015, 16:04 nga Administratori» Njoftim2nd October 2015, 16:03 nga Administratori» Rezultatet e Provimit Pranues Për Vitin e Parë të Studimeve, për Vitin Akademik 2015-20162nd October 2015, 16:02 nga Administratori» Makroekonomi10th August 2015, 19:46 nga Administratori» Regjistrimi per studentet e rinj27th July 2014, 23:20 nga Administratori» Rezultatet e provimit pranues - Korrik 201427th July 2014, 23:17 nga Administratori |
Statistikat | Forumi ka 878 anëtarë të regjistruar Anëtari më i ri Kujta
Anëtarët e këtij forumi kanë postuar 2271 artikuj v 642 temat
|
Kush është në linjë | 28 përdorues në linjë: 0 anëtarë 0 të fshehur 28 vizitorë Asnjë Rekord i përdoruesve në linjë ishte 45 më 1st November 2024, 16:55 |
MARKETING ~ Just in Time - Vending Machines | |
Sondazh | | Sa ore ne dite lexoni? | Me pak se nje ore | | 18% | [ 6 ] | 1 ore | | 33% | [ 11 ] | 2 ore | | 18% | [ 6 ] | 3 ore | | 6% | [ 2 ] | 4 ore | | 15% | [ 5 ] | Mbi 4 ore | | 9% | [ 3 ] |
| Totali i votave : 33 |
|
Top posting users this week | |
|