Ndajfolje quhen fjalët e pandryshueshme që plotësojnë para së gjithash foljen, duke treguar mënyrë, vend, kohë, shak, qëllim, sasi:
Blendi shkruan bukur, qartë dhe saktë.
Ndajfoljet mund të plotësojnë edhe një mbiemër ose ndajfolje tjetër:
Detyra ishte tepër e vështirë.
Ata u ngritën shumë herët atë ditë.
Por nga kuptimi ndajfoljet janë gjashtë llojesh:
mënyre, vendi, kohë, shkaku, qëllimi, sasie.
NDAJFOLJET E MËNYRËS
Ndajfoljet e mënyrës luajnë rolin e grupeve parafjalore rrethanor mënyre:
Vjollca e Dritani silleshin natyrshëm (=në mënyrë të natyrshme) me të gjithë.
Ndajfoljet kryesore të mënyrës janë:
- mirë, keq, bukur, pastër, qartë, shkurt, thjesht, që tregojnë cilësinë e veprimit. Të tilla janë edhe ndajfoljet gëzueshëm, natyrshëm, furishëm, etj.;
Vjollca flet bukur frëngjisht.
- menjëherë, pak nga pak, vazhdimisht, shpesh, papritur, etj. Që tregojnë ecurinë e veprimit:
Dritani u ngrit papritur.
- cekët, gjerë, gjtë, thellë, ulët që tregojnë përmasa:
Toka duhet punuar thellë.
- bujarisht, trimërisht, artistikisht, besnikërisht, teorikisht, që kanë kuptimin e togut në mënyrë + mbiemër: bujarisht (në mënyrë bujare), po edhe shqip, frëngjisht, anglisht:
Në Shqipëri më pritën dhe më përcollën bujarisht (në mënyrë bujare).
NDAJFOLJET E VENDIT
Ndajfoljet e vendit luajnë rolin e grupeve parafjalorë plotës vendi.
Ndajfoljet kryesore të vendit janë:
- afër, larg, pranë, rreth, djathtas, majtas, aty, atje, diku, gjëkund, gjithkund, anembanë, gjithandej, kudo, ngado, asgjëkund, kurrkund, etj, që tregojnë vendin ku kryhet veprimi:
Makina u kthye djathtas (në anën e djathtë).
- ku, nga:
Ku po shkon ?
Nga je edhe pse ke ardhur ?
Në të vërtetë ku dhe nga janë ndajfolje pyetëse, po merren edhe si ndajfolje vendi:
NDAJFOLJET E KOHËS
Ndajfoljet e kohës luajnë rolin e grupeve parafjalore rrethanor kohë.
Ndajfoljet kryesore të kohës janë :
- dje, pardje, nesër, pasnesër, paradite, pasdite, sot, sonte, tani, vjet, që tregojnë kohën e saktë të kryerjes së veprimit:
Erdha sot (=ditën e sotme) nga Tirana dhe do të nisem nesër (ditën e nesërme).
- njëherë, një herë e një kohë, gjithmonë, kurdo, së shpejti, së lashti, që tregojnë një kohë të papërcaktuar:
Së shpejti do të organizohet në Tiranë një konferencë për gjuhën shqipe.
NDAJFOLJET E SHKAKUT
Ndajfoljet e shkakut luajnë rolin e një grupi parafjalor rrethanor shkaku.
Ndajfoljet e shkakut janë: përse, pse të cilat përdoren për të pyetur për shkakun e kryerjes së një veprimi:
Pse (për çfarë arsyeje) nuk punon edhe ti si të tjerët?
Përse (për çfarë qëllimi) më kërkon?
Këtu mund të fshihen edhe fjalët prandaj, andaj, (=për këtë shkak, për këtë arsye, për këtë qëllim) të cilat funksionojnë edhe si lidhëza.
NDAJFOLJET E SASISË
Ndajfoljet e sasisë luajnë rolin e grupeve emërore rrethanor sasie.
Ndajfoljet kryesore të sasisë janë:
- shumë, pak, tepër, fort, së tepërmi, për së tepërmi, njëherë, dyherë, etj, që tregojnë në ç`masë realizohet veprimi:
E njoh mirë Butrintin, se e kam vizituar tri herë.
Gjeta një libër shumë të vjetër, të ruajtur shumë mirë.
- fort, tepër, së tepërmi, njëfish, dyfish, trefish, aq, kaq, mjaft, pak, etj. që shprehin intensitetin ose shkallën e një veprimi a të një cilësie.
Dëgjomë, mua plakun, se di më tepër se ti.
SHKALLËT E NDAJFOLJEVE
Ndajfoljet përdoren në shkallën pohore, krahasore dhe sipërore, kryesisht ndajfoljet e mënyrës: mirë, bukur, qartë, si edhe disa ndajfolje vendi e kohë: lart, poshtë, afër, larg, vonë, herët, etj.
Shkalla krahasore dhe shkalla sipërore e ndajfoljeve formohen me po ato fjalë me të cilat formohen shkalla krahasore e shkalla sipërore e mbiemrave.
- Shkalla pohore
Miri ecën shpejt
- Shkalla Krahasore
e barazisë : Mirri ecën aq shpejt sa Genti.
e sipërisë : Miri ecën më shpejt se Genti.
e ultësisë : Miri ecën jo aq shpejt sa Genti.
- Shkalla sipërore
Miri ecën shumë shpejt.